Bashkimi Evropian në Shqipëri nis fushatën “Mbro natyrën, sa je në kohë”
Bashkimi Evropian në Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Mjedisit, nisi sot fushatën dhe lëvizjen “Mbro Natyrën, sa je në kohë”, një thirrje kombëtare për shkollat, nxënësit dhe komunitetet në të gjithë Shqipërinë që të bashkojnë forcat për mbrojtjen e biodiversitetit të vendit. Në qendër të kësaj lëvizjeje është një mesazh i thjeshtë: natyra nuk mund të presë dhe çdo veprim ka rëndësi.
Hapja e fushatës u zhvillua në shkollën 9-vjeçare “Musine Kokalari” në Tiranë, me pjesëmarrjen e Sh.T.Z. Silvio Gonzato, Ambasador i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sh.T.Znj.Mirela Kumbaro, Ministre e Arsimit dhe Sh.T.Z. Sofjan Jaupaj, Ministër i Mjedisit.
Ambasadori Gonzato theksoi nevojën që të gjithë të përfshihen dhe të angazhohen në mbrojtjen e natyrës së Shqipërisë.
“Dita e Tokës nuk është vetëm për të festuar planetin tonë të bukur – është edhe një moment për të kujtuar se të gjithë ndajmë përgjegjësinë për ta mbrojtur atë. Për t’u anëtarësuar në BE, Shqipëria duhet të përmirësojë standardet e saj mjedisore dhe klimatike. Secili prej nesh mund të kontribuojë në këtë qëllim – duke ripërdorur, ricikluar, pastruar mbeturinat, mbjellë pemë apo kursyer energji. Për të rritur ndërgjegjësimin mbi këtë përgjegjësi të përbashkët, kemi lançuar një fushatë për t’i ndihmuar të rinjtë të mësojnë mbi biodiversitetin e pasur të Shqipërisë dhe çfarë mund të bëjnë për ta mbrojtur atë,” tha Ambasadori.
Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro nënvizoi rëndësinë e edukimit mjedisor dhe rolin e shkollave në nxitjen e përgjegjësisë ndaj natyrës.
“Edukimi mjedisor është tashmë pjesë e kurrikulave shkollore, si edhe e aktiviteteve pas mësimit. Duke mbajtur të pastra shkollat, shtëpitë dhe lagjet, fëmijët bëhen protagonistë të një Shqipërie më të gjelbër,” tha Ministrja Kumbaro.
Ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj vuri në dukje përpjekjet e Shqipërisë për mbrojtjen e biodiversitetit dhe avancimin e rrjetit Natura 2000. Ai theksoi se mbrojtja e ekosistemeve është jetike për të ardhmen e qëndrueshme të Shqipërisë.
“Të rinjtë mund të jenë ambasadorët më të mirë të natyrës. Mbrojtja e biodiversitetit nis nga veprimet e përditshme: të mos hedhim mbeturina, të respektojmë mjedisin dhe të frymëzojmë të tjerët,” u shpreh Ministri Jaupaj.
Programi përfshiu një kuiz edukativ mbi mbrojtjen e biodiversitetit, aktivitete gjelbërimi dhe krijimin e një fidanishteje në shkollë për mbjelljen e farave autoktone, vendosjen e kutive folezuese për zogjtë dhe bletët, si edhe realizimin e një murali me temë biodiversitetin me pjesëmarrjen e nxënësve. Në kuadër të festimeve të Ditës së Tokës, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, shkollat në të gjithë vendin u ftuan të organizojnë aktivitete të ngjashme ndërgjegjësuese, duke krijuar një Lëvizje Kombëtare për mbrojtjen e natyrës, nën sloganin “Mbro Natyrën, sa je në kohë”.
Fushata e komunikimit e financuar nga Bashkimi Evropian, “Mbro Natyrën, sa je në kohë”, do të zhvillohet nga prilli deri në qershor 2026, me synim forcimin e ndërgjegjësimit të të rinjve për mbrojtjen e biodiversitetit, nxitjen e sjelljeve të përgjegjshme ndaj mjedisit dhe mbështetjen e përpjekjeve të Shqipërisë në kuadër të agjendës së gjelbër evropiane. Përmes materialeve edukative, përfshirë librin e ilustruar “Fliko, Mbrojtësi i Natyrës”, një broshurë mbi zonat e mbrojtura dhe Natura 2000, si edhe një fletore edukative mbi speciet endemike shqiptare, së bashku me angazhimin mediatik dhe aktivitete të ndryshme të kombinuara me veprime praktike, nisma synon të frymëzojë një brez të ri të gjelbër, ku të rinjtë bëhen mbrojtës aktivë të natyrës.
Fushata po zbatohet në kuadër të EU4GreenGen, një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, që rrit ndërgjegjësimin për mbrojtjen e biodiversitetit, menaxhimin e mbetjeve dhe parimet e ekonomisë qarkulluese në Shqipëri.