Interviste e Perfaqesueses se Larte te BE-se per Politike te Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini
Mogerini për AIM: Marrëveshja e Prespës është mundësi unike, mund të mos përsëritet
Marrëveshja e Prespës është rast unik për pajtim dhe për të mbyllur e kontestin e dy dekadave ndërmjet Shkupit dhe Athinës dhe ky rast mund të mos përsëritet më, është porosia e Përfaqësueses së Lartë për Politikë të jashtme dhe mbrojtje të Bashkimit Evropian, Federika Mogerini në intervistë për AMI.
Nesër do të kuptohet a ekziston shumicë e nevojshme në Kuvendin e Maqedonisë për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës. Cila është porosia juaj në këtë çast?
- Kisha privilegjin të marrë pjesë në nënshkrimin e Marrëveshjes ndërmjet Kryeministrave Aleksis Cipras dhe Zoran Zaev në qershor rreth Liqenit të Prespës. Të dy anët kanë demonstruar trimëri politike, lidership, përgjegjësi dhe kanë punuar pa lodhje për t’i tejkaluar dallimet dhe problemet e vjetra dhe të arrijnë këtë marrëveshje historike të cilën e gjithë Evropa e ka përshëndetur.
Tani ka procedura nacionale për zbatimin e marrëveshjes që zhvillohen në të dy anët dhe kjo duhet të mbrohet dhe respektohet. Kam kuptim për emocionet dhe sfondin e ndërlikuar historik të kontestit, si dhe shqetësimet e shprehura. Kontesti nuk ka ekzistuar aq kohë të gjatë pa një arsye, megjithatë, siç e kemi parë në të kaluarën, sa më shumë kohë të kalojë, aq është më e vështirë të gjenden zgjidhje. Procesi negociatave me siguri ka qenë i dhimbshëm dhe rezultati është kompromis. Por, është kompromis me të cilin në mënyrë të suksesshme plotësohen interesat kryesore të të dy palëve. Pozita jonë është e qartë: BE e mbështetë plotësisht marrëveshjen e arritur. Kjo është mundësi unike për pajtim në Ballkanin Perëndimor e cila ndoshta nuk do të përsëritet. Shpresoj se të gjitha palët do ta kapin momentin dhe se do të sigurojnë ardhmëri për vendin në BE, ardhmëri për të cilën gjithë popullata me vite shpreson të bëhet realitet.
A nënkupton rezultati pozitiv, përshpejtim të procesit të zgjerimit?
- Pajtimi, bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore kanë rol kritik në angazhimin tonë në Ballkanin Perëndimor dhe është parimi thelbësor i procesit të zgjerimit, ashtu që zgjidhja e një kontesti aq të vështirë është me rëndësi shumë të madhe për rajonin dhe shans për përparim në rrugën drejt BE-së. Nëse ky moment shfrytëzohet me mençuri për përparim në reformat e nevojshme, atëherë neve na pret proces i rëndësishëm. Vendet anëtare kanë hapur rrugën për fillim të negociatave në qershor vitin e ardhshëm, në bazë të kushteve të qarta. Kjo është pjesë e angazhimit tonë të intensifikuar në rajon, që është në interes të të gjithëve edhe për vendet anëtare edhe për rajonin.
Nëse Marrëveshja kalon, a do të sjell më tepër stabilitet në rajonin?
Marrëveshja e arritur historike mund të kontribuojë për transformimin e tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kultivimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore na ndihmon të punojmë së bashku për t’u ballafaquar me sfidat dhe rrethanat e shumta që i kemi të përbashkëta, duke përfshirë fushat si emigracioni. Kriza me refugjatët tregoi se luftërat që nisin larg Brukselit ose Shkupit, më herë apo më vonë, mund të kenë impakt në Evropë. Ballkani Perëndimor është në zemrën e Evropës, në jemi të varur në mënyrë të ndërsjellë. Besoj që së bashku mund të arrijmë shumë për prosperitetin, sigurinë dhe stabilitetin e popujve tanë.