Shqipëria dhe Italia - një shembull i solidaritetit evropian kundër Coronavirusit

Më 28 mars 2020, Shqipëria dërgoi 30 mjekë dhe infermierë në Itali për të mbështetur fqinjin e saj të goditur rëndë në luftën kundër Coronavirusit.
Ndërsa e gjithë bota, përfshirë Ballkanin Perëndimor, po përpiqet të luftojë pandeminë e Coronavirusit, Shqipëria, në një akt solidariteti dhe miqësie, vendosi të dërgojë 30 mjekë dhe infermierë në Itali, për të mbështetur fqinjin e saj në këto kohëra krize. Mjekët profesionistë shqiptarë dolën vullnetarë për të punuar në Lombardi, në zonën përreth Bergamos, rajoni më i prekur në Itali. Ata do të punojnë krah për krah me kolegët e tyre italianë për një periudhë njëmujore. Me mbi 11.500 të vdekur, Italia ka numrin më të lartë të vdekjeve të lidhura me Coronavirusin në botë deri më tani.
https://twitter.com/EUinAlbania/status/1243964894367617026?s=20
Ashtu si dhe vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor, edhe Shqipëria është goditur nga epidemia e Coronavirusit me 223 raste të personave të infektuar dhe 12 të vdekur.
“Solidariteti është në zemër të vlerave të Bashkimit Evropian”, theksoi Përfaqësuesi i Lartë / Zëvendës-Presidenti Josep Borrell. Në bisedën e tij me Kryeministrin shqiptar Edi Rama, Përfaqësuesi i Lartë / Zëvendës-Presidenti Josep Borrell ra dakord mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për të luftuar përhapjen e pandemisë së Coronavirusit. “Nevojitet një veprim i fortë dhe i koordinuar për të adresuar ndikimin e kësaj pandemie në shoqëri dhe ekonomi. Prandaj, BE-ja ka ridrejtuar në Shqipëri mbi 50 milionë Euro për mbështetje të menjëhershme në sektorin e shëndetësisë dhe rimëkëmbjen socio-ekonomike të vendit," nënvizoi Josep Borrell. Për më tepër, BE-ja po siguron 38 milionë Euro ndihmë të menjëhershme për të adresuar emergjencën e lidhur me Coronavirusin në Ballkanin Perëndimor.
https://twitter.com/ExtSpoxEU/status/1243195335910047748?s=20
Të enjten, më 26 mars 2020, Këshilli Evropian dha dritën e gjelbër për të filluar negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke pranuar kështu progresin e bërë dhe reformat thelbësore të zbatuara nga të dy vendet. Përfaqësuesi i Lartë / Zëvendës-Presidenti Josep Borrell mirëpriti këtë vendim të marrë nga shtetet anëtare në mes të krizës së Coronavirusit, si një vendim të rëndësishëm për rajonin dhe mbarë Bashkimin Evropian.