THIS CONTENT HAS BEEN ARCHIVED

Komentet pas takimit të parë të Këshillit për Stabilizim dhe Asociim në mes të BE-së dhe Kosovës

25.11.2016
Teaser

Komentet e Përfaqësueses së Lartë/Zëvendës Presidentes Federika Mogerini gjatë konferencës për media pas takimit të parë të Këshillit për Stabilizim dhe Asociim në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës

Text

Isha e lumtur të mirëpres Kryeministrin (Isa Mustafa), Ministrin e jashtëm (Enver Hoxhaj) dhe Ministrin e Punëve të Brendshme (Skënder Hyseni) dhe të gjithë delegacionin e ardhur nga Prishtina për këtë ditë të rëndësishme. Kjo rëndësi reflektohet në nivelin shumë të lartë të delegacionit nga Kosova. Do të doja t’i falenderoja miqtë e mi për këtë ditë të rëndësishme të marrëdhënieve tona.

Kisha kënaqësinë të kryesoja takimin e parë të Këshillit për Stabilizim dhe Asociim në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Është një moment i veçantë që na mundësoi të shprehim përkushtimin e plotë dhe të bindshëm nga ana e Bashkimit Evropian për mbështetjen e Kosovës në rrugen e saj drejt Bashkimit Evropian dhe Integrimit Evropian.

Ishte gjithashtu një ditë e rëndësishme për ne pasi gjatë mëngjesit të sotëm së bashku me Ministrin e Punëve të Jashtme nënshkruam marrëveshjen kornizë për qasjen e Kosovës në programe të BE-së. Është një arritje e madhe e cila do t’i forcojë lidhjet mes shoqërive tona, duke i kushtuar vëmendje gjeneratave të reja. Marrëveshja do t’i lejojë Kosovës të marrë pjesë në një numër të madh të programeve të BE-së, siç është Erasmus Creative Europe, Mekanizmi për Mbrojtjen Civile, si dhe programet të tjera si COSME, e cila ndihmon ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për të pasur qasje në tregjet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë ose Horizont 2020 për kërkim dhe zhvillim teknologjik.

Pra, sot kombinimi i nënshkrimit të marrëveshjes kornizë dhe takimit të parë të Këshillit të parë të Stabilizimit dhe Asociimi pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) prillin e kaluar, përbëjnë një hap të madh para në punën tonë të përbashkët. Sot me Kryeministrin dhe me delegacionin  kemi diskutuar shumë çështje të rëndësishme siç është procesi i liberalizimit të vizave, situata politike në Kosovë, puna e Kosovës por edhe e Bashkimi Evropian qe është duke bërë për të parandaluar radikalizmin, për të parandaluar çështjen e luftëtarëve të huaj,  puna jonë e përbashkët në integrimin e rajonit në Ballkanin Perëndimor; dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës i cili po ecën mirë. Të gjitha janë çështje të rëndësishme jo vetëm për Bashkimin Evropian, por edhe për Kosovën.

Në lidhje me dialogun, ne përmendëm rëndësinë e progresit në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve tashmë të arritura. Ne kemi bërë vërtet hapa inkurajues dhe të rëndësishëm veçanërisht kohëve të fundit në zbatimin e marrëveshjeve mbi lëvizjen e lirë, drejtësinë, Asociacionin/Komunitetin e komunave me shumicë serbe dhe energjinë. Poashtu dua të përmend angazhimet e fundit të rëndësishme të cilat i kemi arritur në zbatimin e marrëveshjes së telekomunikacionit dhe shpresojmë që ura e Mitrovicës do të hapet në janar të vitit të ardhshëm. Në lidhje me telekomunikacionin, unë do të doja të theksoja progresin që kemi parë dhe po shohim i cili do të sjellë rezultate të rëndësishme për qytetarët e Kosovës.

Dialogu është fryma me të cilën ne i afrohemi procesit të normalizimit. Ne besojmë që dialogu brenda Kosovës, në mes të partive të ndryshme politike, në mes të qeverisë dhe opozitës në Parlament është rruga që duhet ndjekur dhe respekti gjithëpërfshirës për dialog konstruktiv është ai që Bashkimi Evropian e mbështet dhe e inkurajon dhe të cilin e parashikojmë në rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian. Do të doja ta falenderoja sinqerisht Kryeministrin për të gjithë hapat që vendi ka ndërmarrë gjatë këtij viti dhe poashtu të gjithë qeverinë, autoritetet qeveritare, qytetarët e vendit për atë që unë besoj se do të jetë edhe një perspektivë shumë e mirë që ne do të kemi në bashkëpunimin tonë të ardhshëm.

Kategoria
Remarks
Location

Brussels

Editorial sections
EEAS
Kosovo*
Western Balkans