OP-ED në prag të udhëtimit në Ballkanin Perëndimor
Ta udhëheqim Ballkanin Perëndimor drejt hyrjes në Bashkimin Evropian: kjo është detyrë e brezit tonë politik, jo e atij që do të vijë. Ballkani është pjesë e Evropës dhe gjithnjë ka qenë: asnjë kufi politik nuk mund ta ndryshojë këtë realitet gjeografik, historik dhe kulturor. Popujt e Ballkanit janë evropianë: ata meritojnë të njëjtat mundësi, të njëjtën mbrojtje dhe të drejta si gjithë qytetarët e këtij kontinenti. Bashkimi Evropian nuk do të jetë i plotë për sa kohë që ky rajon në zemër të Evropës nuk është i bashkuar, si pjesë e komunitetit tonë.
Gjatë vitit të kaluar, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimi Evropian janë afruar edhe më shumë me njëri-tjetrin. Shumë nga sukseset tona të përbashkëta ishin të paimagjinueshme vetëm pak vite më parë.
Nëntorin e kaluar kryesova takimin e parë të Këshillit të Stabilizim-Asociimit mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës dhe nënshkrova një marrëveshje për qasjen e Kosovës në programet e BE-së të tilla si Erasmus ose mekanizmin e mbrojtjes civile. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit hap një epokë të tërë të re në marrëdhëniet tona.
Dy dekada pas luftërave të fundit, rajoni është më i qëndrueshëm dhe më demokratik se kurrë më parë.
Megjithatë, stabiliteti dhe zhvillimi rajonal janë ende arritje të brishta. Debatet politike shpesh kanë zënë vendin e ndjekjes së interesave të qytetarëve. Premtimi për kushte më të mira jetese nuk është ndjekur gjithnjë me progres të vërtetë dhe të dukshëm. Një mjedis ndërkombëtar kompleks – me krijimin e sfidave të reja, rimëkëmbjen e ngadaltë ekonomike dhe zhvendosjen e balancës globale të pushtetit - e ka rritur edhe më shumë trysninë mbi një rajon të brishtë. Ndonjëherë, kemi pasur përshtypjen se vetë paqja nuk mund të merrej si e mirëqenë.
Të gjithë jemi të interesuar ta bëjmë paqen në Ballkanin Perëndimor të pakthyeshme, ashtu si dhe progresin social, ekonomik dhe demokratik. Nëse kjo ndodh, progresi drejt anëtarësisë në Bashkimin Evropian do të jetë gjithashtu i pakthyeshëm. Kjo është thelbësore për Bashkimin Evropian, po aq sa dhe për qytetarët dhe liderët e Ballkanit Perëndimor.
Për të kontribuuar për këto synime, BE-ja dhe shtetet anëtare duhet të angazhohen vazhdimisht me të gjitha kryeqytetet e rajonit. Për këtë arsye, këtë javë do të vizitoj gjithë Ballkanin Perëndimor, duke u takuar me liderë dhe qytetarë në Podgoricë, Sarajevë, Shkup, Beograd, Tiranë dhe Prishtinë.
Desha që gjatë këtij udhëtimi të ndaloja në të gjashtë qytetet dhe që ai të ishte vërtet “rajonal.” Secili prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor ka identitetin, sfidat dhe aspiratat e veta. Por është po ashtu e qartë se bashkëpunimi, dialogu dhe pajtimi kanë një ndikim të mundshëm si mbi jetët e përditshme të qytetarëve, ashtu dhe në udhën drejt anëtarësisë në Bashkimin Evropian në mbarë rajonin.
Rëndësia e dialogut mes Prishtinës e Beogradit është e pamundur të theksohet, si për stabilitetin rajonal ashtu edhe për serbët dhe kosovarët.
Ditët e ardhshme do të vizitoj universitete dhe do të dëgjoj frustrimet dhe shpresat e të rinjve të Ballkanit: vizioni i tyre është thelbësor për t’i dhënë formë të tashmes dhe të ardhmes së vendit, të lirë nga paragjykimet dhe armiqësitë e së shkuarës. Do të takohem me të gjitha qeveritë dhe do të flas në parlamentet kombëtare, aty ku ende nuk kam pasur rastin ta bëj: ajo është qendra e çdo demokracie, ku politikëbërësit duhet të tregojnë përgjegjësi dhe të përmbushin nevojat e qytetarëve të tyre.
Sepse kjo është puna jonë e përbashkët. Reformat në secilin vend kanë rëndësi jo sepse qeveritë apo Bashkimi Evropian i duan ato, por sepse ato mund të bëjnë një ndryshim të vërtetë për shumë njerëz në këtë rajon.
Kosova ka treguar angazhimin e palëkundur në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, dhe duhet të përpiqet të zbatojë marrëveshjet e arritura. Kosova ka demonstruar gjithashtu përparim mbresëlënës në procesin e liberalizimit të vizave – ky angazhim duhet të vazhdojë që procesi të finalizohet sa më shpejtë.
Nxitja e këtyre reforma është detyrë e brezit tonë. Nëse duam të japim rezultate të dukshme dhe të prekshme për qytetarët tanë dhe të përmirësojmë jetët e njerëzve, duhet ta forcojmë bashkëpunimin tonë sot, jo nesër. Dhe kjo është përgjegjësia jonë në mbarë Evropën, si në Bashkimin Evropian ashtu dhe në Ballkanin Perëndimor.
Federica Mogherini
Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë / Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian