Evropianet që bëjnë ndryshim dhe na frymëzojnë të gjithë neve

Gjatë vizitave të mia të paradokohshme në Ballkanin Perëndimor, kisha mundësinë të takohem me njerëz të jashtëzakonshëm dhe frymëzues nga të gjitha sferat e jetës. Zakonisht fokusi i takimeve të mia janë udhëheqësit politik. Por, këtë herë dua t’i vë në pah takimet që i kisha me njerëzit nga ky rajon: aktivistë të rinj që duan ajër të pastër dhe rajon më të gjelbër; gra me entuziazmin për ta arritur ardhmërinë tonë të përbashkët evropiane dhe që luftojnë për rol më të madh në zgjidhje të konflikteve. Shpresoj që të gjithë këta njerëz me ide të mëdha, ekspertizë, talent dhe vendosmëri do të luajnë rol domethënës në avancimin e procesit të aderimit të rajonit në BE. Ata patjetër që duhet ta kenë këtë rol, nëse ky proces duhet të ketë sukses.

 

Politikat tona shpesh tingëllojnë si të ndërlikuara, por në thelb ato nuk janë të tilla. Aderimi në BE do të thotë “të ndërtosh BE-në në shtëpi”: në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Malin e Zi, Serbi, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Suksesi i partnerëve tanë nga Ballkani Perëndimor në “ndërtimin e BE-së në shtëpi” nuk varet vetëm nga puna e qeverive dhe institucioneve të BE-së. Përderisa kjo është thelbësore, suksesi i vërtetë varet nga angazhimi i njerëzve në këto shoqëri, nga veprimet e tyre, në formësimin e shoqërisë në të cilën ata dhe fëmijët e tyre mund të prosperojnë.

Në këtë kuptim, jam shumë krenar për fushatën tonë të paradokohshme të dedikuar njerëzve të Ballkanit Perëndimor, e quajtur Evropianët që bëjnë ndryshimin.

Kjo fushatë e bën pikërisht këtë:  iu jep njerëzve platformë – në këtë rast grave të Ballkanit Perëndimor – të cilat lëvizin kufij, frymëzojnë dhe iu hapin dyert të tjerëve.

Në punën tonë, neve hasim “Evropianet që bëjnë ndryshim“ çdo ditë. Me këtë fushatë, duam t’i vemi në pah historitë e tyre, jo vetëm sepse janë histori të mira, histori të mirëfillta njerëzore por sepse historitë e tyre gjithashtu nuk janë të njohura sa duhet në vendet-anëtare të BE-së dhe nuk janë të dukshme sa duhet as në Ballkanin Perëndimor.

Nëse fama është e rëndësishme në epokën e mediave sociale, nëse fama është fuqi – dhe ekspertët thonë se është – atëherë ne duam që shkencëtarët të bëhen të famshëm dhe me ndikim. Duam të bëhen të famshëm njerëz, që luftojnë për shoqëri të barabarta si dhe njerëz që përkrahin sipërmarrësinë dhe iu mundësojnë njerëzve të përparojnë. Duam kampionë, të cilët ndiejnë obligim të shpaguhen për famën dhe artistë të jashtëzakonshëm të cilët përkrahin atë çka është e drejtë – të gjithë në ndërtimin e shoqërive në të cilat nuk do ketë kufizime për askënd.

Dhe kur flasim për kufizime, nuk ka diçka të tillë për gratë e reja dhe të vendosura siç është Mrika nga Kosova, e cila vendosi të ngjitet në shtatë majat, shtatë majat më të larta malore në çdo kontinent, para moshës tetëmbëdhjetë vjeçare dhe ia doli!

E kam thënë shumë herë dhe do ta përsëris prapë: BE-ja nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor. Për ta plotësuar BE-në, për ta bërë më të fortë dhe më prosperuese, na duhen njerëz si protagonistet e fushatës sonë, Sellma Prodanoviç nga Bosnja dhe Hercegovina, Natasha Kovaçeviç nga Serbia, Tamara Todevska nga Maqedonia e Veriut, Detina dhe Argita Zalli nga Shqipëria, Mrika Nikçi nga Kosova, Maja Raiçeviç nga Mali i Zi.

Të gjithë jemi shumë të vetëdijshëm për sfidat në Ballkanin Perëndimor dhe transformimet që duhet të ndodhin për ‘ta ndërtuar BE-në në shtëpi.’ Njerëzit që janë të përfshirë në fushatën tonë janë të patjetërsueshëm në këto transformime dhe për t’i frymëzuar të tjerët për të marë pjesë. Dituria dhe kontributi i tyre janë të nevojshëm për ‘ta ndërtuar BE-në’ në Ballkanin Perëndimor.

Historitë e tyre ma përkujtojnë pse rrugëtimi i Ballkanit Perëndimor drejt BE-së është aq i rëndësishëm për të gjithë ne në Evropë. Procesi ka të bëjë me njerëzit dhe është për njerëzit.

Dhe ky proces patjetër që duhet të ketë sukses – për të mirën e të gjithë njerëzve në Evropë.

HR/VP box
HR/VP Josep Borrell cartoon

“A Window on the World” – by HR/VP Josep Borrell

Blog by Josep Borrell on his activities and European foreign policy. You can also find here interviews, op-eds, selected speeches and videos.