Delegacioni i BE-së nis Javën e Evropës 2026, duke sjellë mbi 55 aktivitete kulturore në gjithë Shqipërinë
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri nisi sot programin e Javës së Evropës 2026 në Tiranë, në prani të ambasadorëve të Shteteve Anëtare të BE-së, autoriteteve shqiptare, partnerëve ndërkombëtarë dhe artistëve.
Nga 9 deri më 22 maj, Java e Evropës 2026 do të prezantojë një program dinamik me më shumë se 55 aktivitete kulturore në gjashtë qytete të Shqipërisë: Tirana, Shkodra, Korça, Patosi, Fieri dhe Elbasani. Përmes teatrit, ekspozitave, vallëzimit, muzikës dhe diskutimeve publike, edicioni i këtij viti do të krijojë një platformë të hapur për shprehje artistike, dialog dhe shkëmbim.
“Duke mbështetur Shqipërinë dhe vendet e tjera kandidate në rrugën e tyre drejt anëtarësimit, Evropa investon për një të ardhme më të sigurt dhe më të bashkuar për gjithë kontinentin tonë. Zgjerimi, siç e kam thënë shumë herë, është një projekt i gjithë shoqërisë dhe të gjithë, qeveria, opozita, shoqëria civile, komuniteti i biznesit, qytetarët e zakonshëm, kanë një rol për të luajtur në të.
Vitin e kaluar, të dashur miq, ngritëm një hapësirë për të krijuar gjatë Javës së Evropës. Këtë vit, e transformuam këtë vend në një mjedis të hapur, duke mbështetur lirinë artistike dhe duke përforcuar rolin e kulturës në jetën publike.
Nga data 9 deri më 22 maj, Java e Evropës 2026 do të prezantojë një program dinamik me më shumë se 55 aktivitete kulturore në gjashtë qytete të Shqipërisë: Tiranë, Shkodër, Korçë, Patos, Fier dhe Elbasan. Shpresoj të shoh shumë prej jush në këtë mjedis të hapur, ku arti është një mjet për reflektim, empati dhe angazhim mbi vlerat tona të përbashkëta”, tha Silvio Gonzato, ambasadori i BE-së në Shqipëri.
Duke u bazuar në konceptin e "një hapësire për të krijuar", të prezantuar në vitin 2025, edicioni i këtij viti do të vazhdojë të mbështesë lirinë artistike dhe të përforcojë rolin e kulturës në jetën publike. Programi do të bashkojë artistë të rinj dhe të afirmuar, duke ofruar perspektiva dhe rrëfime të reja që merren me çështjet bashkëkohore sociale.
Pas një thirrjeje të hapur që mori mbi 267 aplikime, janë përzgjedhur 10 shfaqje. Këto vepra përfshijnë disiplina të shumta dhe do të eksplorojnë tema të tilla si pabarazia, migrimi, shëndeti mendor, identiteti dhe strukturat sociale përmes shfaqjeve, ekspozitave dhe ndërhyrjeve ndërdisiplinore.
Shfaqjet artistike të përzgjedhura:
1-Anila Balla “Një diplomë për njerëz të zakonshëm” - teatër.
2-Mariana Kostandini, Orestia Kapedkani, Olsi Hoxha, “Gjeografia e kujdesit” - ekspozitë në grup.
3- Alban Hajdinaj, kolektivi Haveit, Lori Lako, Redina Qose, Valentina Koca, Francesco Scasciamacchia “Hije mbi murin e kohës” - ndërdisiplinore.
4- Jolin Matraku, Lea Tabaku “Loja është e manipuluar” - ekspozitë arti gjithëpërfshirëse.
5- Nea Tandini “I shëmtuar, i deformuar, i pasigurt dhe i depresionuar” - leksion arti dhe performancë muzikore.
6- Eda Zari, Rhani Krija, Teufik Bashi, Enkelejda Elbasani, Ergys Shehu “Terminali: Vini Re, Vini Re!” - ndërdisiplinore.
7- Klaudja Piroli, “Intimitete/TICTD” - ndërdisiplinore.
8- Donika Cino, Diego Zelka, Gerta Xhaferaj “Pamje dhe Tinguj” - ekspozitë ndërdisiplinore.
9- Elsa Demo, Flobensa Bezati “Njeriu që ndiente gjithçka” - teatër.
10- Blenard Azizaj, Elena Cattardico “JO-W-KËTU” - performancë vallëzimi.
Aktivitetet do të zhvillohen në një numër të madh vendesh kulturore dhe hapësirash publike, duke përfshirë teatro, qendra arti, muze dhe vende në ajër të hapur, duke zgjeruar qasjen në kulturë dhe duke nxitur pjesëmarrjen e komunitetit në gjithë vendin. Të gjitha aktivitetet janë falas dhe të hapura për publikun.
Java e Evropës 2026 organizohet nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, duke riafirmuar angazhimin e tij për hapje, përfshirje dhe dialog të qëndrueshëm kulturor.
Programi do të nxisë lidhjet mes artistëve dhe audiencës, duke e përdorur artin si mjet për të inkurajuar reflektimin, empatinë dhe angazhimin me vlerat e përbashkëta të Evropës.
Këtu mund të gjeni programin e plotë.: https://www.facebook.com/share/p/18aPPEi7vp/