Komisioni Europian dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut mbajtën takimin vjetor të Komitetit të Monitorimit për Instrumentin e Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA) më 8 mars 2023. Ky Komitet i Monitorimit IPA është i pari që zhvillohet në kuadër të IPA III. Takimi u drejtua nga z. Bojan Mariçiq, Zëvendëskryeministër për Çështjet Europiane dhe Koordinator Kombëtar i IPA-s, për Maqedoninë e Veriut dhe nga znj. Michela Matuella, ushtruese e detyrës Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor, për Komisionin Europian.
Komisioni Europian dhe Maqedonia e Veriut shqyrtuan përparimin e përgjithshëm në ndihmën vijuese financiare të BE-së në të gjithë sektorët, përfshirë demokracinë, sundimin e ligjit, mjedisin, ndryshimet klimatike, arsimin, konkurrencën, punësimin, shëndetësinë dhe transportin. Ata diskutuan gjithashtu se si të sigurojnë kapacitetin e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut për t'i menaxhuar fondet e BE-së, përfshirë zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve për të maksimizuar përfitimet për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
Komisioni Europian përsëriti mbështetjen e tij të plotë për Maqedoninë e Veriut në adresimin e pasojave të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. BE-ja mobilizoi një Pako për Mbështetje në fushën e Energjisë prej 1 miliard eurosh për Ballkanin Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut, për të mbrojtur grupet më të rrezikuara nga kriza energjetike dhe për të rritur investimet shumë të nevojshme në diversifikimin e energjisë. Komisioni Europian gjithashtu ka propozuar deri në 100 milionë euro ndihmë makro-financiare për të mbështetur ekonominë e vendit.
Komisioni Europian zotohet ta shoqërojë Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt aderimit në BE.