THIS CONTENT HAS BEEN ARCHIVED

ReLOaD, 12 bashki në Shqipëri angazhohen për partneritet me shoqërinë civile për trajtimin e nevojave parësore të qytetarëve

01.11.2017
Teaser

Rreth 100 organizata të shoqërisë civile do të përfitojnë nga skema e granteve për zbatimin e projekteve që trajtojnë përparësitë e përmbledhura në strategji vendore zhvillimi, me synim përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët që jetojnë në këto bashki dhe nxitjen e zërit dhe llogaridhënies.

Text

12 bashki në Shqipëri, konkretisht: Dibra, Durrësi, Elbasani, Korça, Lezha, Librazhdi, Përmeti, Prrenjasi, Roskoveci, Shkodra, Tirana dhe Tropoja, janë përzgjedhur si partnere për zbatimin e Programit Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD). Partneriteti konsiston në një skemë granti prej 1,130,952 Euro që do t’i jepet organizatave të shoqërisë civile (OShC) që operojnë në 12 bashkitë e përzgjedhura.

Një tjetër komponent kyç i ndërhyrjes është programi për ngritje kapaciteti që ka si objektiv autoritetet vendore dhe shoqërinë civile. Rreth 100 organizata të shoqërisë civile do të përfitojnë nga skema e granteve për zbatimin e projekteve që trajtojnë përparësitë e përmbledhura në strategji vendore zhvillimi, me synim përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët që jetojnë në këto bashki dhe nxitjen e zërit dhe llogaridhënies. Gjithë ndërhyrjet synojnë të promovojnë demokracinë vendore dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrjen që ndikon në jetët e tyre.

Mes UNDP-së si agjenci zbatuese dhe çdo bashkie partnere do të nënshkruhet një Memorandum Mirëkuptimi.

Ambasadorja Romana Vlahutin, Shefe e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri nënvizoi: Me këtë nismë BE-ja dhe UNDP kanë hartuar një nismë ambicioze për të forcuar bashkëpunimin mes qeverive vendore dhe organizatave të shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor. Kjo do të ketë një ndikim të vërtetë mbi jetët e njerëzve, me organizatat e shoqërisë civile që do të punojnë së bashku me bashkitë për të siguruar shërbime më të mira, si dhe më të shënjestruara dhe më gjithëpërfshirëse për qytetarët".

Z. Brian J. Williams, Koordinator Rezident i Kombeve të Bashkuara dhe Përfaqësues Rezident i UNDP-së në Shqipëri tha: “RELOAD është një mundësi e re për t’i afruar bashkitë me shoqërinë civile, me komunitetet dhe me qytetarët e Shqipërisë që presin me padurim më shumë mënyra për të ndërvepruar me aktorët vendorë për një shoqëri dhe demokraci vendore më të gjallë”.

ReLOaD do t’i përmirësojë mekanizmat financues përmes të cilëve bashkitë financojnë organizatat e shoqërisë civile dhe zbatojnë  përparësitë vendore të zhvillimit, në bashkëpunim me këto organizata. Në këtë mënyrë, ReLOaD do ta rrisë përfshirjen e shoqërisë civile në vendimmarrje dhe do të përmirësojë sigurimin e shërbimeve, për t’u shërbyer më mirë nevojave vendore në partneritet me qeveritë vendore në mbarë Ballkanin Perëndimor.

Kategoria
Press releases
Location

Tirana

Editorial sections
Albania