THIS CONTENT HAS BEEN ARCHIVED

Fjalimi i Ambasadorit Soreca në evenimentin "Fuqizimi i grave, progres për të gjithë", në Ditën Ndërkombëtare të Gruas 2019

08.03.2019
Text

I dashur Z. Hila,

Znj. Gjermeni,

Znj. Hajdari,

qytetarë të Vaut të Dejës, të dashur partnerë,

 

Faleminderit për mikpritjen tuaj të ngrohtë sot në këtë eveniment të veçantë.

Synimi i kremtimit të 8 marsit është fuqizimi i grave për të drejtat e tyre sociale, politike, fetare dhe kulturore. Dhe, njëkohësisht, bën gjithashtu thirrje për "Barazi Gjinore".

Ne kemi lindur të gjithë të barabartë dhe kemi lindur të gjithë me të njëjtat të drejta - "Të Drejtat e Njeriut" - të cilat janë në zemër të Bashkimit Evropian dhe në marrëdhëniet e tij me Shqipërinë.

Kjo ditë na kujton të gjitha kontributet, arritjet dhe sfidat e grave në shoqëri. Ajo festohet për të treguar respektin, kujdesin dhe vendin që u detyrohemi atyre në shoqëri.

Jam i lumtur të mësoj se Dita e Gruas në Shqipëri festohet edhe në shkolla dhe universitete së bashku me 7 Marsin (i njohur në Shqipëri si Dita e Mësuesit). Ajo është gjithashtu pjesë e programit mësimor, për të përhapur njohuritë dhe ndërgjegjësimin te brezi i ri mbi rëndësinë e fuqizimit të grave, pozitën e tyre në shoqëri, si dhe sfidat dhe arritjet e tyre.

Barazia gjinore është baza për një zhvillim të qëndrueshëm të drejtë dhe gjithëpërfshirës, ​​i cili nuk do të ndodhë nëse gjysma e popullsisë në Shqipëri mbetet prapa. Ofrimi i mundësive të barabarta grave dhe vajzave, si dhe qasje në arsim, kujdes shëndetësor, punë të denjë, përfaqësim në proceset vendimmarrëse politike dhe ekonomike do ta ushqejë ekonomi të qëndrueshme dhe do të jetë në dobi të të gjithë shoqërisë.

Gratë dhe vajzat po e sfidojnë sjelljen abuzive dhe qëndrimet diskriminuese me të cilat përballen. Ato po këmbëngulin për ndryshime të qëndrueshme. Kjo është ajo që duan gratë dhe vajzat.

Dhe kjo është ajo që duhet të dojë gjithashtu çdo burrë dhe djalë i ndjeshëm.

Pjesëmarrja e grave i bën shoqëritë më elastike dhe ekonomitë më të fuqishme. Por, ne ende duhet të thyejmë pengesat strukturore me të cilat përballen gratë dhe vajzat - puna e papaguar, paga e pabarabartë, stereotipat e dëmshëm, diskriminimi dhe dhuna. 

Ne të gjithë duhet jo vetëm të ngremë zërin dhe të tregojmë solidaritet me gratë dhe vajzat, të mbijetuara të dhunës, por edhe të intensifikojmë përpjekjet për të gjetur zgjidhje për parandalimin e fenomeneve të tilla me një ndikim të dëmshëm mbi jetën dhe shëndetin e grave dhe vajzave.

Komentet e turpshme, mosrespektimi i ambicieve dhe i intelektit, besimi se mund të bësh ç’të duash me një vajzë apo grua janë mizore dhe lëndojnë jo vetëm gratë, por mbarë shoqërinë.

Në shoqëritë tona djemve u mësohet të ndërmarrin rreziqe. Shumicës së vajzave u mësohet t’i shmangin rreziqet dhe dështimet, atyre u mësohet të buzëqeshin bukur, të luajnë të sigurta, të marrin notat më të mira në shkollë; nga ana tjetër djemve u mësohet të bëjnë lojë të ashpër, të ngjiten në majë të një mali dhe të hidhen, të jenë të parët në familje.

Mesazhi im për prindërit sot është: Mësojuni vajzave guximin dhe jo përsosmërinë.

Mësojuni djemve ndjeshmërinë, mësojuni djemve se një burrë i mirë, një burrë i vërtetë është ai që tregon kujdes dhe e do gruan, vajzën dhe motrën e tij.

Thyerja e stereotipave, thyerja e kulturës së heshtjes është hapi i parë për transformimin e kulturës së dhunës me bazë gjinore dhe fillimin e ndërtimit të një shoqërie të balancuar dhe të fuqizuar.

Unë përfitoj nga ky rast që t’i bëj thirrje çdo vajze dhe gruaje që të dalë hapur dhe të ngrejë zërin kundër dhunës, si dhe të bëjnë që historitë e tyre të dëgjohen.

Gjithashtu, dua t’u bëj thirrje djemve dhe burrave që të mbajnë qëndrim kundër dhunës në familje.

Më lejoni një mesazh të veçantë për të rinjtë.

Pavarësisht nëse vini nga Vau i Dejës, nga Lezha apo Shkodra, suksesi juaj do të përcaktohet nga vetëbesimi dhe guximi juaj. Ju mund të mos keni gjithmonë një jetë të rehatshme dhe jo gjithmonë do të jeni në gjendje të zgjidhni të gjitha problemet e botës menjëherë, por kurrë mos e nënvlerësoni rëndësinë që mund të keni, sepse shumë shembuj të mirë kanë treguar se guximi mund të jetë ngjitës dhe shpresa mund të marrë një jetë të vetën.

Ju jeni motori kryesor, ju jeni faktorët e ndryshimit në familjen dhe në komunitetin tuaj. Ju mund ta thyeni mentalitetin e dhunës, të nisni rindërtimin e shoqërisë, të zbatoni vlera evropiane drejt barazisë gjinore dhe të drejtave të njeriut.

Më lejoni ta përmbyll me një mesazh personal (nëse mendoni se është me rëndësi dhe gjë e mirë të ndash diçka personale).

Më është dhënë kjo mundësi që të jem këtu sot dhe jam jashtëzakonisht i gëzuar, pasi kjo është një mundësi për mua që të falënderoj të gjitha ato gra që gjithashtu kanë luajtur një rol të rëndësishëm në jetën time.

Unë ndoshta kurrë nuk ua uroj me gojë këtyre zonjave: “Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Grave”, por thellë në zemër i falënderoj ato çdo ditë që janë në jetën time dhe që i kanë dhënë asaj formën që ka sot.

Kategoria
Speeches of the Ambassador
Location

Vau i Dejës, Shqipëri

Editorial sections
Albania