THIS CONTENT HAS BEEN ARCHIVED

Marrëveshja e Stabilizimit dhe Asociimit BE - Shqipëri: Nënkomiteti i 10-të për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë

12.07.2018
Text

Nënkomiteti i Stabilizimit dhe Asociimit BE-Shqipëri për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë mbajti takimin e tij të dhjetë më 11-12 korrik në Tiranë. Takimi u bashkëkryesua, për Bashkimin Evropian nga Znj. Michela Matuella, Shefe e Njësisë në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit e Komisionit Evropian, ndërsa për Shqipërinë nga Z. Gent Cakaj, Zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme .

Takimi mundësoi një diskutim konstruktiv dhe të frytshëm për një sërë çështjesh, duke përfshirë funksionimin e gjyqësorit, politikën kundër korrupsionit dhe të drejtat themelore, azilin dhe migracionin, menaxhimin e kufijve dhe politikat e vizave, luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, luftën kundër pastrimit të parave, si dhe policinë dhe bashkëpunimin gjyqësor.

Autoritetet shqiptare ofruan një pasqyrë të zhvillimeve të fundit, të rezultateve të arritura dhe të masave të planifikuara në fushën e shtetit ligjor. Komisioni përshëndeti progresin e qëndrueshëm të arritur nga Shqipëria gjatë vitit të kaluar dhe kujtoi se ndjekja e zbatimit të reformës në drejtësi është e dobishme për forcimin e shtetit ligjor në vend. Gjithashtu, Komisioni përshëndeti rezultatet e arritura deri tani në luftën kundër kultivimit të kanabisit dhe inkurajoi autoritetet që të vazhdojnë përpjekjet e tyre në trajtimin e trafikut të drogës të drejtuar nga grupe të krimit të organizuar.

Komisioni dhe autoritetet shqiptare ranë dakord për rëndësinë që ka për vendin vazhdimi dhe shtimi i përpjekjeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në veçanti lidhur me luftën kundër pastrimit të parave dhe konfiskimin e pasurive, si dhe trajtimin e çështjes së financimit të terrorizmit. Autoritetet shqiptare duhet të zbatojnë me shpejtësi rekomandimet e raportit Moneyval për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për krijimin e një rekordi të qëndrueshëm të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Komisioni mori parasysh disa hapa të ndërmarra nga Shqipëria në muajt e fundit për të adresuar sfidën e aplikimeve të pabazuara për azil në Shtetet Anëtare të BE-së, që kanë kontribuar në mënyrë efektive në uljen e numrit të aplikimeve. Komisioni vuri në dukje se përpjekjet duhen vazhduar dhe e nxiti Shqipërinë që të vazhdojë t’i japë përparësi kësaj çështjeje të rëndësishme.

Në fushën e të drejtave themelore, midis çështjeve të tjera relevante, Komisioni e ftoi Shqipërinë të shtojë përpjekjet në lidhje me përfshirjen e grupeve në nevojë, e nxiti Shqipërinë që të finalizojë legjislacionin sekondar të nevojshëm për të siguruar zbatimin e plotë të ligjit të ri kornizë për pakicat, si dhe theksoi rëndësinë që Shqipëria të përfundojë procesin në vazhdim të regjistrimit të pronave dhe të ushtrojë më shumë qartësi në zbatimin e të drejtave pronësore, megjithëse mund të vërehet përparim në përmirësimin e kuadrit ligjor për regjistrimin, shpronësimin dhe kompensimin.

Komisioni, duke kujtuar Konkluzionet e Këshillit të qershorit 2018, që përcaktoi rrugën drejt hapjes së negociatave të pranimit në qershor 2019, përsëriti gatishmërinë e tij për të filluar punën e nevojshme përgatitore që do të përfshijë fokusin në çështjet e shtetit ligjor.

Kategoria
Press releases
Location

Tiranë, Shqipëri

Editorial sections
Albania