Ndihma e BE-së për Maqedoninë e Veriut në luftën kundër Kovid-19:Dorëzimi i ndihmës urgjente mjeksore në vlerë prej 4 milionë eurosh u përfundua, vijon ndihmë e konsiderueshme për rimëkëmbje ekonomike
Me dërgimin e 20 monitorëve për pacientët e kujdesit intensiv, 20 pulsoksimetërve dhe 25,000 testeve për COVID-19 Ministrisë së Shëndetësisë, Bashkimi Evropian ka përfunduar furnizimin e ndihmës me vlerë prej 4 milionë eurove për prokurimin e pajisjeve urgjente mjekësore dhe furnizimeve. Në dy muajt e fundit dhe që nga dorëzimi i parë që është bërë në fund të muajit prill, BE-ja ka treguar solidaritet me Maqedoninë e Veriut dhe qytetarët e saj duke dorëzuar më shumë se 1 milion njësi pajisje mjekësore jetësore dhe artikuj për mbrojtje personale për të forcuar kapacitetin e sistemit shëndetësor për të luftuar COVID-19. Kjo mbështetje e BE-së u implementua në bashkëpunim me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Shërbime Projektuese (UNOPS) dhe në koordinim me Sekretariatin për Çështje Evropiane si koordinatorin kryesor të vendit për ndihmë ndërkombëtare.
Prioretizimi i furnizimeve mjekësore u krye në përputhje me nevojat e sistemit shëndetësor dhe në koordinim me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Në këto dy muaj, BE-ja ka shpërndarë 25 pajisje për frymëmarrje artificiale, 20 monitorues për kujdesje intensive, 40,000 njësi të pajisjeve të ndryshme mjekësore si maska oksigjeni, filtra, katetër dhe materiale të tjera për sistemin shëndetësor. Pajisjet për mbrojtje personale, siç janë 30,000 maska për fytyrë, 100,000 maska kirurgjikale, 750,000 doreza mbrojtëse, 20,000 syze mbrojtëse, 100,000 kapela mbrojtëse, 50,000 mantelë steril për një përdorim 16,000 skafandra, reagjensë dhe sonda të mjaftueshme për 25,000 teste COVID-19 dhe sasi të mëdha të dezinfektuesve dhe materialeve të tjera të rëndësishme për mbrojtje personale u prokuruan dhe dorëzuan punonjësve të mjekësisë në të gjithë vendin.
Kjo ndihmë, së bashku me nismat individuale për ndihmë nga shtetet anëtare të BE-së, përbëjnë mbështetjen më të rëndësishme ndërkombëtare që vendi ka marrë në luftimin e efekteve të shkaktuara nga pandemia. Për më tepër, Bashkimi Evropian gjithashtu ka vënë në dispozicion mbi 220 milion Euro në mbështetje të drejtpërdrejtë dhe në kredi për të zbutur ndikimin dhe adresuar sfidat ekonomike të shkaktuara nga pandemia e COVID-19.