Fjalimi i Ambasadorit Luigi Soreca në Këshillin Kombëtar për Integrimin Evropian

09.06.2020

I dashur President, Kryeministër, z. Kryetar, e dashur Kryetare e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, të dashur anëtarë të gjyqësorit, të dashur anëtarë të komunitetit të medieve, akademikë dhe shoqërisë civile,

Zgjerimet e mëparshme të Bashkimit Evropian na kanë treguar se negociatat e suksesshme të anëtarësimit bazohen gjithmonë në një konsensus kombëtar të gjerë dhe gjithëpërfshirës.

Ndërsa qeveria ka një përgjegjësi parësore dhe thelbësore për të udhëhequr procesin e anëtarësimit, natyra multidisiplinare e detyrave që duhet të përmbushen gjatë negociatave kërkon një përpjekje të të gjithë shoqërisë që sheh bashkëpunimin efektiv të të gjithë palëve të interesuara rreth një objektivi të përbashkët.

Kjo është arsyeja pse dëshiroj të përgëzoj mbledhjen e sotme të institucioneve politike të Shqipërisë për të diskutuar atë çka Shqipëria si e tërë është thirrur të ndërmarrë si hapa të ardhshëm në procesin e anëtarësimit pas ditës historike të 25 marsit 2020.

Këshilli Kombëtar, me larminë e anëtarëve të tij, është vendi i natyrshëm për një diskutim të tillë dhe do të ketë një rol të rëndësishëm për të luajtur në vitet e ardhshme.

Fryma që duhet të na udhëheqë të gjithëve është ajo që përfundimisht çoi në një marrëveshje për reformën zgjedhore pas shumë vitesh diskutimesh dhe përpjekjesh të dështuara. Sërish, unë do të doja të përgëzoja të gjitha palët që u bashkuan për këtë reformë thelbësore. Kjo dëshmon se ekziston një rrugë për bashkëpunim dhe konsensus në politikën shqiptare.

Ne, nga ana e Bashkimit Evropian, jemi gati. Komisioni Evropian së shpejti do të prezantojë kuadrin e negociatave, e cila më pas do të diskutohet me shtetet anëtare deri në miratimin e saj nga Këshilli. Pasi të miratohet, kuadri i negociatave do të përbëjë rregullat e reja të lojës për marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Periudha e fundit është tashmë përpara Shqipërisë, përpara jush. Shtetet anëtare i kanë kërkuar Shqipërisë që të ndërmarrë masat përfundimtare përpara se të mblidhet konferenca e parë ndërqeveritare.

Është thelbësore që vendi të ruajë një frymë bashkëpunimi dhe t'i realizojë këto masa në një mënyrë të koordinuar dhe gjithëpërfshirëse. Plani i Veprimit që është prezantuar sot shkon në këtë drejtim. Elementet e Planit të Veprimit kanë nivele të ndryshme kushtëzimi, por është thelbësore që ato të adresohen paralelisht, pa humbur kohë dhe me një vullnet të barabartë politik. Puna duhet të vazhdojë paralelisht me të gjithë ata elementë.

Prandaj, ne e mirëpresim këtë Plan, presim me padurim diskutimin gjithëpërfshirës sot dhe do të vazhdojmë ta mbështesim Shqipërinë në zbatimin e tij, për të gjithë elementët e tij.

Një negociatë e suksesshme ka nevojë, natyrisht, për një ekip negociues të efektshëm dhe të aftë. Me emërimin e ekipit negociues shqiptar javën e kaluar, Shqipëria po përgatitet për këto negociata të rëndësishme. Ne presim me padurim të punojmë me ekipin e z. Mazi për këtë qëllim.

Bisedimet kërkojnë shumë punë, disiplinë dhe aftësi të fortë teknike nga gjithë nivelet e administratës, në nivel qendror dhe vendor. 70% e acquis të BE-së do të duhet të zbatohet në nivel bashkiak. Prandaj, koordinimi midis Tiranës dhe 61 bashkive do të jetë thelbësor.

Ashtu siç do të jetë vendimtar sigurimi i një angazhimi dhe konsultimi të plotë me shoqërinë civile.

Të dashur anëtarë të Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian,

Marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian ka ndryshuar rrënjësisht më 25 mars. Integrimi i vendit në BE nuk është më një aspiratë. Ai po ndodh konkretisht.

Tani e tutje, strukturat e BE-së do të punojnë edhe më ngushtë me Shqipërinë. Ne gjithashtu do të kemi një kontroll më të madh mbi veprimin e autoriteteve për të siguruar që i gjithë legjislacioni shqiptar të përputhet rreptësisht me atë të BE-së. Dhe Shtetet Anëtare të BE-së do të jenë më të pranishme në këtë proces falë metodologjisë së re të miratuar marsin e kaluar

Kjo fazë e re pas 25 marsit është njëkohësisht shumë komplekse dhe shumë e thjeshtë. Është komplekse pasi fjalë për fjalë nënkupton një transformim të thellë të të gjithë shoqërisë. Dhe është e thjeshtë sepse ekziston vetëm një drejtim. Të shohim përpara. Duke pasur parasysh aspiratën e 97% të shqiptarëve: të qenit anëtarë të Bashkimit Evropian.