THIS CONTENT HAS BEEN ARCHIVED
Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është një arritje e vërtetë
Main Image
Text
Check against delivery
Z. Kryeministër,
Të nderuar Agron, Fisnik,
Zonja dhe zotërinj,
- Është kënaqësia ime të marr pjesë në tryezën e sotme të rrumbullakët dhe e falenderoj Grupin për Studime Ligjore dhe Politike për ftesën.
- Diskutimi i sotëm ka të bëjë me rrethanat e përvjetorit të katërt të hyrjes në fuqi të “Marrëveshjes së Parë të Parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve" nënshkruar më 19 prill 2013. Por ai gjithashtu zhvillohet në kuadër të përvjetorit të parë të hyrjes në fuqi të MSA-së më 1 prill të vitit të kaluar. Të dyja çështjet janë të lidhura ngushtë. Por unë do të kthehem tek ky aspekt i rëndësishëm më vonë.
- Në mënyrë që të kemi një diskutim kuptimplotë sot ne nuk duhet vetëm të fokusohemi tek “Marrëveshja e parë” por poashtu të reflektojmë mbi dialogun. Asnjëra nga marrëveshjet nuk mund të shihet si e ndarë. Të gjitha janë të ndërlidhura. Ato janë pjesë e një procesi politik. Pra, ne duhet të zgjerojmë perspektivën tonë dhe të shohim në mënyrë gjithëpërfshirëse.
- Integrimi evropian dhe euro-atlantik duhet të shihet si interes kombëtar i Kosovës, forcë unifikuese dhe mundësi për koncensus kombëtar në Kosovë.
- Integrimi evropian nënkupton shumë gjëra duke filluar nga ndarja e vlerave dhe angazhimeve deri tek sundimi i ligjit, zhvillimi socio-ekonomik, respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut dhe zgjidhja e çështjeve të hapura përmes dialogut.
- Ne besojmë se është në interesin kombëtar të Kosovës që së pari të zgjidhen çështjet e hapura me Serbinë përmes normalizimit të marrëdhënieve të cilat ne i përkufizojmë si përmirësime të dukshme dhe të qëndrueshme të marrëdhënieve me qëllim të përmirësimit të jetesës së njerëzve. Së dyti, të përmirësohen marrëdhëniet në Kosovë në mes të serbëve dhe shqiptarëve në mënyrë reciprokisht të pranueshme. Dhe së treti, të ndihmojë Kosovën në arritjen e progresit në rrugën e vet evropiane.
- Dialogu Prishtinë-Beograd është një mjet që i kombinon të tri proceset. Prandaj është në interesin kombëtar të Kosovës për të marrë pjesë në këtë proces dhe për të luajtur një rol proaktiv dhe konstruktiv.
- Në këtë kontekst duhet të shihet marrëveshja mbi Asociacionin /Bashkësinë e komunave me shumicë serbe. Kjo është rënë dakord në mes të dy palëve gjatë dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Në kuadër të kornizës së dialogut BE-ja pret normalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në mes të palëve dhe që Asociacioni/Bashkësia të themelohet sa më shpejtë që është e mundur. Progresi i arritur në dialog është parakusht për të dy palët për të arritur progres në rrugën e tyre drejt BE-së.
- Ekzistojnë padyshim pikëpamje të ndryshme mbi mënyrën se si kjo bëhet ose komunikohet ose mbi rezultatet e arritura. Mirëpo duhet pasur pikëpamje dhe mirëkuptim të përbashkët mbi atë se ky është procesi më i rëndësishëm politik në rajon dhe se nuk ka alternativë tjetër.
- Kur vlerësojmë dialogun dhe rezultatet e tij duhet të kujtojmë dhe krahasojmë situatën në vitin 2011/12 kur dialogu filloi.
- Më parë nuk kishte rrugë evropiane për Kosovën. Veriu ndodhej nën postblloqe me polici, drejtësi, mbrojtje civile paralele dhe roje të urës. Kosova ishte përjashtuar nga takimet rajonale. Nuk kishte liri të lëvizjes për qytetarët e Kosovës. Nuk ka pasur kontrolle kufitare dhe mbledhje të taksave dhe të të hyrave në pikat e kalimit.
- Nuk kishte asnjë komunikim mes liderëve; vështirë se mund të qëndronin në të njëjtën dhomë. Nuk ka pasur marrëdhënie kontraktuale ekzistuese në mes të Serbisë dhe Kosovës, e lëre më në mes të Kosovës dhe BE-së.
- Cilat ishin objektivat kur dialogu filloi: përmirësimi i marrëdhënieve me Serbinë, shpërbërja e strukturave paralele dhe integrimi i tyre në sistemin e Kosovës, ulja e tensioneve dhe frikës dhe përshpejtimi i proceseve evropiane. Ndaj këtyre ne duhet të vlerësojmë progresin.
- Pra le t’a bëjmë këtë. Si janë marrëdhëniet me Serbinë sot? Kemi takime në të gjitha nivelet, duke përfshirë Presidentët dhe Kryeministrat, bashkëpunimin e ministrave evropianë, zyrat ndërlidhëse në Prishtinë dhe Beograd.
- Kosova është anëtare e organizatave rajonale. Unë guxoj të them se pjesëmarrja e Kosovës në Lojërat Olimpike dhe anëtarësimi në FIFA dhe UEFA është bërë i mundur për shkak të dialogut poashtu.
- Gjashtë pika të kalimit janë themeluar dhe janë duke funksionuar mirë. Tarifat doganore dhe akcizat janë duke u mbledhur. Për të folur me shifra: deri më sot rreth 300 milion euro janë mbledhur në pikat e kalimit. Kjo është një shumë mbresëlënëse.
- Për më tepër, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë në dhe nëpër Serbi. Kohët e fundit, ne kemi qenë dëshmitarë të zbatimit të marrëveshjes së telekomit ku Kosova morri kodin e vet. Së shpejti, ne presim hapjen e urës së rivitalizuar të Mitrovicës.
- Dhe e fundit por jo më pak e rëndësishme: Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit u nënshkrua në mes të Kosovës dhe BE-së. Ky është një moment historik. Për herë të parë Kosova ka hyrë në një marrëdhënie kontraktuale me BE-në.
- Më lejoni të jem e qartë: kjo nuk do të kishte ndodhur pa dialog.
- Siç e ceka më parë ka pikëpamje të ndryshme, si për rezultatet e arritura deri më tani dhe si për shpejtësinë e zbatimit. Kjo është normale dhe diskutimet si ky i sotmi ndihmojnë në sqarimin dhe vënien e gjërave në përspektivë. Debati publik është i nevojshëm dhe duhet të jetë një pjesë e natyrshme e çdo shoqërie dhe procesi demokratik.
- Përderisa unë sinqerisht besoj se dialogu është një histori suksesi unë poashtu besoj se ai duhet të vazhdojë me një shpejtësi më të madhe. Zbatimi mund dhe duhet të jetë më i shpejtë. Bisedimet duhet të rifillojnë.
- Kjo u takon palëve, Kosovës dhe Serbisë, të cilat janë të zotët e procesit. Ata përcaktojnë se çfarë diskutohet, çfarë duhet rënë dakord dhe se si do të zbatohet. Ata përcaktojnë shpejtësinë dhe temat. Marrëveshjet arrihen atëherë kur arrihet një bazë e përbashkët mes dy palëve.
- BE-ja shërben si lehtësues, një palë e paanshme e tretë që ndihmon komunikimin strukturor dhe vendimmarrjen në mes të dy palëve. Roli ynë është të ndihmojmë Prishtinën dhe Beogradin të arrijnë zgjidhje të pranueshme dhe të kënaqshme. Ne drejtojmë procesin dhe punën me të dyja palët në nivele të ndryshme dhe në faza të ndryshme të procesit por nuk kemi fuqi të vendimmarrjes.
- Progresi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, megjithatë, është një parim themelor i cili do të mbështesë zhvillimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes tyre dhe Bashkimit Evropian.
Si përfundim,
- Unë besoj se pavarësisht sfidave, dialogu i lehtësuar nga BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit është një arritje e vërtetë. Po, nganjëherë është i vështirë dhe i ngadalshëm. Por në përgjithësi ai ka arritur rezultate të shquaras.
- Palët duhet të kthehen pa vonesë në tryezën e bisedimeve dhe të përshpejtojnë zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Të gjitha përpjekjet duhet të fokusohen në gjetjen e zgjidhjeve që janë në interes të qytetarëve. Kjo do të avancojë edhe normalizimin e marrëdhënieve dhe perspektivën drejt BE-së.
- Unë do e mbaroj këtu dhe pres një diskutim konstruktiv.
Falemnderit.