Komisioneri Hahn me rastin e lansimit të ERA
Kryeministër, ministra, Shkëlqesi, zonja dhe zotërinj,
Për herë të fundit në Kosovë isha më 17 maj për të festuar hyrjen në fuqi të Marrëveshjes sonë për Stabilizim Asociim. Në atë kohë unë theksova se ky ishte një moment përcaktues për marrëdhëniet tona. Si marrëdhënie e parë kontraktuale kjo marrëveshje është një provë që lidhjet tona me Kosovën po intensifikohen dhe se aspiratat evropiane të Kosovës janë të vërteta. Por unë poashtu theksova se Marrëveshja për Stabilizim Asociim ka vlerë të kufizuar nëse vendi nuk ka vizion strategjik evropian në mënyrë për të punuar së bashku për një agjendë të përbashkët evropiane. Kjo është arsyeja përse unë diskutova me kryeministrin Mustafa nevojën për të pasur një Agjendë për Reforma Evropiane e cila do të shërbejë si platformë e objektivave tona strategjike të përbashkëta në implementimin e reformave dhe afrimin e vendit më afër rrugës evropiane. Gjatë vitit të kaluar ka pasur shumë mundësi të humbura. Fatkeqësisht, siç kemi raportuar në raportin e këtij viti mbi Kosovën, të cilin e publikuam të mërkurën e kaluar, polarizmi mes partive politike ka vazhduar t’a pengojë Kosovën nga të bërit përparim thelbësor në lidhje me reformat evropiane. Dhe duke qenë sot këtu para jush, unë do të doja të jem i qartë: Ne nuk mund të përballojmë asnjë mundësi tjeter të humbur.
Agjenda për Reforma Evropiane është mjet i cili na ndihmon t’i korrim përfitimet e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim. Zbatimi i reformave për përfocimin e qeverisjes demokratike, ekonomisë dhe sundimit të ligjit do t’a bëjë Kosovën më atraktive për investitorët e huaj, do të krijojë vende pune dhe si rrjedhojë do të mundësojë lulëzimin e ekonomisë. Për t’a arritur këtë, ne duhet të jemi specifik dhe të synojmë rezultate konkrete. Kjo është e reflektuar në udhërrëfyesin e dakorduar i cili liston prioritetet që do të zbatohen gjatë 12 deri 18 muajve të ardhshëm.
Kjo natyrisht kërkon një përpjekje të përbashkët, jo vetëm nga qeveria, por edhe nga opozita, shoqëria civile dhe bizneset. Dhe unë jam me të vërtetë i kënaqur me bashkëpunimin e ngushtë dhe natyrën gjithëpërfshirëse të procesit në identifikimin e prioriteteve në konsultim me komunitetin e biznesit, shoqërinë civile, partnerët ndërkombëtar dhe institucioneve financiare.
Agjenda për Reforma Evropiane mbulon tri fusha kryesore të cilat janë thelbësore për të ardhmen e Kosovës dhe zhvillimin e ardhshëm:
· E para është qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit. Ajo trajton disa sfida të rëndësishme siç është pavarësia e gjyqësorit, emërimet dhe procedura të përzgjedhjes të bazuara në merita dhe transparenca në financat e partive politike. Si rrjedhojë e zbatimit do të përmirësohet rekrutimi i bazuar në merita në administratën publike. Masë tjetër është futja në përdorim e prokurimit elektronik i cili do të sigurojë transparencë dhe llogaridhënie në dhënien e tenderëve publik.
· Fusha e dytë është konkurrenca dhe klima e investimeve. Ne duam të rrisim bazën e prodhimit të Kosovës dhe kapacitetet e eksportit, të mbyllim hendekun e konkurrencës, të trajtojmë ekonominë informale dhe të përmirësojmë mjedisin e biznesit, gjë që do t’a krijojë një klimë më të mirë të investimeve. Krijimi i një programi të mëtejshëm të përkujdesjes për investitorët, përafrimi i rregullave me standardet internacionale të kontabilitetit, ulja e barrierave për themelimin e kompanive dhe përmirësimi i indikatorëve të raportit të “Doing Business” të Bankës Botërore do të ndihmojë në tërheqjen e investitorëve të huaj, të cilët synojnë të kenë procedura të thjeshtëzuara dhe mjedis rregullator të qëndrueshëm dhe stabil.
· Fusha kryesore e fundit është punësimi dhe edukimi. Masat e identifikuara këtu do të ndihmojnë në krijimin e një tregu funksional të punës, i cili mund të ofrojë më shumë mundësi punësimi. Programe më të mira trajnimi për mësuesit, krijimi i lidhjeve mes arsimit dhe tregut të punës, përmirësimi i cilësisë së formimit profesional dhe lehtësimi i tranzicionit nga shkolla në punë janë disa nga masat që kanë për qëllim ofrimin e aftësive të nevojshme për të gjetur punë në Kosovë.
Më lejoni të jem i qartë: Agjenda për Reforma Evropiane është prioritet i tanishëm dhe i ardhshëm i Komisionit Evropian. Ky është pakti ynë me vendin dhe popullin e tij pavarësisht se kush është në qeveri. Këto reforma janë urgjente dhe disa prej tyre janë vonuar. Por kur zbatohen kjo mund të sjellë përfitime të mëdha për popullin e Kosovës. Ajo do të ndalojë rrjedhjen e trurit dhe do t’a kthejë atë në qarkullim të trurit, duke ua mundësuar të rinjve të zgjuar që të kenë një të ardhme ekonomike në Kosovë.
Në të njejtën kohë do t’a bëjë ekonominë tuaj më konkurruese, më të hapur dhe më të lidhur, në këtë mënyrë duke ju afruar më shumë me BE-në.
BE-ja tashmë është duke kontribuar me 165 milionë euro për të ndihmuar në kthimin e objektivave të Agjendës për Reforma Evropiane në realitet dhe ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë afatgjate politike dhe financiare për të ndihmuar Kosovën në këtë drejtim.
Mirëpo i mbetet përfundimisht Kosovës t’a kthejë këtë në sukses.
Tani është koha për të vepruar dhe për të zbatuar reformat që i përmenda sot. Unë do të vij këtu rregullisht për të vlerësuar, së bashku me ju, progresin e bërë në zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane dhe për të rinovuar atë nëse është e nevojshme.
Unë jam i bindur se Agjenda për Reforma Evropiane do të veprojë si një forcë unifikuese, duke ndihmuar të gjitha palët të punojnë së bashku për të arritur qëllimet e njejta në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.
Kjo është ajo që njerëzit e Kosovës duan dhe kjo është ajo të cilën duhet t’a synojnë.
Faleminderit.