BE-ja shton asistencën për emergjenca për njerëzit në nevojë në Shqipëri
Në përgjigje të reshjeve të mëdha që kanë prekur territorin e Shqipërisë që nga 30 nëntori, Komisioni Evropian siguron 190,000 € në fonde emergjence për të ndihmuar popullsinë më të prekur. Kjo mbështetje financiare vjen si shtesë e mbështetjes së madhe të BE-së, tashmë të siguruar përmes mekanizmit për Mbrojtjen Civile të BE-së.
"BE-ja është në solidaritet të plotë me popullin dhe autoritetet shqiptare. Gjatë javëve të fundit kemi siguruar mbështetje materiale përmes Mekanizmit tonë të Mbrojtjes Civile të BE-së. Tani po ndihmojmë financiarisht për të ndihmuar më tej të prekurit, për të ndihmuar në sigurimin e qasjes në shërbimet shëndetësore dhe barnat e nevojshme. Fondet gjithashtu do të ndihmojnë për shtimin e reagimit në fushat e asistencës ushqimore, ujit dhe kanalizimeve, si dhe strehimit. Mendimet tona vazhdojnë të jenë me të gjithë ata që janë prekur, si dhe me ata që kanë reaguar të parët në nivel vendor", tha Komisioneri për Ndihmë Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave Christos Stylianides.
Të dhëna
Është vlerësuar se 21,000 persona kanë nevojë për ndihmë. Në jug të Shqipërisë janë prekur veçanërisht 8,000 persona.
Këtë muaj, Shqipëria përjetoi reshje të skajshme dhe të forta me shumë lumenj që shpërthyen ledhet e tyre dhe shkaktuan përmbytje në rajonet jugore të vendit. Si rezultat, lumenjtë e tejmbushur dëmtuan infrastrukturën rrugore, si dhe pronën private dhe publike. Ndihma u sigurua nëpërmjet Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, ku disa vende evropiane kanë siguruar pompa dhe tuba uji, jelekë shpëtimi, gjeneratorë rryme, mushama shiu dhe çizme uji, batanije dhe pajisje pastrimi. Dorëzimi i këtyre artikujve është koordinuar përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së dhe në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet shqiptare.
Kontakte :
Carlos MARTIN RUIZ DE GORDEJUELA
(+32 2 296 53 22)
Daniel PUGLISI
(+32 2 296 91 40)