Horizontet e Gjelbra dhe Laboratori për Inovacion të Gjelbër: avancojmë një të nesërme më të gjelbër

Thelbi i projektit janë rinia dhe komunitetet lokale si drejtues të zhvillimit lokal të fokusuar në ekonominë qarkore përmes reduktimit, ripërdorimit dhe riciklimit, si dhe për avancimin e tranzicionit të gjelbër në qytetet pjesëmarrëse.
Duke zhvilluar kapacitetet e tyre, duke rritur vetëdijesimin dhe duke promovuar bashkëpunimin me hartuesit lokalë të politikave, projekti Horizontet e Gjelbra synon të përfshijë të rinjtë e të rejat dhe akterët e shoqërisë civile në mbrojtjen e mjedisit dhe nxitjen e sjelljeve më miqësore me klimën.
Edhe pse është ende në fazat e veta të hershme, një nga komponentët më inovativë të projektit është Laboratori për Inovacion të Gjelbër.
Aktualisht në fazën e konceptualizimit dhe zhvillimit, duke përqafuar konceptin e një ‘ekosistemi mundësues’ Laboratori për Inovacion të Gjelbër do të themelohet në kuadër të Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren. Ai do të shërbejë si qendër praktike dhe e orientuar drejt hulumtimit, ku studentët, të rinjtë e të rejat dhe komuniteti mund të fitojnë shkathtësi praktike, të kryejnë studime dhe të dizajnojnë zgjidhje inovative për tranzicionin e gjelbër dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajonin e Prizrenit dhe më gjerë. Përmes kësaj iniciative, Universiteti i Prizrenit, CARE International Kosova dhe EC Ma Ndryshe synojnë ta forcojnë rolin e Universitetit si qendër kryesuese për inovacion dhe hulumtim mjedisor në Kosovë.

EU in Kosovo
Duke u mbështetur në këto themele, Laboratori për Inovacion të Gjelbër do të ngrihet mbi veprime konkrete që e kthejnë në realitet vizionin e vet në lidhje me:
– Përgatitjen e studentëve/ve dhe të rinjve e të rejave me shkathtësi të avancuara për praktikat mjedisore dhe ndërmarrësinë e gjelbër;
– Nxitjen e bashkëpunimit mes botës akademike, komunitetit dhe akterëve lokalë për zgjidhje inovative;
– Promovimin e vetëdijesimit mjedisor dhe praktikave të qëndrueshme që kontribuojnë në hartimin e politikave dhe veprime konkrete për mbrojtjen e mjedisit.
“Mbështetja e BE-së është esenciale për themelimin e Laboratorit për Inovacion të Gjelbër. BE-ja e ka mbështetur iniciativën jo vetëm financiarisht, por edhe duke lehtësuar bartjen e njohurive. Përmes financimit dhe udhëzimeve të BE-së, projekti mund të kryejë aktivitete që promovojnë ekonominë qarkore, tranzicionin e gjelbër dhe avokimin për zhvillim të qëndrueshëm të komunitetit”, u shpreh Merita Bytyqi-Kelmendi, menaxhere e projektit nga CARE International Kosova.

EU in Kosovo
Duke fuqizuar inovatorët e rinj dhe duke inkurajuar veprime të qëndrueshme lokale, Laboratori për Inovacion të Gjelbër jo vetëm që do t’u sjellë përfitime studentëve dhe stafit akademik të Universitetit të Prizrenit, por do të shërbejë edhe si themel për kultivimin e një të ardhmeje më të gjelbër në Kosovë.