Dialogu i lehtësuar nga BE: Palët u pajtuan për Udhërrëfyesin e Zbatimit të Marrëveshjeve për Energjinë

21.06.2022
Bruksel
EEAS Press Team

Sot, pas diskutimeve të gjera, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petković, u pajtuan në Bruksel për Udhërrëfyesin e Zbatimit të Marrëveshjeve për Energjinë në Dialogun e Lehtësuar nga BE-ja, i cili përcakton detyrime specifike për të dyja palët.

Ky udhërrëfyes përcakton një afat kohor të qartë si dhe hapa konkret për zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë të vitit 2013 dhe 2015. Të dyja marrëveshjet janë zbatuar vetëm pjesërisht me elemente përkatëse ende të mbetura pezull.

Me marrëveshjen e arritur sot, Elektroserveri, një kompani në pronësi serbe e themeluar në Kosovë dhe sipas ligjit të Kosovës, do të fillojë furnizimin e konsumatorëve me energji elektrike në katër komunat e veriut me shumicë serbe. Kjo hap rrugën drejt përfundimit të praktikës aktuale jotransparente dhe të parregulluar.

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë që të monitorojë zbatimin teknik të marrëveshjes komerciale ndërmjet Elektroseverit dhe KEDS-it, Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike.

BE-ja mirëpret miratimin e Udhërrëfyesit si një hap përpara në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dobi të gjithë qytetarëve dhe nxitë të dyja palët që të bëjnë përparim në të gjitha punët e tjera të mbetura pezull në zbatimin e marrëveshjeve. BE-ja falënderon të dy kryenegociatorët për përkushtimin dhe qasjen e tyre të përgjegjshme ndaj procesit, i cili çoi në rezultatin e sotëm.

Peter Stano
Lead Spokesperson for Foreign Affairs and Security Policy
+32 (0)460 75 45 53
Zoi Muletier
Press Officer for Neighbourhood and Enlargement/Foreign Affairs and Security Policy
+32 (0)2 29-94306
+32 (0)460794306