“Miku im mendon se Bill Gates do t’i vendosë njerëzimit mikroçip”. Po tani?

09.11.2021

Një udhëzues i shkurtër për të komunikuar me dikë që beson në teoritë e konspiracionit kundër vaksinave.

Përgjatë pandemisë, pretendime të pabaza mbi vaksinat, me origjinë nga cepat më të errëta të internetit, (si p.sh., “Bill Gates do t’i përdorë vaksina për t’i vendosur njerëzimit mikroçip), kanë gjetur një vrull të ri, përfshirë në mediet pro-Kremlinit. Gjithfarëlloj informacionesh mashtruese shëndetësore vazhdojnë të bëjnë xhiron e medieve sociale, duke shkaktuar konfuzion dhe duke përkeqësuar më tej krizën shëndetësore.

Shumë do t'i konsideronin pretendimet për “mikroçipet” e Microsoftit në vaksina thjesht absurde. Por çfarë ndodh me ata që nuk e bëjnë këtë? Si mund të flisni në të vërtetë me dikë që përqafon teoritë konspirative lidhur me vaksinat që hasin në internet?

Ja disa këshilla që mund të jenë të dobishme:

  1. RUANI QETËSINË

Nëse hasni dezinformim apo teori konspirative për vaksinat në mediet sociale, një rregull i mirë bazë është që t’i raportoni postime të tilla në platforma, pasi ka të ngjarë të jenë kundër politikave të tyre. Angazhimi me një përmbajtje të tillë (qoftë edhe duke lënë një koment negativ) vetëm sa do të ndihmojë për përhapjen e saj të mëtejshme.

Po nëse ky person që beson dhe ndan pretendime mashtruese dhe teori haptazi konspirative për vaksinat të jetë dikush i afërt me ju – një mik, një njeri i dashur, një fqinj? Pohimet se Papa u kërkon ndjekësve të tij të vaksinohen, si një shërbim për kompanitë globale farmaceutike, mund të duken qesharake, por tallja, turpërimi apo zemërimi me dikë që është në të vërtetë i shqetësuar për këtë mund të jetë kundërproduktiv.

Pavarësisht nivelit arsimor, njerëzit mund të kenë ngurrime dhe frikë, të cilat mund të rrjedhin nga shqetësime të vlefshme mbi sigurinë dhe efikasitetin e vaksinës. Qasja ndaj të tjerëve me respekt dhe gatishmëri për të dëgjuar është çelësi për të pasur një bisedë kuptimplote dhe me ndikim.

  1. KUPTONI

Është dokumentuar më së miri nga kërkimet akademike se ne priremi të vendosim për vaksinat bazuar jo vetëm në fakte shkencore apo argumente mjekësore, por edhe në faktorë socialë, kulturorë, ekonomikë dhe politikë, në përvoja personale dhe bindje morale. Shkurtimisht, arsyet për të besuar pretendimet e pabaza për vaksinat shkojnë shumë përtej mungesës së thjeshtë të njohurive.

Një studim i vitit 2017 në “Nature Human Behaviour” gjeti lidhje statistikisht domethënëse mes ngurrimit për vaksinën dhe vlerave morale në dy grupe të mëdha prindërish amerikanë. Njerëzit që ishin shumë ngurues ndaj vaksinave ndikoheshin nga besimet se vaksinat do të ndotnin trupat “e pastër” të fëmijëve të tyre. Ata gjithashtu besonin se qeveritë nuk duhet “të kontrollojnë” sjelljen individuale.

Aktorët e dezinformimit e kuptojnë mjaft mirë se si të abuzojnë dhe t’i shfrytëzojnë besime të tilla. Pretendimet e pabaza në mediet sociale që hamendësojnë se vaksinat mund të modifikojnë ADN-në e njeriut apo se ato janë të prekura me HIV, malarie apo “grimca 5G”, u bëjnë thirrje më tepër emocioneve se sa fakteve. Pretendime të tilla shfrytëzojnë besime të forta mbi nevojën për të mbrojtur trupat tanë (dhe ata të fëmijëve tanë) nga çdo gjë që është “e panatyrshme”, “e pistë” apo “e rrezikshme”, duke i portretizuar vaksinat pikërisht si të tilla.

Në mënyrë të ngjashme, pretendimet se vaksinat COVID-19 do të përdoren si pretekst për të futur “mikroçip” dhe për të kontrolluar njerëzimin synojnë të shfrytëzojnë ndjenjat tona për lirinë dhe autonominë individuale (në fund të fundit, politikat e vaksinimit evokojnë elemente të kolektivizmit.

Të kuptuarit se bindjet morale të dikujt mund të manipulohen është një proces i vështirë dhe i pakëndshëm. Përpiquni të nxisni vetë-reflektim kritik duke bërë pyetje në lidhje me ankthet dhe frikën që lidhen me vaksinat. Dhe përgatituni të dëgjoni pa gjykuar.

  1. VLERËSONI

Njerëzit që ngurojnë për vaksinat ndoshta nuk duan ta dëmtojnë qëllimisht veten apo të dashurit e tyre. Siç e tha shkurtimisht një prind, gjatë fjalimit të saj në TED, kur bëhet fjalë për vaksinat, shumica e prindërve janë “krejtësisht të tmerruar se mos bëjnë gjënë e gabuar”.

Në njëfarë kuptimi, vaksinat janë viktimë e suksesit të tyre. Ne lexojmë për sëmundje të tilla si lija në librat e historisë dhe jo në faqet e lajmeve në internet, pikërisht sepse vaksinat ndihmuan për zhdukjen e saj. Por kjo, gjithashtu, e bën rrezikun (sado të vogël) të efekteve anësore të vaksinës më “real” sesa vetë kërcënimi i sëmundjes.

A mund të jetë ky rasti me njeriun tuaj të dashur / mikun / fqinjin? A kanë ata më shumë frikë nga vaksina sesa nga sëmundja vetëm sepse kjo e fundit duket si një kërcënim më i largët? Mos harroni se disa aktorë të dezinformimit, duke përfshirë mediet pro-Kremlinit dhe përfaqësuesit e tyre, kanë përhapur pretendime që ushqejnë pikërisht këto ndjenja, për shembull, duke pretenduar se kriza e koronavirusit është prodhuar nga media apo nga “Big Pharma” për të ndjekur interesa biznesi.

Vendosja e një baze të përbashkët mbi nevojën e përbashkët (shpresojmë) për marrjen e vendimit më të mirë në lidhje me shëndetin e dikujt hap një mundësi për dialog. Shmangni krijimin e një “serie kundërshtimesh” që mund të çojnë në antagonizëm dhe zemërim. Mundohuni të lidheni në një nivel emocional dhe personal. Pse është e rëndësishme për ju që ata të bëjnë “gjënë e duhur” kur bëhet fjalë për vaksinat? Pranimi se jeni të shqetësuar për mirëqenien e tyre mund të jetë një stimul i fuqishëm që ata të rishqyrtojnë pikëpamjet e tyre. Historitë personale që tregojnë pse jeni të sigurt për vaksinat (dhe mund të lexoni më shumë rreth masave mbrojtëse mbi sigurinë e vaksinave) shpesh mund të jenë më bindës sesa arsyetimi abstrakt. Është e rëndësishme ta bëjmë këtë, pasi ekspozimi i thjeshtë ndaj një teorie konspirative mund të ketë pasoja negative, edhe mes njerëzve që nuk merren me teori konspiracioni.

  1. LIDHUNI ME BURIME TË BESUESHME

Kohët e fundit, Këshilli Atlantik vuri në dukje një kërkim që kishte zbuluar se grupimet kundër vaksinimit në internet përdorin narrativa më të shumëllojshme sesa grupimet pro-vaksinimit. Për ta thënë thjesht: pretendimet kundër vaksinimit rrallë kanë të bëjnë vetëm me vaksinat. Ato përfshihen në tema më të gjera që lidhen me shëndetin (alternativ) dhe mirëqenien e përgjithshme. Si të tilla, ato përhapen më shumë sesa historitë tradicionale të mbështetjes së vaksinave të përqendruara te të dhënat shkencore dhe komunikimi nga agjencitë shëndetësore.

Për shembull, një faqe në Facebook kushtuar mjekësisë “alternative” dhe që synon ukrainasit, ngre një sërë pretendimesh që lidhin vaksinat e koronavirusit me nanogrimcat e “rrezikshme” dhe teknologjitë 5G. E njëjta faqe mbron gjithashtu mrekullitë e mjekësisë Ayurveda dhe përfitimet e kafesë për pacientët me kancer.

Kjo nuk do të thotë se kafeja dhe Ayurveda janë medoemos të dëmshme, por njerëzit që ndjekin tema të tilla në mediet sociale mund të ekspozohen pa dashje ndaj informacioneve mashtruese dhe të dëmshme rreth vaksinave. Për më tepër, nëse më shumë njerëz besojnë se disa ide janë të vërteta, ne gjithashtu kemi më shumë gjasa t'i pranojmë ato si të tilla. Kjo është arsyeja pse prania juaj në teoritë e konspiracionit dhe flluskat e dezinformimit i ndihmojnë ato pikëpamje që të nguliten në të menduarit tonë.

Nëse njeriu juaj i dashur apo miku juaj ndodhet në një flluskë të ngjashme “alternative”, nxiteni të ndjekë faqe dhe njerëz që ndajnë përmbajtje interesante dhe të besueshme, bazuar në fakte. Lidhja me shkencëtarët, akademikët, mediet e pavarura, kontrolluesit e fakteve dhe komunitete të ngjashme është një mënyrë e mirë për të ndërtuar imunitet ndaj dezinformatave në internet, duke përfshirë edhe vaksinat.

  1. NXISNI MENDIMIN KRITIK

Njerëzit që përqafojnë teoritë e konspiracionit shpesh e konsiderojnë veten mendimtarë kritikë. Nuk është rastësi që media kryesore e dezinformimit pro-Kremlinit, RT, i bën thirrje audiencës së saj “të pyesë më shumë”.

Por, siç thekson ky artikull i dobishëm në BBC, fryma e dyshimit është në fakt një çelës për mendimin racional. Synimi nuk është ta bëni personin tjetër më pak kureshtar apo skeptik, por të ndryshoni atë për çka është kureshtar apo skeptik. Dhe filloni të bëni pyetje.

Teoritë e konspiracionit synojnë të portretizojnë realitete komplekse me lëvizje të gjera dhe gjithëpërfshirëse, duke shpjeguar “gjithçka” dhe duke dhënë përgjigje për të gjitha pyetjet e mundshme menjëherë. Siç ka argumentuar sociologu John Gagnon, “dallimi mes një teorie shkencore dhe një teorie konspirative është se teoria shkencore ka vrima në të”. Në kohët e pandemisë globale, siguria “i di të gjitha”, e ofruar nga teoritë e konspiracionit mund të bëhet një burim lehtësimi nga ankthet e përditshme. Mendoni nëse personi tjetër u drejtohet ndoshta burimeve të dyshimta për të kënaqur nevojën e vet për të ditur.

Përveç kësaj, dezinformimi përdoret jo vetëm për qëllime politike, por edhe për qëllime komerciale. Sipas Indeksit Global të Dezinformimit, një çerek miliardë dollarë u paguhen çdo vit mijëra faqeve dezinformimi nga kompanitë e teknologjisë së reklamave që vendosin reklama për marka shumë të njohura. Faqet e internetit që mbështesin mjete shërimi “alternative” shëndetësore në vend të vaksinave, shpesh mbajnë reklama për shtesa të dyshimta ushqimore, duke u përpjekur të marrin përfitime të drejtpërdrejta financiare nga vizitorët e tyre. Ndjekësit e medieve sociale gjithashtu mund të “konvertohen në para” nga aktorët e dezinformimit, ose të përdoren për përfitime reputacioni.

Provoni ta pyesni personin tjetër, zërat e kujt zgjedh të besojë ai apo ajo për shëndetin dhe vaksinat dhe pse. Nxitini të reflektojnë se si e kërkojnë dhe e vlerësojnë informacionin, përfshirë të menduarit mbi motivet e atyre që ndajnë mesazhe kundër vaksinimit.

  1. DINI KUR TË NDALONI

Nëse ndiqni këto hapa, mund të keni një bisedë konstruktive dhe përfundimisht ta nxirrni mikun tuaj apo personin e dashur nga strofka konspirative. Por mos prisni rezultate të shpejta.

Pikëpamjet dhe ndjenjat tona për shëndetin dhe mirëqenien janë thellësisht personale dhe komplekse dhe nuk ka gjasa të ndryshojnë brenda natës. Për më tepër, siç thekson Mark Lorch, profesor i Komunikimit dhe Kimisë në Universitetin Hull, provat e reja krijojnë mospërputhje në pikëpamjet tona, të cilat mund të shkaktojnë shqetësim emocional. Pra, nëse ushtroni shumë trysni, ekziston rreziku që personi tjetër të dalë me justifikime dhe në fakt të forcojë pikëpamjet e veta, pavarësisht provave kundër.

Duke treguar dhembshuri ndaj personit tjetër, edhe nëse qëndroni fort kundër teorive të konspiracionit, mund të bëni ndërkaq një ndryshim në atmosferën e ndërlikuar dhe të shqetësuar të nxitur nga pandemia globale.