Rezultatet e Projektit të Binjakëzimit për Implementimin e një sistemi modern të Menaxhimit Financiar dhe Kontrollit dhe Inspektimit të Financave Publike në Shqipëri
Në eventin e mbylljes së projektit të binjakëzimit të Financuar me fondet e BE-së Z. Arben Ahmetaj, Ministër i Financave të Shqipërisë, Zj. Romana Vlahutin, Ambasadore e Delegacionit të Bashkimit Evropian, Z. Johann Sattler, Ambasador i Austrisë, Z. Bernard Fitoussi, Ambasador i Francës dhe Z. Raymond Hill, Komisioni Evropian, DP Buxhetit dhe partnerët e projektit nga Ministria e Financave të Austrisë dhe nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë të Francës morën pjesë në diskutimin mbi Përdorimin e përgjegjshëm të fondeve publike, të organizuar në Fakultetin Ekonomik, Universiteti i Tiranës.
Projekti i Binjakëzimit me vlerë 2.5 milion Euro u zbatua nga Franca dhe Austria me mbështetjen e 90 ekspertëve nga Hollanda, Kroacia, Bullgaria, Polonia, Sllovenia dhe Belgjika. Objektivi i përgjithshëm i binjakëzimi ishte kontributi për përdorimin me efektivitet, efikasitet dhe transparencë të fondeve publike.
Gjatë 27 muajve të fundit projekti mbështeti Ministrinë e Financave dhe 7 institucione pilot të cilat janë Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Bashkitë Shkodër, Berat, Pogradec dhe Korçë për implementimin e një sistemi modern të Menaxhimit Financiar dhe Kontrollit nëpërmjet implementimit të instrumenteve të menaxhimit financiar dhe kontrollit, instrumentin e bazuar ne Excel për planifikimin dhe raportimin financiar, regjistrin e riskut, librin e proçeseve të punës, gjurmët e auditit dhe planin vjetor të kontrollit.
Ai gjithashtu ka asistuar shërbimin e Auditit të Brendshëm në sektorin publik për vendosjen dhe zbatimin e rregullave dhe proçedurave dhe trajnimin e 300 audituesve me përvojë dhe Drejtuesve të Njësive të Auditit. U mbështet gjithashtu ngritja e funksionit të Inspektimit Financiar Publik me qëllim mbrojtjen e interesave financiarë të njësive publike kundër keqmenaxhimit të rëndë financiar, mashtrimit, shpërdorimit të detyrës ose korrupsionit.
Asistenca, e cila mbështeti gjithashtu edhe zbatimin e strategjisë për menaxhimin financiar publik 2014 – 2020, rriti aftësitë e përgjegjësve për menaxhimin e buxhetit dhe kontrollin përmes proçedurave që sigurojnë më shumë transparencë, delegim të detyrave dhe përgjegjshmëri menaxheriale në proçesin e vendimmarrjes si edhe arritja e rezultateve dhe e performancës në shpenzimet publike.
Në kuadër të proçesit të hyrjes në BE, në Kapitullin 32 Kontrolli Financiar, BE inkurajon reformat në sistemet e qeverisjes kombëtare për të rritur përgjegjshmërinë menaxheriale dhe menaxhimin e shëndoshë financiar të të ardhurave dhe shpenzimeve.
http://ec.europa.eu/enlargement/pdf/key_documents/2016/20161109_report_albania.pdf
Binjakëzimi është një instrument bashkëpunimi midis administratave publike të vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve kandidate me qëllim ndarjen e praktikave të mira të zhvilluara në BE dhe forcimin e marrëdhënieve afatgjata midis vendeve ekzistuese dhe atyre të ardhshme të BE-së.