Marrëdhëniet politike

Ishte vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që nënshkroi një Marrëveshje Stabilizim-Asociimi (MSA) me BE-në, e cila hyri në fuqi në muajin prill të vitit 2004. MSA-ja që atëherë ka qenë baza për liberalizimin progresiv të tregtisë dhe qasjen e ndërsjellë pa tatime për shumicën e mallrave.

Komiteti i Përbashkët Parlamentar u krijua në vitin 2004. Komiteti mblidhet çdo vit dhe shqyrton të gjitha aspektet e marrëdhënieve midis BE-së dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, veçanërisht zbatimin e MSA-së.

Vendit iu dha statusi kandidat për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2005. Qytetarëve të vendit iu dha e drejta e udhëtimit pa viza në zonën Shengen në dhjetor të vitit 2009.

Në mars 2020, Këshilli Europian miratoi vendimin për të hapur negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut. Pasi Këshilli miratoi Kornizën Negociuese, në përputhje me metodologjinë e rishikuar të zgjerimit, më 19 korrik të vitit 2022 BE filloi fazën e hapjes së negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut. Në dhjetor 2023, vendi përfundoi procesin e screening-ut.

Në vitin 2023, BE-ja miratoi Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor për të nxitur konvergjencën socio-ekonomike të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera në rajon përmes integrimit gradual në Tregun e Përbashkët të BE-së, integrimit rajonal brenda Tregut të Përbashkët Rajonal dhe përshpejtimit të reformave themelore.

Bashkëpunimi në politikën e jashtme dhe të sigurisë

Në nëntor 2024, Maqedonia e Veriut dhe BE-ja nënshkruan Partneritetin për Siguri dhe Mbrojtje - një platformë për dialog dhe bashkëpunim të zgjeruar mbi çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes në një mjedis global gjithnjë e më të ndërlikuar.

Vendi vazhdon të  harmonizojë politikën e vet në përputhshmëri të plotë me qëndrimet dhe deklaratat e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të BE-së.

Për më tepër, Maqedonia e Veriut vazhdon të marrë pjesë aktive në misionet dhe operacionet e BE-së për menaxhimin e krizave në kuadër të Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Në vitin 2025, vendi mori 15 milionë euro përmes masës së tretë të ndihmës dypalëshe për të forcuar aftësitë mbrojtëse në kuadër të Mekanizmit Europian të Paqes (EPF), duke e çuar mbështetjen totale të EPF-së në 38 milionë euro. Task Forca Mjekësore e Ballkanit, në të cilën merr pjesë Maqedonia e Veriut, përfiton nga një mbështetje prej 6 milionë eurosh për vitin 2022 në kuadër të Mekanizmit Europian të Paqes.

BE-ja ofron mbështetje në përballimin e kërcënimeve hibride, duke përfshirë manipulimin dhe ndërhyrjen e informacionit kibernetik dhe të huaj.

Marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare

MSA-të krijuan një zonë të tregtisë së lirë dhe eliminuan detyrimet dhe kufizimet jo-tarifore në tregtinë dypalëshe. Vetëm me disa përjashtime, që kanë të bëjnë me disa produkte bujqësore dhe të peshkimit, nuk janë liberalizuar plotësisht dhe i nënshtrohen detyrimeve të reduktuara dhe/ose koncesioneve sasiore preferenciale. BE-ja është partneri kryesor tregtar i Maqedonisë së Veriut, duke përbërë 77% të eksporteve të vendit dhe 49% të importeve të tij. Gjermania është partneri më i madh tregtar (duke përbërë 37% të totalit të eksporteve), e ndjekur nga Britania e Madhe, Greqia, Kina dhe Serbia.

Eksportet nga vendi përqendrohen rreth disa produkteve, më të rëndësishmet janë katalizatorët me metal të çmuar, setet e instalimeve elektrike të ndezjes për automjete dhe sediljet e makinave.

Produktet kryesore të importit janë nafta bruto, metalet dhe legurat e grupit të platinës dhe energjia elektrike.

Shtetet Anëtare të BE-së janë investitori më i madh në vend, duke përbërë dy të tretat e totalit të investimeve të huaja direkte.

 

Mbështetje për biznesin

Disa nga programet dhe iniciativat kryesore të BE-së për të mbështetur rritjen e bizneseve dhe ekonominë në përgjithësi janë të hapura për kompanitë me seli në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë:

Horizon Europe 2021-2027  (programi kryesor i financimit të BE-së për kërkimin dhe inovacionin me një buxhet prej 95.5 miliardë eurosh).

Access2Markets(portal për eksportin dhe importin e BE-së, duke ofruar të gjitha tarifat, procedurat dhe formalitetet doganore, kërkesat e produkteve për tregun e BE-së).

Rritni biznesin tuaj (shërbime këshillimore të subvencionuara për kompanitë).

Rrjeti Enterprise Europe (informacion dhe këshilla për kompanitë mbi çështjet e BE-së).

INNOFEIT EDIH është një platformë kryesore për transformimin dixhital, inovacionin dhe zhvillimin teknologjik në Maqedoninë e Veriut. Ai ofron mbështetje për kompanitë për të rritur konkurrueshmërinë e tyre përmes përdorimit të teknologjive të përparuara dixhitale.

Instituti Europian i Inovacionit dhe Teknologjisë (EIT) është një organ i BE-së i krijuar për të forcuar aftësinë e Europës për të inovuar. Ai ofron një gamë të gjerë iniciativash inovative dhe sipërmarrëse në të gjithë kontinentin.

Dialogu i shoqërisë civile

Organizatat e shoqërisë civile mbështesin autoritetet e Maqedonisë së Veriut në zbatimin e reformave strukturore në rrugën e aderimit. Ata mobilizojnë qytetarët, shprehin shqetësimet e njerëzve, kanalizojnë energjinë e komuniteteve në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm 

BE-ja dëgjon shoqërinë civile, punon me shoqërinë civile dhe mbron rolin e shtuar të organizatave të shoqërisë civile në dialogun e politikave të bazuara në sektorë, në vend.  

BE gjithashtu siguron ndihmë financiare për projekte të shoqërisë civile nëpërmjet Instrumentit për Para-Anëtarësim (IPA). BE krijoi Instrumentin për Shoqërinë Civile në 2008 për të mbështetur zhvillimin e shoqërisë civile në Evropën Juglindore dhe për t'i ndihmuar ata të: 

  • Luajnë rol aktiv në dialogun mbi politikat dhe të mbështesë procesin e aderimit në nivel të komunitetit.
  • Mobilizojë qytetarët dhe komunitetet në gjetjen e zgjidhjeve lokale dhe në drejtimin e nismave të gjithë-përfshirjes sociale.
  • Angazhohet në promovimin e të drejtave njerëzore, sociale dhe mjedisore.
  • Të jetë vëzhgues efektiv në monitorimin e reformave strukturore të drejtuara nga qeveria.
  • Zhvillojnë projekte dhe rrjete ndërkufitare. 

Në periudhën 2014-2020, BE siguroi 24.3 milionë EUR për projekte të organizatave të shoqërisë civile në Maqedoninë e Veriut.  

Ndihma e BE-së

Republika e Maqedonisë së Veriut dëshiron të bëhet anëtare e BE-së. Për ta ndihmuar në arritjen e këtij qëllimi, BE-ja ofron mbështetje të vazhdueshme dhe ndihmë financiare nëpërmjet projekteve në mënyrë që vendi të mund të ndërmarrë çdo reformë të nevojshme. 

Instrumenti për Para-aderim (IPA) është instrumenti kryesor financiar i BE-së për të mbështetur reformat strukturore në Maqedoninë e Veriut dhe rrugën  e vendit për aderim në BE. Që nga viti 2007, BE-ja ka investuar 1.6 miliardë euro, përmes zarfit kombëtar IPA, në pesë fusha kryesore:

1. Sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore. 

2. Demokracia dhe qeverisja e mirë.

3. Mbrojtja e mjedisit dhe lidhshmëria e qëndrueshme.

4. Rritja ekonomike dhe kapitali njerëzor.

5. Bujqësia dhe zhvillimi rural. 

Vendi përfiton gjithashtu nga IPA Programi me Shumë-Përfitues, i cili ndau ndihmën e BE-së prej 3.24 miliardë euro për periudhën 2014-2022 për të mbështetur projekte me ndikim rajonal për Ballkanin Perëndimor. 

Që nga viti 2008, Instrumenti i Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor (WBIF) ka mbështetur investime të vlerësuara prej 3.8 miliardë eurosh në sektorin publik të Maqedonisë së Veriut. Deri më sot, vendi ka marrë 502.1 milionë euro në grante, që përfshin si asistencën teknike me 34.6 milionë euro ashtu edhe grante investimi në shumën prej 467.5 milionë eurosh. Vendi përfitoi nga dhjetë (10) investime kryesore të EIP në vitet 2021-2024, duke kanalizuar një shumë të konsiderueshme prej 973 milionë eurosh drejt investimeve në transport të qëndrueshëm, energji të pastër, trajtim të ujërave të zeza dhe menaxhim të mbeturinave. WBIF kontribuoi me 300.5 milionë euro në grante për këto investime, nga të cilat 296.7 milionë euro ishin financim nga IPA e BE-së dhe 3.8 milionë euro ishin financim nga Donatorët Bilateralë.

Përveç kësaj, Instrumenti Europian për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut (EIDHR) ka dhënë 10 milionë euro për projekte që përmirësojnë demokracinë dhe të drejtat e njeriut në periudhën 2007-2024.

Shkëmbimi i Asistencës Teknike dhe Informacionit (TAIEX) 

BE-ja gjithashtu ofron mbështetje përmes Instrumentit TAIEX i cili i ndihmon vendet partnere të njihen, të aplikojnë dhe të zbatojnë ligjet e BE-së. 

TAIEX financon asistencë, këshillim dhe trajnim afatshkurtër teknik. 

Asistenca e TAIEX është e hapur për: 

  • Punonjësit e administratës.
  • Autoritetet e gjyqësorit dhe të zbatimit të ligjit.
  • Organet parlamentare/legjislative dhe personelin e tyre.
  • Shoqatat profesionale/tregtare, grupet e punonjësve dhe punëdhënësve.
  • Përkthyesit dhe redaktorët e teksteve legjislative. 

Gjithashtu, Instrumenti TAIEX për Administratën Lokale (LAF) mbështet seminaret mbi politikat kyçe të BE-së të cilat tani kanë ndikim në nivel lokal për anëtarët e zgjedhur dhe zyrtarët e përhershëm të autoriteteve vendore dhe rajonale. 

Plani i Rritjes

Që nga viti 2023, BE-ja ka zbatuar Planin e Rritjes për të përshpejtuar zhvillimin socio-ekonomik të partnerëve të Ballkanit Perëndimor dhe integrimin në BE. Në një hap të rëndësishëm drejt integrimit të saj gradual në tregun e vetëm të BE-së sipas Planit, Maqedonia e Veriut iu bashkua Zonës së Përbashkët të Pagesave në Euro (SEPA) në mars të vitit 2025. Gjatë vitit 2025, në Maqedoninë e Veriut u hap Qendra Europiane e Inovacionit Dixhital, e cila do të mbështesë transformimin dixhital të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe sektorit publik.

Si pjesë e Planit të Rritjes, Maqedonia e Veriut përgatiti Axhendën e Reformës që përqëndrohet në reformat për të zhbllokuar potencialin kombëtar dhe rajonal të rritjes dhe që lidhet me vlerat themelore të procesit të zgjerimit, duke përfshirë sundimin e ligjit, demokracinë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. Axhenda e Reformës trajton çështje kritike dhe përcakton objektiva të qarta ku duhet të bëhet përparim në të gjitha fushat kryesore të politikave. Zbatimi me sukses i këtyre reformave do të përmirësojë ndjeshëm menaxhimin e financave publike dhe administratën publike (p.sh. sigurimi i transparencës, optimizimi i ndarjes strategjike të burimeve publike dhe mbështetja e qeverisjes së mirë në të gjitha nivelet), transformimin dixhital dhe tranzicionin e gjelbër (p.sh. dixhitalizimi i shërbimeve publike, siguria kibernetike, integrimi në tregun e energjisë elektrike, dekarbonizimi) dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor (p.sh. forcimi i sistemit arsimor), mjedisin e biznesit (ekonomia joformale, zgjerimi i përdorimit të shërbimeve publike elektronike të doganave elektronike), demokracinë (reforma e procesit zgjedhor), integritetin gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (p.sh. rritja e dënimeve për korrupsionin dhe abuzimin me detyrat zyrtare).

Fondi për Reforma dhe Rritje prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor ofron mbështetje kyçe për zbatimin e Planit të Rritjes. Komisioni miratoi Axhendën e Reformës së Maqedonisë së Veriut në tetor të vitit 2024, që përfaqëson 750.4 milionë euro në grante të pakthyeshme dhe kredi të favorshme. Pas përparimit në zbatimin e reformave, u lëshuan 76.37 milionë euro, nga të cilat 35.53 milionë euro janë lëshuar direkt në thesarin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe 18.92 milionë euro janë kanalizuar në Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) për të mbështetur projektet e infrastrukturës.

Europe House

Europe House (ish Info - Qendra e BE-së) u hap nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Zyra e parë e Europe House u hap në Shkup më 4 Nëntor të vitit 2018 si një hapësirë ku të rinjtë mund të takohen, shoqërohen dhe të rrjetëzohen duke nxitur kështu inovacionin, debatin, bashkëpunimin, dhe mendimin kritik – duke promovuar vlerat e BE-së. Në vitin 2021, zyra të tjera të Europe House u hapën në Kriva Pallankë dhe Strumicë, pastaj në Manastir dhe Veles në vitin 2023 si dhe në Strugë dhe Tetovë në vitin 2024, duke u mundësuar kështu sipërmarrësve të rinj, inovatorëve dhe njerëzve kreativë të takohen dhe të dalin me ide të reja në komunat e tyre.

Kontaktet 

https://europehouse.mk/

euinfo@euhouse.mk

 

EH