Shkupi ndriçon ngjyrë portokalli për të shënuar Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës kundër Grave

Duke kumbuar zile të portokallta në Parkun e Gruas Luftëtare në Shkup, Maqedonia e Veriut do t'i bashkëngjitet fushatës globale '16 ditë aktivizëm kundër dhunës gjinore'. Bashkimi Evropian iu bashkëngjit përfaqësuesve të qeverisë dhe autoriteteve qendrore, si dhe KB-ra dhe OSBE-së në vend, që të shpreh përkrahjen për çrrënjosjen e problemit alarmues i cili vazhdon të jetë tepër i pranishëm dhe merr forma të ndryshme në të gjitha shoqëritë.
Një në tre gra në Evropë ka përjetuar dhunë fizike dhe/ose dhunë seksuale. Gati se të gjitha viktimat e trafikimit për eksploatim seksual brenda BE-së janë gra dhe vajza. Së paku 200 milionë gra dhe vajza janë nënshtruar gjymtimit gjenital femëror, që vazhdon të praktikohet në rreth 30 vende. Duke shfrytëzuar këtë klimë globale të krijuar nga lëvizjet e fundit si #MeToo, #TimesUp, #Niunamenos, #NotOneMore ose #BalanceTonPorc, fushata e KB-ra për këtë vit fokusohet mbi përdhunimin dhe 'kulturën e përdhunimit' që normalizon dhunën seksuale me efekte shkatërruese mbi viktimat.
Në ngjarjen në Shkup, Ambasadori Samuel Zhbogar e përshkroi si shumë shqetësues faktin që globalisht, dhuna kundër grave vazhdon kryesisht mos të raportohet. 'Përgëzoj Maqedoninë e Veriut për punën e kryer pas ratifikimit të Konventës së Stambollit. U hapën 3 qendra të reja të krizës për viktimat e dhunës seksuale në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë. BE-ja financon iniciativën rajonale për të luftuar dhunën e bazuar në gjini. Do të vazhdojmë të punojmë me qeverinë që të përmirësohet puna e policisë, mjekësisë dhe shërbimeve sociale. Grave ju duhet ky vetëbesim që të raportojnë dhunën', tha Zhbogari.
https://twitter.com/AmbassadorEU/status/1199287994798264320
Përfaqësuesja e lartë Federika Mogerini para do kohe reflektoi mbi lidhjen mes dhunës gjinore dhe shoqërive stabile dhe paqësore në forum ndërkombëtar në Japoni. 'Dhuna kundër grave merr forma të ndryshme: prej padrejtësive ekonomike deri në pabarazinë sociale, mungesa e kujdesit shëndetësor të drejtë si dhe dhuna fizike, mentale dhe emocionale kundër, kryesisht, grave dhe vajzave. Kur një shoqëri nuk është e drejtë, ajo nuk mund të ketë as paqe të qëndrueshme', tha Mogerini.
Në 16 ditët e ardhshme, deri në Ditën e të Drejtave të Njeriut më 10 dhjetor, më shumë se 6,000 organizata në 187 vende, bashkërisht, do të mobilizojnë gratë që kolektivisht të ndërmarrin masa për avancimin e ratifikimit dhe zbatimit të dy dokumenteve sapo të miratuara të Organizatës Ndërkombëtare të Punës që sanksionojnë dhunën dhe ngacmimin në punë.