BE për Drejtësi Digjitale: Krijimi i Besimit përmes Transformimit Digjital
Për vite me radhë, prokurorët janë përballur me vështirësi që lindin nga arkivat e mëdha fizike dhe kohëzgjatja e gjatë e përpunimit të çështjeve. Sot, një nismë e re digjitale po hedh themelet e transformimit të sistemit të drejtësisë përmes përmirësimit të efikasitetit, transparencës dhe sigurisë, ndërkohë që institucioneve u mundësohet të shkëmbejnë informacion dhe të punojnë së bashku në mënyrë më të efektshme.
Ndërkohë që rrugëtimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian lidhet ngushtë me angazhimin e vendit për shtetin e së drejtës, ky projekt modernizon mënyrën e punës së prokurorëve. Përmes lënies pas të proceseve të punës të bazuar në shkresa dhe arkiva dhe duke nisur përdorimin e sistemit tërësisht digjital të menaxhimit të çështjeve, projekti BE për Drejtësinë Digjitale i financuar nga BE-ja përforcon llogaridhënien dhe harmonizimin me standardet evropiane.
"Ky projekt shkon shumë përtej mbështetjes për Prokurorinë e Përgjithshme. Ai është etapë e progresit të Shqipërisë për shtetin e së drejtës në procesin e anëtarësimit në BE, ndërkohë që ndihmon në zbatimin e reformave praktike," shpjegon Artem Danchenko nga UNOPS, partneri i zbatimit të projektit. "Synimi është të garantohet shkëmbimi i informacionit dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve gjyqësore, përmes krijimit të një hapësire të përbashkët digjitale. Bashkë me këtë, do të vihet në zbatim sistemi modern i menaxhimit të çështjeve i mbështetur nga rrjete të përmirësuara, serverë të rinj dhe ruajtje e sigurt e të dhënave. Prokurorët do të kalojnë për herë të parë nga proceset shkresore në mjedisin digjital që fuqizon efikasitetin, transparencën, ndërveprueshmërinë dhe bashkëpunimin."
Një prej rezultateve kyçe të projektit është krijimi i Sistemit të ri të Menaxhimit të Çështjeve, që digjitalizon të gjithë ciklin e çështjes penale ndërkohë që përmirëson cilësinë, njëtrajtshmërinë dhe aksesueshmërinë e të dhënave gjyqësore.
"Çdo regjistrim, proces dhe arkiv ka qenë shkresor, duke sjellë vonesa, mbingarkesë të hapësirave të arkivimit dhe statistika të pabesueshme," shprehet Danchenko. "Mbledhja e të dhënave gjyqësore aktualisht kërkon muaj dhe stafi i mbledh të dhënat përmes kontrollit manual të regjistrave dhe dokumenteve të cilat jo gjithmonë përputhen mes tyre. Synimi jonë është ndryshimi i kësaj situate përmes vënies në zbatim të qarkullimit digjital të çështjes, arkivave digjitale të sigurta dhe raportimit të saktë. Informacioni në sistemin e ri do të prodhohet menjëherë në internet bazuar në të dhëna të njëtrajtshme."
Pas vënies në zbatim, Sistemi i Menaxhimit të Çështjeve do të sigurojë transferimin tërësisht digjital të çështjeve penale nga policia në prokurori dhe më pas nga prokuroria në gjykatë. Objektivi është nxjerrja progresive nga përdorimi i dosjeve fizike, duke mundësuar procese pune më efikase. Detyra si regjistrimi i çështjeve ose marrja e informacionit nga regjistrat kombëtare do të kryhen në çast, duke eliminuar kërkesat shkresore dhe vonesat. Materialet e çështjes do të jenë të disponueshme me shtypjen e një butoni, duke reduktuar qenësishëm barrën administrative dhe duke kursyer kohë.
Po aq të rëndësishme janë veçoritë e sigurisë dhe transparencës së sistemit. Ndryshe nga dosjet shkresore, sistemet digjitale krijojnë gjurmë të plotë auditi. Çdo veprim, si hapja, redaktimi apo shqyrtimi i dokumenteve, regjistrohet automatikisht, përfshirë identitetin e përdoruesit dhe orarin e veprimit. Kjo përforcon llogaridhënien, mbron të dhënat e ndjeshme personale dhe përmirëson transparencën e hetimeve.
"Sistemi garanton gjurmimin e çdo veprimi, duke përforcuar besimin në procesin e drejtësisë," shpjegon Danchencko.
Platforma do të mundësojë gjithashtu qasje në informacionin e çështjes në të gjitha prokuroritë. Për shembull, informacioni i marrë në Shkodër mund të konsultohet në mënyrë të sigurt nga kolegë të autorizuar në Tiranë, Vlorë apo Durrës pa vonesat e shkaktuara nga transferimi fizik i dosjeve. Zyrat rajonale do të sigurojnë qasje të menjëhershme në materiale çështjeje pasi në sistem të jenë siguruar lejet e nevojshme.
Pajisjet fizike janë një tjetër element i rëndësishëm i mbështetjes së siguruar përmes BE për Drejtësinë Digjitale. Pajisjet e rrjetit TI janë dorëzuar dhe instaluar tashmë në Prokurorinë e Përgjithshme për të siguruar që sistemi i ri të mund të operojë në mënyrë të sigurt.
Duke marrë në konsideratë ndjeshmërinë e të dhënave personale, siguria kibernetike ka qenë përparësi përgjatë projektimit dhe zhvillimit të sistemit.
"Patëm mundësinë të shkëmbejmë praktika me Estoninë që njihet si një nga vendet kryesuese në botë për digjitalizimin. Bazuar në përvojën e tyre, kemi përfshirë rekomandime të qarta dhe tani po zbatojmë një auditim të pavarur të sigurisë me qëllim identifikimin dhe trajtimin e pikave të dobëta, përpara vënies së sistemit në funksion," thotë Danchenko. "Sistemi po ndërtohet me qasjen e "sigurisë që në projektim", do të vihet në provë nga ekspertë të jashtëm pasi të jetë përfunduar dhe do të mbështetet nga përditësime të vazhdueshme për të siguruar mbrojtje afatgjatë."
Përkrah zhvillimit teknik, projekti po mbështet edhe reformat më të gjera institucionale. Këtu përfshihet fuqizimi i kapaciteteve të Qendrës së Teknologjisë dhe personelit përkatës për të çuar përpara Udhërrëfyesin e Ndërveprueshmërisë, harmonizuar proceset dhe mbështetur ndryshimet e nevojshme ligjore në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe institucionet e tjera përkatëse.
"Këto masa janë thelbësore për mishërimin e Sistemit të Menaxhimit të Çështjeve në kuadrin më të gjerë të drejtësisë shqiptare, së bashku me përpjekje të ngjashme në gjykata," thotë Danchenko.
Projekti BE për Drejtësinë Digjitale mbështet integrimin e sistemeve gjyqësore të informacionit në hapësirën e unifikuar gjyqësore kombëtare, vë në zbatim sistemin modern të menaxhimit të çështjeve të mbështetur nga infrastruktura e përmirësuar, mishëron masa të fuqishme të sigurisë kibernetike, garanton transparencë përmes gjurmëve gjithëpërfshirëse të auditit, lehtëson integrimin ndërmjet policisë, prokurorisë dhe gjykatave, si dhe nxit qëndrueshmërinë afatgjatë përmes pronësisë dhe mirëmbajtjes qeveritare.
Informacion mbi kontekstin
Projekti BE për Drejtësinë Digjitale, i financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të IPA III me buxhet prej 7,5 milionë Euro, synon të transformojë sistemin e drejtësisë në Shqipëri përmes inovacionit digjital. Zbatuar nga UNOPS-i gjatë një periudhe 48 mujore, projekti do të krijojë Sistemin modern të Menaxhimit të Çështjeve për Prokurorinë, do të përmirësojë kapacitetet e Qendrës Teknologjike të Informacionit të Sistemit të Drejtësisë dhe do të zbatojë instrumentet e inteligjencës së biznesit për vendimmarrjen e bazuar në të dhëna. Nisma synon të fuqizojë shtetin e së drejtës, të përmirësojë efikasitetin institucional dhe të garantojë shërbime më të shpejta dhe transparente drejtësie, në përputhje me standardet e BE-së.