Projekte të BE-së rialokojnë mbi 330, 000 euro për t’i ndihmuar Maqedonisë së Veriut t’i përgjigjet më mirë sfidës së virusit korona
Shtrirja e dorës në kohëra të koronës
“Tode Mendol” është lagjja më e madhe ne Kumanovë me mbi 30,000 banorë, por, në të njëjtën kohë edhe lagjja më e varfër me mbi 12,000 shfrytëzues të ndihmës sociale. Përhapja e koronës vetëm sa e përkeqësoi situatën. Shoqata bamirëse Nënë Tereza ka punuar shumë për të ndihmuar grupet e cenueshme në këto rrethana. Bekim Saliu, kryetari i shoqatës, rendit në mesin e përfituesve të tyre një familje me shtatë fëmijë pa para për të blerë lapsa për katër prej tyre që duhet të gjejnë një mënyrë për të vazhduar shkollimin në shtëpi, ose nëna beqare me bebe që nuk kanë mundësi të blejnë pelena. Nënë Tereza është një nga shtatë nën-përfituesit e Qendrës së Burimeve të Shoqërisë Civile, një projekt i financuar nga BE, nën thirrjen e jashtëzakonshme për përgjigje urgjente të organizatave të shoqërisë civile ndaj COVID-19. Shoqata po shpërndan paketa me produkte higjienike, pajisje shkollore dhe lojëra logjike për familjet me vështirësi ekonomike, si dhe broshura me informacione se si të mbrohen nga virusi. Në periudhën nga 1 maji deri në fund të korrikut, nën-përfituesit do të shpërndajnë ndihmë humanitare për 550 familje në rrezik shoqëror ose grupe të tjera të cenueshme, përfshirë popullsinë rome, komunitetin LGBTI, refugjatët, fermerët dhe viktimat e dhunës në familje, një fenomen që është në rritje globale në kushtet e izolimit shtëpiak. Këshilli Kombëtar për Barazi Gjinore, një nën-përfitues tjetër, po administron një linjë SOS që synon të ndihmojë viktimat e dhunës në familje. Një nga objektivat e nën-grantit është rritja e dukshmërisë dhe qasja në linjën e tyre SOS në mënyrë që të sigurohet që viktimat ose viktimat e mundshme të dhunës në familje të mund të kontaktojnë lehtësisht me ta dhe të jenë të sigurt se këto linja SOS janë pa pagesë, plotësisht konfidenciale përfshirë këshillimin falas nga një psikolog.
Shoqata Humanost nga Shkupi, e cila përqendrohet në ndihmën ndaj personave në rrezik social, si nën-përfitues i organizatës Hera, formoi ekipe vullnetarësh që në bashkëpunim me Komunën Qendër dhe bizneset vendore, organizuan shpërndarjen e ushqimit dhe ilaçeve te qytetarët e moshuar, duke i ndihmuar kështu të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos ekspozohen në mënyrë të panevojshme ndaj rrezikut të infektimit. "Gjatë muajit Prill, ekipet tona bënë 40 vizita te të moshuarit në komunitetin tonë dhe shpërndanë 1 ton qumësht dhe më shumë se 3 ton artikuj ushqimorë", thotë Sashko Jovanov, Drejtor Ekzekutiv i Humanost. V.P., përfitues i shërbimeve të Humanost, është mirënjohës për këtë ndihmë. 'Koronavirusi na ka bërë të qëndrojmë në izolim. Unë jam 75 vjeç dhe jetoj me vajzën time e cila është me aftësi të kufizuara. Të dy i përkasim grupit të cenueshëm ”, thotë ajo. Kishte edhe dy nën-përfitues tjerë të Herës. Roma Progress organizoi qepje dhe shpërndarje të maskave mbrojtëse për qytetarët më të cenueshëm në komunën e Shuto Orizari ndërsa i udhëzoi ata si t’i përdorimin maskat. Organizata Cherenja ofroi shërbime falas për larje rrobash për familjet me nevojë sociale në Shtip.
Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave (ESE) shpërndau materiale edukative, veçanërisht në mesin e romëve, për mënyrën e kujdesit për gratë shtatzëna dhe fëmijët në kohën e koronës, si të zbutë stigmën e personave të infektuar dhe si të parandalohet dhuna në familje në kushtet e izolimit shtëpiak. Me nën-grante nga një projekt i zbatuar nga UNDP për demokracinë lokale, OJQ-të nga Kumanova, Strumica dhe Kavadari shpërndanë 146 pako humanitare për familjet në rrezik social dhe grupe të tjera të cenueshme në këto qytete. Shoqata për Strehim HABITAT ka siguruar 500 pako higjienike për familjet më të rrezikuara në komunën e Shuto Orizarës. Centro Laici Italiani Per Le Missioni Associata - CELIM u shpërndau 100 familjeve rome pako ushqimore dhe higjienike në Vinicë. OJQ Eko-svest shpërndau 1.000 maska për qytetarët. OJQ CeProSARD siguroi pajisje mbrojtëse personale për Institutin në Demir Kapi për njerëzit me aftësi të kufizuara intelektuale. Biznesi dhe Strategjitë në Evropë S.A furnizoi mbi 30 bashki me maska për fytyrën dhe dezinfektues. Një projekt që synonte të ndihmonte vendin për të përmirësuar menaxhimin e kufirit dhe migracionit, i siguroi policisë kufitare 3,000 maska / dorëza dhe dezinfektues dhe i furnizoi qendrat tranzitore për migrantët me kuti higjenike.
Solidariteti ndërkufitar
Sapo shpërtheu pandemia me kërkesën për maska për fytyrë dhe dezinfektues në treg që është në rritje, gratë-sipërmarrëse nga Maqedonia Veriore dhe Shqipëria të përfshira në një projekt bashkëpunimi ndërkufitar vendosën të rialokojnë një pjesë të buxhetit (12.500 euro) për aktivitete solidariteti që janë akoma brenda fushës së përparësive të projektit. 'Prodhuam 9.600 maska për fytyrë, 1.250 vizorë dhe 1.100 njësi sapunësh bio-antibakterialë dhe ato u dhuruan të gjitha. Sapunët janë veçanërisht të dobishëm për lëkurën e njerëzve, natyra e punës të të cilëve kërkon medoemos mbajtje të dorezve mbrojtëse tetë orë në ditë”, thotë Jasna Pajkovska, koordinatore e projektit, i cili përfshin gratë nga sektorët e zejtarisë, hotelierisë dhe prodhimit, që realizohet nga Qendra për menaxhim të ndryshimeve, në partneritet me Institutin për të drejtat e njeriut, Fondacioni EGALITE dhe Qendra për studime komparative dhe ndërkombëtare. 'Përfitimi është i dyfishtë - ne po i bashkohemi luftës kundër Covid-19, por në të njëjtën kohë ne vazhdojmë me mbështetjen ekonomike dhe arsimore për gratë-sipërmarrëse. Përmes këtij aksioni, gratë në projekt mësuan se si ta përshtasin prodhimin ndaj kërkesave të tregut ', shton ajo.
Një tjetër projekt ndërkufitar (që realizohet nga Ministria për vetqeverisje lokale në bashkëpunim me Ministrinë për Europë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë) siguroi 2.500 maska të ripërdorshme për fytyrën, 38,000 doreza për përdorim të vetëm dhe sanitizues dore për departamentet e policisë në Ohër, Strugë dhe Dibër, si dhe 150 pako ushqimore për grupe të cenueshme në dy bashki në Shqipëri.
Ndihmë arsimit onlajn
Forumi Arsimor Rinor (YEF), një organizatë e shoqërisë civile e përqendruar në të rinjtë, prodhoi një varg orësh onlajn me titull 'Ligjërata të jashtëzakonshme'. YEF inicioi programin duke nisur një thirrje për studentë dhe profesionistë të rinj të interesuar për të ndarë kërkimin e tyre dhe pasionin për shkencën me të tjerët. Deri më tani, ata kanë organizuar pesë ligjërata të jashtëzakonshme, duke përfshirë 170 të rinj, të cilët regjistroheshin për të fituar qasje dhe ishin përfshirë në mënyrë aktive në diskutim. Dialogu i hapur, bashkëveprimi dhe debati konstruktiv midis pedagogëve dhe pjesëmarrësve ishin karakteristikat kryesore të secilës ligjëratë.
Qendra për Menaxhimin e Ndryshimeve ka analizuar qëndrueshmërinë e sistemit arsimor në kohën e distancimit social dhe teknologjive moderne, si dhe aftësinë e tij për t'iu përgjigjur sfidave të ngjashme në të ardhmen.
Mbështetje për OJQ-të
Projekti për ndihmë teknike për shoqëritë civile në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi (TACSO 3) rialokoi 25,000 euro për të ndihmuar OJQ-të, përmes trajnimeve onlajn për përgjigje emergjente dhe përgjigje ndaj krizave, për të kontribuar në trajtimin e krizës.
Një projekt që siguron ndihmë teknike për përmirësimin e mjedisit për organizatat e shoqërisë civile në vend, rialokoi 150,000 euro si mbështetje të drejtpërdrejtë për OJQ-të për adresimin e nevojave të komuniteteve lokale, si dhe 70,000 euro si ndihmë për Këshillin e Qeverisë për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile në përmirësimin e këtij bashkëpunimi në kohën e koronës.
Ndihmë juridike / ekspertësh
Një projekt mbi sundimin e ligjit të zbatuar nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut përgatiti informacion për të drejtat dhe detyrimet në rrethanat e COVID-19 dhe monitoroi mbrojtjen e të drejtave të njeriut gjatë gjendjes së jashtëzakonshme. Shoqata Maqedonase e Avokatëve të Rinj me Komitetin e Helsinkit publikoi fletushka për të drejtat dhe detyrimet e personave të mbajtur në karantinë shtetërore. Projekti Organizatat civile dhe Mediat kundër korrupsionit - Koalicioni për Zero Tolerancë përgatiti një produkt multi-media se si duhet të bëhen prokurimet publike në gjendje të jashtëzakonshme. Fondacioni Shoqëria e Hapur, përmes një projekti të drejtësisë për grupet e margjinalizuara dhe instrumentin e tij në internet, u dha shumë qytetarëve këshilla ligjore për mbrojtjen sociale, të drejtat e punës, sigurimin shëndetësor dhe masat e ndihmës, të miratuara nga qeveria. Dialogu i Organizatave civile - Platforma për Pjesëmarrje Strukturore në Integrimin në BE po zhvillon, ndër të tjera, raporte mbi masat e qeverisë dhe efektet e tyre gjatë pandemisë në fushat kryesore të sektorit, si dhe përmbledhje të masave që BE-ja po zbaton në vend në kontekst të pandemisë. Shoqata Maqedonase e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë (MOSHA) hartoi nisma për zbatimin e Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë në rrethanat aktuale të distancës sociale. Ai gjithashtu përgatiti fletushka se si të mbrohen më mirë punëtorët shëndetësorë dhe kategoritë e tjera që janë më të ekspozuar ndaj Covid-19, siç janë punëtorët në supermarkete, banka, transport, ndërtim dhe në industrinë e ushqimit.
Luftimi i dezinformatave
Si pjesë e portofolëve të tyre të zakonshëm, projektet e Mendimit Kritik për Qytetarët me Arsimim Mediatik - CriThink dhe Edukimi informativ dhe Dixhital: adresimi I lajmeve të rrejshme vazhdoi të punojë në pengimin e dezinformatave përmes mediave sociale dhe raportimit jo-profesional, këtë herë në lidhje me krizën e koronës. Në të njëjtën kohë, ata u jepnin gazetarëve këshilla për raportimin dhe ndihmonin lexuesit të verifikonin shpejt informacionin.
Projekti CriThink vazhdon të promovojë përmbajtje edukative nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) për prishje të miteve rreth virusit. Çështja e dezinformimit, përfshirë në kontekstin e Covid-19, trajtohet edhe nga një projekt i realizuar nga Programi për Ndërtimin e Rezistencës së Komunitetit ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që çon në Terrorizëm.