Liberalizimi i vizave: Komisioni raporton mbi përmbushjen e kërkesave të regjimit pa viza nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Partneritetit Lindor
Komisioni Evropian - Deklaratë për shtyp
Komisioni raporton sot për vlerësimin tij mbi përmbushjen e standardeve të liberalizimit të vizave nga vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia, si dhe nga vendet e Partneritetit Lindor: Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina. Ky raport vjetor tregon se kërkesat për liberalizimin e vizave për vendet përkatëse vazhdojnë të përmbushen, por se kërkohet veprim - në disa raste i menjëhershëm - për një numër vendesh në fusha specifike për të siguruar që kjo të vazhdojë të jetë kështu.
Komisioneri për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë Dimitris Avramopulos tha: "Regjimi i udhëtimit pa viza me partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Lindore është një arritje e madhe që sjell përfitime për të dyja palët. Ai sjell gjithashtu përgjegjësi dhe detyrime. E përshëndes faktin që gjithë vendet e interesuara vazhdojnë t’i përmbushin detyrimet e tyre, por bëj thirrje për përpjekje të shpejta dhe të zgjeruara për të vazhduar frenimin e migracionit të parregullt, si dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar".
Regjimi i udhëtimit pa viza sjell përfitime të rëndësishme për Evropën dhe partnerët e saj, duke përforcuar lidhjet sociale, kulturore dhe ekonomike. Ai vjen gjithashtu me përgjegjësi për të siguruar që progresi i arritur gjatë dialogëve të liberalizimit të vizave të mbahet dhe që situata e migracionit dhe sigurisë të menaxhohet mirë. Raporti i sotëm ndjek rekomandimet e Komisionit të dhjetorit 2017 dhe vlerëson masat e zbatuara nga vendet përkatëse gjatë vitit të kaluar.
Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të frenuar migracionin e parregullt
Të 8 vendet kanë marrë masa për të adresuar migracionin e parregullt, megjithatë janë të nevojshme përpjekje të mëtejshme për të përmirësuar dhe siguruar rezultate të qëndrueshme:
- Migrimi i parregullt në BE nga Ukraina, Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina mbetet i lartë, ndërsa numri i aplikimeve të pabazuara për azil në BE nga shtetasit moldavë dhe gjeorgjianë është një burim shqetësimi;
- Shqipëria ka marrë masa efektive për të adresuar migracionin e parregullt, gjë që rezultoi me një ulje prej 32% të kërkesave për azil në gjysmën e parë të vitit 2018. Kjo punë tani duhet të vazhdojë dhe të përmirësohet më tej;
- Duhet të punohet më shumë për të siguruar përputhjen e plotë me politikën e vizave të BE-së. Serbia ndërpreu statusin pa viza për Iranin, por shqetësimet mbeten për vendet e tjera me qasje pa viza në Serbi;
- Bashkëpunimi për ripranimin dhe kthimin vazhdon normalisht për të gjitha vendet përkatëse. Sidoqoftë, ende ka vend për përmirësim, sidomos në lidhje me ripranimin e shtetasve të vendeve të treta, veçanërisht në Serbi.
Bashkëpunimi më i ngushtë i Rojave Evropiane Kufitare dhe Bregdetare me partnerët e Ballkanit Perëndimor do të ndihmojë për menaxhimin e migracionit të parregullt. Është nënshkruar marrëveshja e parë status me Shqipërinë; Serbia dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë kanë sigluar marrëveshjet e tyre; si dhe po finalizohen procedurat për Malin e Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinën.
Nevojitet më shumë veprim për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin
Me gjithë masat e marra për të luftuar krimin e organizuar, nevojiten përpjekje të mëtejshme të përforcuara nga të 8 vendet. Veprim i menjëhershëm në lidhje me korrupsionin kërkohet nga Moldavia dhe Ukraina:
- Grupet e krimit të organizuar nga 8 vendet janë aktive me një gamë të gjerë veprimtarish kriminale në BE, duke përfshirë trafikimin e mallrave të paligjshëm, krimin e pronës, pastrimin e parave, trafikimin e qenieve njerëzore, drogën, kontrabandimin e emigrantëve dhe krimin kibernetik;
- Ndërsa ka ndërmarrë disa veprime kundër pastrimit të parave, siç është identifikuar në Raportin e parë në dhjetor 2017, Moldavia duhet të ndërmarrë hapa të menjëhershëm në luftën kundër korrupsionit si një çështje urgjente;
- Nevojiten më shumë përpjekje nga Ukraina në luftën kundër korrupsionit për të siguruar zbatimin e plotë dhe qëndrueshmërinë e reformave të kaluara, si dhe për të adresuar rekomandimet e mbetura të bëra në dhjetor 2017.
Hapat e ardhshëm
Komisioni do të monitorojë përmbushjen e vazhdueshme të kërkesave për liberalizimin e vizave dhe do t'i raportojë Parlamentit Evropian dhe Këshillit të paktën një herë në vit.
Historiku
Raporti i sotëm pason detyrimin e Komisionit në kuadrin e mekanizmit të forcuar të pezullimit të vizave, i miratuar në mars 2017, për të monitoruar përmbushjen e vazhdueshme të kërkesave për liberalizimin e vizave nga vendet e treta, si dhe për t'i raportuar Parlamentit Evropian dhe Këshillit të paktën një herë në vit. Raporti i sotëm është i dyti në kuadrin e mekanizmit të ri të pezullimit të vizave, pas raportit të parë të nxjerrë në dhjetor 2017.
Vlerësimi i standardeve të liberalizimit të vizave zbatohet për vendet që kanë përfunduar me sukses dialogun e liberalizimit të vizave sipas planeve të veprimit dhe udhërrëfyesve përkatës, pra vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të Partneritetit Lindor. Raporti fokusohet në fushat ku nevojitet punë e mëtejshme për të arritur përparim të qëndrueshëm.
Qytetarët e Malit të Zi, Serbisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë mund të udhëtojnë në BE pa viza që nga dhjetori 2009. Për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës kjo është e mundur që nga fundi i vitit 2010. Për Moldavinë udhëtimi pa viza hyri në forcë në prill 2014, për Gjeorgjinë në mars 2017 dhe për Ukrainën në qershor 2017.
Për më shumë informacion
Raport mbi përmbushjen e kërkesave të regjimit pa viza: pyetje dhe përgjigje
Raporti i dytë në kuadrin e mekanizmit të pezullimit të vizave
Dokument pune i stafit të Komisionit që shoqëron Raportin e dytë në kuadrin e mekanizmit të pezullimit të Vizave
Persona kontakti për shtypin:
- Natasha BERTAUD (+32 2 296 74 56)
- Kasia KOLANKO (+ 32 2 296 34 44)
Pyetje nga publiku i gjerë: Europe Direct me telefon 00 800 67 89 10 11 ose me email