THIS CONTENT HAS BEEN ARCHIVED

Lëvizja e njerëzve dhe mallrave ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës do të përmirësohet falë pikës së re të kalimit kufitar në Morinë

24.07.2018
Text

Krerët e Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe Kosovë, Romana Vlahutin dhe Nataliya Apostolova, së bashku me Zëvendës Kryeministren e Shqipërisë, Senida Mesi, dhe Zëvendës Kryeministrin e Kosovës Enver Hoxhaj, përuruan sot pikën e re të kalimit kufitar në Morinë midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Projekti prej një milion eurosh, i financuar nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, ofron infrastrukturë për kontrolle efikase kufitare në përputhje me kërkesat e BE-së, duke e vënë theksin veçanërisht te standardet e Schengen-it. Ai mbështet punën e policisë kufitare dhe të emigracionit, duke ndihmuar kështu në arritjen e një efikasiteti më të lartë dhe performance më të mirë.

“Sot nuk po përurojmë thjesht një godinë të re në pikën e kalimit kufitar, por po përforcojmë lidhjet midis popujve dhe po e ndihmojmë si Shqipërinë, ashtu edhe Kosovën të hedhin një hap përpara drejt standardeve të Bashkimit Evropian”, – u shpreh Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin.

Ambasadorja Apostolova tha se godinat e reja do të vihen në shërbim të njerëzve në të dyja anët e kufirit, si dhe do të ushqejnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, zhvillimin ekonomik dhe kontrollet efikase doganore dhe kufitare. Ajo nënvizoi edhe aspektin rajonal.

“Pika e kalimit kufitar dhe rruga, si të tilla, janë pjesë e bërthamës së një rrjeti rajonal, të quajtur Route 7, i cili lidh rajonin në shkallë të gjerë dhe është pjesë e investimeve të vazhdueshme në korridoret e transportit rrugor dhe porteve detare në Ballkanin Perëndimor, të financuara gjithashtu nga BE-ja”.

Zëvendës Kryeministrja e Shqipërisë Senida Mesi u shpreh se pika e re e kalimit kufitar shërben si garanci për një menaxhim më të mirë të kufirit midis Shqipërisë dhe Kosovës.

"Godina e re ka infrastrukturë moderne, në përputhje me kërkesat e BE-së dhe standardet Schengen. Menaxhimi i mirë i kufirit nuk shërben thjesht si garanci për shtetet tona përkatëse, rajonin dhe Bashkimin Evropian, por mbart edhe një rëndësi të veçantë dhe vjen si shpërblim i përpjekjeve tona për të hyrë në familjen e madhe evropiane" – tha Mesi.

Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, vërejti se vetëm gjatë 24 orëve të fundit, nga pika e kalimit kufitar në Morinë kanë kaluar mbi 30 mijë persona, çfarë tregon edhe vetë rëndësinë e saj. Falë mbështetjes së Bashkimit Evropian, qytetarëve dhe turistëve nga të dyja anët e kufirit do t’iu ofrohet shërbim më i mirë.

Pika e re e kalimit kufitar përballon pjesën më të madhe të ngarkesës së mallrave që hyjnë dhe dalin nga Kosova, si dhe pothuajse të gjithë ngarkesën që vjen në Shqipëri nga Verilindja.

Për ta bërë kontrollin e automjeteve sa më të shpejtë, pika e re kufitare në Morinë ka 12 pika kontrolli dhe një by-pass të ri për kamionët me një godinë të përshtatshme për linjën e dytë të kontrollit për automjetet e rënda.

Kategoria
Press releases
Location

Tiranë, Shqipëri

Editorial sections
Albania