Rreth Ambasadores
EU Delegation to Albania
Deri në vitin 2014 ka qenë këshilltare e lartë e Zëvendëssekretarit të Përgjithshëm të BE-së dhe anëtare e Bordit Drejtues të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm, përgjegjëse për dialogun politik dhe negociatat me vendet e treta. Sofia Moreira de Sousa ka punuar, gjithashtu, për përgatitjen e gjithë takimeve të Këshillit të Punëve të Jashtme dhe udhëzimeve politike për misionet e BE-së në mbarë botën gjatë periudhës së parë të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm.
Nga viti 2009 deri në vitin 2011, ka shërbyer si këshilltare politike pranë Delegacionit të BE-së në Bashkimin Afrikan në Adis Abeba, Etiopi, ku ka ndjekur nga afër integrimin rajonal afrikan dhe zbatimin e partneritetit strategjik BE-Afrikë, duke kontribuuar për formësimin e tij në vitin 2007, ndërsa ishte caktuar pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Portugalisë, në Lisbonë, gjatë Presidencës Portugeze të Bashkimit Evropian, e cila u shënua nga nënshkrimi i traktatit të Lisbonës.
Përpara kësaj, nga viti 2005 deri në vitin 2006, ka qenë këshilltare e lartë e Përfaqësuesit Special të BE-së për Kaukazin, duke udhëtuar gjerësisht në rajon. Nga viti 2003 deri në vitin 2007, ka punuar në ekipin e ngushtë të Përfaqësuesit të Lartë për Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë për marrëdhëniet e BE-së me Rusinë dhe Ukrainën, duke qenë pjesë e ekipit të BE-së të përfshirë në lehtësimin e procesit të ndërmjetësimit gjatë Revolucionit Portokalli në Ukrainë në vitin 2004.
Më herët në karrierën e saj, ka punuar në departamentin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Agjencisë Hapësinore Evropiane, ku është marrë me arkitekturën e sigurisë së sistemit të navigimit satelitor Galileo.
Gjatë periudhës në Akademinë Evropiane të Drejtësisë në Trier, deri në vitin 2001, ka qenë përgjegjëse për programet e trajnimit të gjyqtarëve dhe magjistratëve në fushën e së drejtës dhe jurisprudencës evropiane. Përpara kësaj, ka punuar për dy vjet në një studio ligjore në qytetin e lindjes, Porto, Portugali.
Sofia Moreira de Sousa ka studiuar për drejtësi në Portugali dhe zotëron një diplomë LLM në të Drejtën Ndërkombëtare dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare nga Universiteti i Hamburgut, Gjermani.