Vëzhguesit e BE-së prezantojnë Raportin Final duke përfshirë 23 rekomandimet për të përmirësuarzgjedhjet e ardhshme në Kosovë

24.01.2020

Misioni për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian (EU EOM) në Kosovë e publikoi sot Raportin Final mbi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit 2019. Shefja e Misionit, Viola von Cramon-Taubadel, anëtare e Parlamentit Evropian nga Gjermania, u kthye në Kosovë për të prezantuar Raportin Final para autoriteteve të Kosovës, Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), partive politike, shoqërisë civile dhe mediave.

Raporti Final i EU EOM reflekton mbi të gjeturat e misionit duke përfshirë fushatën e gjallë dhe konkurruese në pjesën më të madhe të Kosovës, procesin e administruar mirë dhe transparent para votimit, si dhe ditën e rregullt të zgjedhjeve. Sidoqoftë, keqpërdorimi i resurseve publike dhe mungesa e transparencës në financat e fushatës rezultoi në fushë-lojë të pabarabartë. Raporti gjithashtu vuri në dukje mungesën e konkurrencës në zonat e banuara me serbë të Kosovës dhe ambient fushate të minuar nga frikësimet ndaj kandidatëve dhe mbështetësve që nuk anonin me Listën Serbe.

Vëzhguesit e zgjedhjeve nga BE e vlerësuan procesin në Kosovë që nga fillimi i shtatorit deri në certifikimin e rezultatit final në fund të nëntorit. Rezultatet preliminare që u publikuan pas ditës së zgjedhjeve në përgjithësi ishin të besueshme nga subjektet politike, mirëpo kredibiliteti i procesit të numërimit dhe tabelimit pas ditës së zgjedhjeve u ndikua negativisht nga mungesa e marrjes së vendimeve me kohë nga Komisioni Qendror Zgjedhor, trajtimi joefikas i ankesave nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, si dhe vendimet kontraverse të gjykatës. Znj. von Cramon-Taubadel theksoi se “Vendimet kontraverse të gjykatës lidhur me numërimin e votave me postë të ardhura nga jashtë Kosovës dhe fakti se gati 90 për qind të të gjitha vendvotimeve u desh të rinumërohen janë të meta serioze që duhet të trajtohen për të ruajtur mirëbesimin publik në procese demokratike.”

Raporti Final i EU EOM përmban 23 rekomandime për të përmirësuar proceset e ardhshme zgjedhore në Kosovë. “Ka probleme të përsëritura sistemike në procesin zgjedhor. Për shembull mungesa e dispozitave të qarta për sfidimin e rezultateve në të gjitha nivelet, problemet rreth saktësisë së listës së votuesve, rregullimi dhe mbikëqyrja joadekuate e financave të fushatës, si dhe shumë të tjera. Këto probleme duhet të adresohen urgjentisht, duke i konsideruar, gjithashtu, përpjekjet e komisionit ad-hoc parlamentar të Kuvendit, ashtu që Kosova të vijë plotësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike,” përmbylli Znj. von Cramon.

Më 28 janar, EU EOM do të organizojë një tryezë të rrumbullakët me të gjitha palët e initeresuara për t’i diskutuar detajisht rekomandimet e misionit dhe përmirësimet në proceset e ardhshme,

EU EOM dhe Zyra e BE-së/Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë operojnë të pavarur nën mandatet e tyre të veçanta.

Për më shumë informata, ju lutemi të kontaktoni: Marek Mracka (EU EOM Press officer) marek.mracka@eomkosovo2019.eu