Filli i traditës: Mbështetja e BE-së ndihmon gratë e Tropojës të ruajnë trashëgiminë kulturore
Imazhi i një xhamie me dy minare qëndron në qendër të një tapicerie të endur në tezgjah në Tropojë, gjatë viteve 1940. Krijuar gjatë një periudhe lirie fetare, tapiceria u fsheh më vonë, kur regjimi komunist e ndaloi fenë. E trashëguar dhe e ruajtur fshehurazi për dekada të tëra, ajo shërben tashmë si model në punishten e grave artizane të Tropojës - një simbol i qëndrueshmërisë dhe vazhdimësisë.
E vendosur në qendër të qytetit, punishtja është më shumë sesa një vend pune. Këtu gratë mblidhen rreth tezgjahut dhe makinave qepëse, ndërsa duart e tyre lëvizin me ritëm të stërvitur. Fijet e leshit dhe pambukut shndërrohen në tapiceri, qilima, veshje tradicionale, pëlhura të qëndisura, mbulesa shtrati, çanta, madje edhe sapunë të punuar me dorë, mbushur me vaj ulliri, sherbelë apo trumzë.
Çdo tapiceri mbart motive tradicionale: figura gjeometrike që i bëjnë jehonë shqiponjës, simbolit kombëtar të Shqipërisë, lule shumëngjyrëshe që të kujtojnë malet përreth, si dhe motive që mishërojnë shpirtin e Alpeve dhe luginave të larta të rajonit. Orë pas ore, këto skica marrin jetë nga duart e grave që e kanë kaluar jetën në këtë peizazh të ashpër.
Për shumë nga këto gra, punishtja nuk është vetëm një përpjekje kulturore, por edhe një litar shpëtimi dhe burim punësimi. Të veja, të prekura nga gjakmarrjet apo të përballura me rrethana të vështira ekonomike, disa prej tyre i janë drejtuar punimeve artizanale si një mënyrë për të ruajtur traditën, ndërsa sigurojnë edhe jetesën. Në punën e tyre, trashëgimia dhe sfidat e përditshme janë të pandashme.
EU Delegation to Albania
Qendra e artizanatit hap rrugën për fuqizim, duke u ofruar grave mundësinë për të punuar, prodhuar dhe shitur së bashku. Për të çuar përpara mundësitë ekonomike për gratë, në kuadër të projektit “BE për inovacionin”, kolektivit artizanal “Artizanet e Tropojës” iu siguruan përmes Fondit të Sfidave gjashtë tezgjahë, një makinë qepëse, një kompjuter portativ dhe një printer. Dedikuar ruajtjes së trashëgimisë kulturore përmes produkteve autentike të punuara me dorë, ndërsa fuqizon gratë vendase, nisma kombinon artizanatin tradicional me praktikat miqësore me mjedisin, si dhe ofron një platformë të qëndrueshme për zhvillim ekonomik dhe shoqëror.
“Kjo nismë ka qenë një mbështetje e jashtëzakonshme për ne. Ne punojmë me tezgjahë për të krijuar qilima dhe tapiceri, qëndisim, punojmë me gjilpërë, prodhojmë mjaltë dhe sapunë tradicionalë, si dhe përgatisim ushqime tradicionale. Disa prej nesh i kalojnë ditët në punishte, ndërsa të tjerat marrin porosi dhe punojnë nga shtëpia. Gratë vijnë nga zona të ndryshme, disa madje ecin më shumë se një orë për të mbërritur këtu. Ajo që ka më shumë rëndësi është angazhimi dhe mundësia për punësim.
“Punishtja jonë artizanale është si vend prodhimi ashtu edhe sallë ekspozite. Vizitorët ndalen për të admiruar punën tonë dhe për të blerë suvenire apo qilima”, shpjegon Dafina Gjeloshi, themeluese dhe drejtuese e kolektivit të grave.
Krijimet e tyre frymëzohen nga natyra, folklori dhe jeta e përditshme, duke u ofruar vizitorëve dhe klientëve në mbarë botën jo vetëm produkte unike dhe me cilësi të lartë, por edhe një lidhje kuptimplote me traditat e pasura të Tropojës. Çdo blerje mbështet qëndrueshmërinë dhe rrëfimin kulturor, duke i bërë produktet të dallueshme si në vlerë ashtu edhe në ndikim.
Granti “BE për inovacionin” i ka mbështetur artizanet e Tropojës për forcimin e biznesit të tyre përmes zhvillimit të një faqeje interneti dhe një platforme të tregtisë elektronike, si dhe me investime për pajisje të reja. Për Gjeloshin, punishtja është më shumë sesa një burim mbështetjeje ekonomike, ajo është edhe një vend takimi për gratë.
EU Delegation to Albania
“Ne ndajmë kohën dhe përpjekjet tona së bashku. Kam punuar me artizanatin për 20 vjet. Me numrin në rritje të turistëve, mendova se do të ishte më mirë po të bashkonim forcat, të punonim së bashku, të ndanim njohuritë dhe përvojat, si dhe të ndërtonim një rrjet mes nesh. Ne shkëmbejmë skica dhe teknika, si dhe u mësojmë vajzave tona aftësitë që kemi trashëguar. Herë pas here, turistët marrin pjesë edhe në punëtori në qendrën tonë artizanale”, shpjegon ajo.
Shumica e veshjeve të punuara me dorë kërkojnë disa javë dhe faza të shumta pune para se të përfundojnë, me metoda tradicionale që përdoren ende për të arritur format e tyre të veçanta. Përparësja e gjerë (peshtjellaku i gjerë) është një shembull i tillë që kërkon mjeshtëri veçanërisht të kujdesshme.
“Për të krijuar panelet, pëlhura e leshtë qepet së pari me dorë dhe më pas vendoset në ujë shumë të nxehtë. Ky proces i jep formën që shohim sot, duke i ruajtur panelet përgjithmonë pa pasur nevojë për hekurosje”, shpjegon njëra nga gratë ndërsa përfundon së dhëni formë përparëses dhe fillon qëndisjen.
Pajisjet e reja tashmë plotësojnë aftësitë e grave. Teknologjia, dikur e huaj për ritmin e endjes, tashmë e mbështet atë, duke siguruar që artizanet e Tropojës të mund të arrijnë tregjet përtej luginave të tyre. Dhjetëra kostume tradicionale për djem, vajza, gra dhe burra, së bashku me tapiceri, qilima, madje edhe shalë kuajsh të punuara me dorë, janë ekspozuar në punishten që ruan një nga traditat më të vjetra të rajonit.
Tavani mbi to është punuar në stilin tradicional “trina”, duke përdorur degë dhe shkurre të thata, çka të kujton çatitë që dikur mbulonin shumë shtëpi vendase.
Informacion i përgjithshëm
“BE për inovacionin” është një program i dedikuar për forcimin e ekosistemit të inovacionit në Shqipëri, duke promovuar bashkëpunimin mes botës akademike, industrisë, qeverisë dhe shoqërisë civile. I financuar nga Bashkimi Evropian, me mbështetjen e Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida), programi është strukturuar rreth katër shtyllave kryesore: përmirësimi i politikës dhe qeverisjes së inovacionit; mbështetja e sipërmarrjeve të reja dhe bizneseve përmes asistencës financiare dhe teknike; integrimi i sipërmarrjes në arsim; dhe forcimi i lidhjeve mes botës akademike, industrisë dhe institucioneve publike. Projekti i kushton rëndësi të veçantë arsimit duke promovuar sipërmarrjen si një aftësi thelbësore dhe duke e integruar atë në kurrikulat universitare. Kjo arrihet përmes pilotimit të nismave të ekonomisë së gjelbër dhe qarkore, organizimit të aktiviteteve për rritjen e ndërgjegjësimit dhe hartimit të programeve të synuara për zhvillimin e aftësive. Duke nxitur një mendësi sipërmarrëse te të rinjtë, programi synon ta pajisë brezin e ardhshëm me mjetet e nevojshme për të nxitur rritje të qëndrueshme ekonomike në Shqipëri.