Ballkani Perëndimor dhe Turqia thellojnë reformat ekonomike dhe shoqërore me BE-në
Në Dialogun Ekonomik dhe Financiar vjetor me BE-në të mbajtur sot, Ballkani Perëndimor dhe Turqia u pajtuan të përshpejtojnë reformat ekonomike dhe shoqërore në mënyrë që të përforcojnë stabilitetin makroekonomik dhe për t’i dhënë shtytje konkurrentshmërisë dhe rritjes inkluzive.
Me 23 Maj 2017, BE-ja, Ballkani Perëndimor dhe Turqia miratuan së bashku përfundimet që përfshijnë udhëzime mbi politika të specifikuara për secilin shtet, të bazuara në Programet e Reformës Ekonomike të shtetit përkatës. Qëllimi i dialogut është që t’ju ndihmohet shteteve në përmirësimin e stabilitetit të tyre makroekonomik, menaxhimit të financave publike dhe për t’i dhënë shtytje konkurrentshmërisë dhe rritjes afat-gjate në rajon.
“Sot që të gjitha shtatë shtetet kandidate dhe kandidate potenciale për anëtarësim në BE janë zotuar për të përshpejtuar reformat ekonomike dhe shoqërore me qëllimin e përgjithshëm të nxitjes së konkurrentshmërisë dhe rritjes inkluzive. Unë jam i kënaqur që të gjitha shtetet e zgjerimit kanë treguar përkushtim ndaj kësaj stërvitjeje, që është synim themelor i strategjisë së zgjerimit të BE-së. Përqendrimi tani është tek zbatimi i reformave në mënyrë që njerëzit e këtij rajoni mund të vërejnë vende pune më të shumta dhe më të mira”, tha Johannes Hahn, Komisionari i Politikës së Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatave për Zgjerim.
“Parashikimi ekonomik për Ballkanin Perëndimor është përmirësuar. Megjithatë, sikur edhe në BE, reformat strukturore duhet zbatuar për të siguruar rritjen afat-gjate dhe konkurrentshmërinë. Nivelet e larta dhe në ngritje të borxheve në disa nga shtetet tona partnere krijojnë shqetësime të mëdha. Tek të gjitha shtetet, besueshmëria dhe qëndrueshmëria fiskale do të përfitonin nga buxhetimi më transparent, kornizat më të fuqishme afat-mesme fiskale, dhe futja apo zbatimi i njëtrajtshëm i rregullave fiskale të definuara mirë, që mundësojnë ankorimin e fuqishëm të pritjeve”, tha Valdis Dombrovskis, Nënkryetar i Komisionit për Dialogun Evropian dhe Shoqëror.
Udhëzimi për politika i miratuar bashkërisht, është bazuar në Programet për Reformë Ekonomike, të cilat zhvillohen nga autoritetet në baza vjetore dhe i paraqiten BE-së në fund të Janarit. Programet shtrihen përgjatë tri viteve. Ato përbëhen nga korniza makroekonomike dhe politika fiskale, dhe reformat prioritare strukturore për shtytjen e rritjes dhe konkurrentshmërisë. Këto reforma strukturore shtrihen nga liberalizimi i tregjeve të energjisë dhe transportit, trajtimi i shkallëve të larta të papunësisë, ngritja e cilësisë së sistemit arsimor, përmirësimi i ambientit për biznes dhe tërheqja e investimeve, në mes tjerash.
Stërvitja synon që t’i ndihmojë partnerët e zgjerimit të BE-së për t’i dhënë shtytje zhvillimit të tyre ekonomik dhe shoqëror. Kjo do ju ndihmojë gjithashtu në arritjen graduale të kritereve ekonomike për anëtarësim në BE, dhe në ndërtimin e kapaciteteve të tyre për përmbushjen e obligimeve si pjesë e mekanizmit për vëzhgimin ekonomik të BE-së, të ashtuquajturin ‘Semestri Evropian’ – për kohën kur ato do të bëhen Anëtare të BE-së.