Eksplorimi i një siti mesjetar dhe perlave të fshehura turistike me kanoe

Në liqenin e Vaut të Dejës, Shurdhahu, një ishull i vogël, ngrihet qetësisht mbi ujë, duke mbajtur mbi vete rrënojat e qytetit mesjetar të Sardës. Gërmimet arkeologjike të kryera në vitet 1960 zbuluan se, brenda mureve të saj, Sarda kishte të paktën shtatë kisha, pasi shërbente si seli peshkopale deri në shekullin e 15-të.

Ajo që dikur ishte e arritshme vetëm për arkeologët dhe udhëtarët më të vendosur, të cilët shkonin me varkë në grupe të organizuara, tani mund të eksplorohet me kanoe apo kajak, duke lundruar nëpër sipërfaqen e qetë të liqenit. Me ndihmën e projektit të mbështetur nga BE-ja “Vau i Dejës si destinacion turistik”, Jurgen Prenga tashmë drejton një nismë për turizmin me kanoe dhe kajak në bregun e liqenit ku është rritur dhe ka kaluar gjithë jetën.

Vau i Dejes

Vendosur në fshatin Mllojë, pranë një bujtine, një numër kanoesh dhe kaikesh janë gati për të shoqëruar turistët ndërsa eksplorojnë zonën buzë liqenit. “Vizitorët që vijnë këtu tërhiqen nga turizmi i bazuar te përvoja. Ata kërkojnë diçka autentike, të vërtetë dhe të qetë. Eksplorimi i liqenit me kanoe apo kaike ofron një tërheqje të veçantë, pasi shumë vizitorë preferojnë ta zbulojnë atë më mirë sipas kushteve të tyre sesa duke ndjekur një udhëtim të strukturuar me udhërrëfyes”, shpjegon ai.

Përpara se të merrte pajisjet, ai u trajnua nga projekti për të hartuar një plan biznesi, për të mësuar praktikat e sigurta të lundrimit me kanoe dhe, përfundimisht, për të blerë kanoet dhe kaiket e para që nevojiteshin për të filluar. Pothuajse dy vjet më vonë, ai është tashmë personi i parë që e ofron këtë lloj shërbimi në zonë, duke i këshilluar udhëtarët jo vetëm se ku të shkojnë, por edhe për vetë udhëtimin.

“Të nisesh drejt liqenit me kanoe nuk është diçka që bëhet pa përgatitje, pasi sipërfaqja e tij e qetë mund t’ju gënjejë. Nën atë qetësi, liqeni ka një rrymë të vetën dhe në disa pjesë të caktuara era mund të ngrihet papritur”, thekson ai.

Për ata që janë gati për udhëtimin, shpërblimet janë të jashtëzakonshme. Afërsisht 700 deri në 800 metra larg bregut në Mllojë ndodhet ishulli Shurdhah dhe, rreth një kilometër më tej, Shpella e Pëllumbave, një vend i arritshëm vetëm nga uji. “E shtresuar me gjurmë prehistorike dhe hieroglife të fshehura në errësirë pothuajse të plotë, aty kërkohet një dritë të fortë për t'i parë siç duhet. Nëse vizitorët afrohen qetësisht dhe pastaj bëjnë një zhurmë të vogël pranë hyrjes, pëllumbat turren me vrull nga hijet”, thotë ai.

Vau i Dejes

Nisma për kanoet dhe kaiket filloi si sipërmarrje individuale e një njeriu të vetëm dhe që atëherë është rritur në diçka më të madhe. Tashmë është një bashkëpunim mes udhërrëfyesve vendorë dhe operatorëve kryesorë turistikë të Shqipërisë, të cilët po ndërtojnë itinerare më komplekse rreth kësaj pjese të Luginës së Drinit. Ajo gjithashtu ka ndihmuar për krijimin e një zinxhiri vlerash turistike vendore.

“Kjo ndikon pozitivisht në ekonominë vendore. Një turist që vjen për kanotazh ka nevojë edhe për drekë dhe për një vend për të qëndruar; restoranti blen nga fermerët vendas dhe nga tregu, dhe kërkesa e qëndrueshme u jep fermerëve një arsye për të qëndruar, në vend që të kërkojnë punë jashtë vendit.” Siç thotë Prenga, turizmi është një zinxhir vlerash: sa më shumë rritet, aq më shumë e ndihmon zonën.

Vizitorët janë që nga grupe të rinjsh, deri te familjet. Ai i pret në breg, u kontrollon jelekët e shpëtimit dhe i udhëzon për gjërat bazë përpara se të nisen. Ndërsa flet, një familje me tre anëtarë i afrohet bregut duke parë ujin që reflekton qiellin e vjeshtës.

Projekti “Vau i Dejës si destinacion turistik” nuk ka të bëjë vetëm me liqenin. Përmes një faqeje interneti të dedikuar, vizitorët mund të gjejnë informacion mbi aktivitetet për entuziastët e aventurës, përfshirë ecje në natyrë, çiklizëm, shtigjet natyrore, si dhe eksplorimin historik dhe kulturor. Rrënojat e lashta, mjediset e mikpritjes dhe traditat vendore, si dhe kështjellat, kishat, pyjet me pisha, lumenjtë, nekropolet e vjetra dhe qytetërimet e humbura, paraqiten përmes teksteve dhe imazheve, duke i ftuar vizitorët të zgjedhin rrugën e tyre.

Vau i Dejes

Gjatë zbatimit të projektit, në zonë u përmirësua informacioni turistik, ndërsa u ofrua edhe mbështetje për ndërtimin e kapaciteteve në shërbimet turistike, mikpritjen, artizanatin, suvenirët dhe sipërmarrjen.

Informacion plotësues


“Vau i Dejës si destinacion turistik” është një projekt i mbështetur nga BE-ja që synon përmirësimin e qasjes në zhvillimin socio-ekonomik dhe mundësitë e punësimit për komunitetet e cenueshme ndaj kultivimit dhe trafikimit të kanabisit në zonën e Vaut të Dejës. Ai punoi për identifikimin, dokumentimin dhe shfrytëzimin e potencialit turistik të eksploruar dhe të paeksploruar, përmirësimin e informacionit dhe sinjalistikës turistike për itinerare të reja, hartimin e rrugëve të reja turistike, prodhimin e materialeve promovuese për turizmin në Vaun e Dejës, si dhe mbështetjen e promovimit dhe marketingut të aktiviteteve për të tërhequr turistë vendas dhe ndërkombëtarë.