THIS CONTENT HAS BEEN ARCHIVED

Konkluzionet e Këshillit mbi Zgjerimin dhe Procesin e Stabilizimit dhe Asociimit, siç u miratuan nga Këshilli më 26 qershor 2018

27.06.2018
Text

SHQIPËRIA

45. ​Këshilli mirëpret progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në ndjekjen e reformave që lidhen me pesë prioritetet kyçe: reforma e administratës publike, reforma e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e personave që u përkasin pakicave dhe të drejtat e pronësisë. Ristrukturimi institucional i gjyqësorit është në vazhdim, si një gur themeli i një reforme gjithëpërfshirëse të drejtësisë. Procesi i rivlerësimit për gjyqtarët dhe prokurorët (vetingu) ka filluar të japë rezultatet e para të prekshme, duke përfshirë edhe anëtarët e nivelit të lartë të gjyqësorit, nën mbikëqyrjen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Këshilli e inkurajon Shqipërinë që ta vazhdojë bashkëpunimin e saj të mirë me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. Këshilli e inkurajon Shqipërinë që të mbështetet në progresin e deritanishëm dhe të ndjekë intensivisht reformën në drejtësi që synon rritjen e pavarësisë, llogaridhënies, profesionalizmit dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor, sidomos nëpërmjet avancimit të mëtejshëm të procesit të vetingut, i cili është vendimtar për suksesin e tij.

46. Këshilli mirëpret përpjekjet për krijimin e precedentëve solidë të  hetimeve pro-aktive, ndjekjes penale dhe dënimeve të formës së prerë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke marrë parasysh se shpartallimi i grupeve të organizuara të krimit mbetet një sfidë e rëndësishme. Këshilli thekson rëndësinë që Shqipëria të ndjekë më tej rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme, duke përfshirë në fushën specifike të luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të drogave. Këshilli e inkurajon Shqipërinë që t’i vazhdojë dhe t’i thellojë përpjekjet për të reduktuar kultivimin e kanabisit, duke u bazuar në rezultatet e para të rëndësishme që u vunë re muajt e fundit. Këshilli e përgëzon Shqipërinë për bashkëpunimin e saj të ngushtë dhe të forcuar me agjencitë e zbatimit të ligjit të Shteteve Anëtare të BE-së dhe pret që kjo praktikë me dobi të ndërsjellë të vazhdohet.

47. Këshilli gjithashtu nënvizon se Shqipëria duhet t’i intensifikojë përpjekjet e saj në të gjitha këto fusha dhe të sigurojë arritjen e rezultateve të tjera të prekshme, gjithashtu në luftën kundër korrupsionit në nivel të lartë, si dhe në shpartallimin e rrjeteve të organizuara kriminale. Duhet të ketë ndjekje sistematike gjyqësore për operacione të suksesshme të zbatimit të ligjit. Në kuadër të procesit në vazhdim të reformës në drejtësi, institucionet e specializuara për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar ende kanë nevojë të krijohen sipas kuadrit ligjor tashmë në fuqi. Krijimi i precedentëve solidë të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në të gjitha nivelet, mbetet një objektiv thelbësor afatgjatë që vazhdon të kërkojë përpjekje të mëtejshme të strukturuara dhe të qëndrueshme.

48. Këshilli përsërit nevojën për masa efektive legjislative dhe politike për të përforcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe politikat kundër diskriminimit, duke përfshirë trajtimin e barabartë të të gjitha pakicave dhe qasjen në të drejta për personat që u përkasin atyre në të gjithë Shqipërinë, si dhe për të siguruar zbatimin e qëndrueshëm të ligjit kornizë duke adresuar në aktet nënligjore përkatëse gjithë çështjet e pazgjidhura, përfshirë të drejtën për vetë-identifikim të lirë. Këshilli përsërit gjithashtu nevojën për zbatimin efikas të të drejtave të pronësisë.

49. Këshilli vëren se dialogu i qëndrueshëm dhe konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës mbi reformat që lidhen me BE-në mbetet thelbësor për të avancuar në agjendën e reformës në dobi të qytetarëve, si dhe për ta afruar më shumë vendin me BE-në.

50. Këshilli përsërit se Shqipëria duhet t’i shtojë reformat me synim rritjen e konkurrencës dhe trajtimin e ekonomisë informale. Në përputhje me Konkluzionet e Përbashkëta të Dialogut Ekonomik dhe Financiar ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, Këshilli e inkurajon Shqipërinë që ta përmirësojë më tej mjedisin e biznesit dhe investimeve, duke përfshirë sigurimin e zbatimit të të drejtave të pronësisë, duke ndjekur me forcë konsolidimin fiskal dhe duke forcuar administratën tatimore. Këshilli i mirëpret disa përparime të bëra në liberalizimin e tregut të energjisë, infrastrukturës së transportit dhe digjitalizimit. Këshilli e inkurajon Shqipërinë që të ndërmarrë hapa për të adresuar problemin e menaxhimit të mbetjeve.

51. Këshilli përgëzon fuqishëm përafrimin e plotë dhe të vazhdueshëm të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimin Evropian. Këshilli mirëpret angazhimin dhe përparimin në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm dhe e inkurajon Shqipërinë që t’i vazhdojë më tej përpjekjet.

52. Këshilli mirëpret angazhimin e vazhdueshëm konstruktiv të Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal. Këshilli gjithashtu mirëpret faktin që Shqipëria e intensifikoi dialogun me vendet fqinje për të adresuar çështje të rëndësishme dypalëshe dhe për të siguruar marrëdhënie të mira fqinjësie, të cilat mbeten thelbësore.

53. Këshilli vë pozitivisht në dukje përpjekjet në rritje të Shqipërisë për të marrë masa efektive që kanë për qëllim të luftojnë fluksin e lartë të aplikimeve për azil dukshëm të pabazuara nga shtetasit shqiptarë në vendet anëtare të BE-së dhe në shtetet e asociuara Schengen. Këto masa duhet të ndiqen më tej, së bashku me bashkëpunimin dhe dialogun e vazhdueshëm me vendet më të prekura, derisa të arrihen rezultate të qëndrueshme.

54. Duke pasur parasysh progresin e mësipërm, në veçanti në pesë prioritetet kyçe, Këshilli bie dakord që t’i përgjigjet pozitivisht progresit të mësipërm të bërë nga Shqipëria dhe përcakton rrugën drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit në qershor 2019. Rrjedhimisht, Këshilli nënvizon nevojën kritike që Shqipëria ta konsolidojë më tej progresin e bërë në reformën gjyqësore, në veçanti përmes vetingut, si dhe të japë rezultate të mëtejshme të prekshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet, si dhe në luftën kundër krimit të organizuar, në veçanti për kultivimin dhe trafikimin e drogave, duke ruajtur dhe thelluar vrullin aktual të reformës. Kjo përfshin:

 

  • avancimin e mëtejshëm të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në veçanti duke plotësuar gjithë dosjeve me përparësi, si dhe duke finalizuar ngritjen e  strukturave të pavarura gjyqësore siç parashihet nga reforma kushtetuese;
  • përfundimin e ngritjes së organeve të specializuara, përkatësisht Struktura Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Byroja Kombëtare e Hetimeve (NBI) dhe Gjykata;
  • forcimi i precedentëve të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve të formës së prerë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë edhe në nivel të lartë.

 

Për këtë qëllim, Këshilli i bën thirrje Komisionit që të monitorojë nga afër përpjekjet e mësipërme për reforma të Shqipërisë dhe do ta vlerësojë progresin në bazë të raportit vjetor të Komisionit. Këshilli kujton se vendimi për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë do të varet nga përfundimi i procedurave parlamentare kombëtare dhe miratimi nga Këshilli Evropian dhe më pas do të pasohet menjëherë nga Konferenca e parë Ndërqeveritare në fund të vitit 2019, në varësi të progresit të bërë. Këshilli thekson që ky vlerësim i progresit duhet të përfshijë rezultate të mëtejshme të prekshme dhe të qëndrueshme, duke u fokusuar në veçanti në shtetin ligjor. Lidhur me zgjedhjet, Këshilli i kushton një rëndësi të veçantë faktit që Shqipëria të trajtojë rekomandimet shumë të rëndësishme të Zyrës për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Këshilli gjithashtu i kushton rëndësi të veçantë përpjekjeve të vazhdueshme të Shqipërisë për të reduktuar numrin e aplikimeve për azil haptazi të pabazuara dhe gjithashtu i kërkon Komisionit të sigurojë që kjo të merret parasysh.

Këshilli merr parasysh qëllimin e Komisionit për të filluar punën e nevojshme përgatitore.

Kategoria
Council Conclusions
Location

Bruksel

Editorial sections
Albania