Fjalim i Ambasadorit të BE-së, Silvio Gonzato, në aktivitetin e rrjetëzimit “E Dua BE-në”
Shkëlqesitë tuaja, Ministra dhe Zëvendësministra, Anëtarë të Parlamentit, Ambasadorë, përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar në Tiranë, të dashur kolegë nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, të dashur miq!
Faleminderit që jeni këtu me ne sonte për një mbrëmje, në të cilën do të dëshironim të festonim partneritetin mes BE-së dhe Shqipërisë.
Nuk ka dyshim se jetojmë në kohë komplekse dhe të vështira (përvjetori i katërt i luftës së agresionit të Rusisë është vetëm pak ditë larg dhe situata në Gaza vazhdon të shënohet nga vuajtjet e popullsisë civile për shkak të bombardimeve pa dallim dhe mungesës së ndihmës së duhur humanitare).
Megjithatë, jam i bindur se pikërisht në kohë si këto, duhet t’i kujtojmë vetes vlerat në të cilat besojmë dhe të cilat i mbrojmë në këtë botë të trazuar.
Dhe ne duhet t’i festojmë këto vlera. Prandaj zgjodhëm sloganin “Unë e dua BE-në”, pavarësisht sa naiv mund të tingëllojë, për të shënuar takimin e sonte.
Më lejoni të ndalem për disa minuta për të reflektuar mbi këtë.
Mund të them me siguri dhe pa turp se e dua BE-në dhe ndihem i privilegjuar që i kam kushtuar asaj karrierën e një jete.
Jam po aq i sigurt se këtë ndjenjë e ndajmë të gjithë ne, përfshirë dhe, do të thosha, në veçanti, miqtë tanë shqiptarë.
Tani më shumë se kurrë, duhet t’i kujtojmë vetes pse Bashkimi ynë është kaq i rëndësishëm dhe pse duhet të bëjmë çmos për ta mbrojtur atë nga sfidat e sotmetë paprecedent.
Para së gjithash, siç e kam thënë që në fillim të mandatit tim këtu në Shqipëri, BE-ja është një bashkësi vlerash. Është më shumë sesa thjesht një kuadër ligjor që rregullon marrëdhëniet mes një grupi shtetesh apo një treg unik. BE-ja është “themeluar mbi vlerat e respektit për dinjitetin njerëzor, lirinë, demokracinë, barazinë, sundimin e ligjit dhe respektin për të drejtat e njeriut” dhe bashkon Shtetet Anëtare “në një shoqëri ku mbizotëronpluralizmi, mosdiskriminimi, toleranca, drejtësia, solidariteti dhe barazia mes grave dhe burrave”.
Me siguri i keni dëgjuar shpesh këto fjalë, të cituara nga Neni 2 i Traktatit për Bashkimin Evropian , por ia vlen t’i kujtojmë, veçanërisht sonte. Ato përcaktojnë themelet e Bashkimit tonë, një Bashkim gjithnjë e më i ngushtë dhe gjithnjë në zhvillim. Themelet na kanë shoqëruar gjatë gjithë rrugëtimit që nisi me Traktatin e Romës dhe janë po këto themele që na kanë mundësuar të përballojmë kaq shumë kriza në dekadat e fundit.
Këto vlera u artikuluan pas përballjeve dhe luftërave shekullore, kur etërit (dhe nënat) tona themeluesekuptuan se kishte ardhur koha të kthenin faqen e rivalitetit dhe të shkruanin librin e partneritetit.
Për qytetarët e vendeve që iu bashkuan BE-së pas rënies së diktaturave dhe Perdes së Hekurt, BE-ja ishte një premtim dhe një garanci se shoqëritë e tyre do të bazoheshin në këto vlera thelbësore dhe se vendet e tyre do të bëheshin, siç u bënë, më të sigurta, më demokratike dhe më të begata.
Për mua, fakti që Shqipëria tani dëshiron me kaq vendosmëri dhe pa kushte të anëtarësohet në Bashkimin Evropian është një mbështetje e fuqishme e këtyre vlerave. Kjo është arsyeja pse anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk është thjesht i rëndësishëm për Shqipërinë, por edhe për vetë Bashkimin Evropian.
Për më tepër, një BE e zgjeruar kontribuon përthellimin e integrimit midis Shteteve Anëtare dhe nxitjen e një strukture më të konsoliduar dhe më fleksibël.
Të dashur miq!
BE -ja ka qenë gjithmonë e vendosur për mbrojtjen e këtyre vlerave edhe në nivel ndërkombëtar, duke mbështetur një rend të bazuar te rregullat, duke mbrojtur të drejtën ndërkombëtare dhe duke advokuar një qasje shumëpalëshe ndaj sfidave të shumta globale me të cilat përballet bota jonë. Kjo është diçka që e ndajmë me Shqipërinë. Dhe mund ta them pa dyshim, pasi kam punuar krah për krah me homologët (dhe miqtë) e mi shqiptarë në Nju-Jork.
Mbrojtja e multilateralizmit është garanci se dialogu mbizotëron mbi konfrontimin, diplomacia mbi forcën, dhe se çdo vend, pavarësisht nga madhësia dhe fuqia e tij, ka vendin e tij dinjitoz në skenën ndërkombëtare.
Kjo është arsyeja pse Organizata e Kombeve të Bashkuara, pavarësisht nga mangësitë, është kaq erëndësishme, pasi mishëron vetë parimet e paqes, bashkëpunimit dhe respektit për të drejtat e njeriut, të sanksionuara në Kartën e saj.
Siç ka theksuar Përfaqësuesja e Lartë Kallas: “Asnjë vend, pavarësisht nga madhësia apo fuqia e tij, nuk mund t’i përballojë i vetëm sfidat komplekse globale të sotme”. Nga paqja dhe siguria te zhvillimi i qëndrueshëm dhe promovimi i të drejtave të njeriut, zgjidhjet kolektive janë e vetmja rrugë e qëndrueshme përpara. Dhe historia jonë kolektive na ka mësuar, me një çmim të dhimbshëm, se izolacionizmi dhe unilateralizmi krijojnë paqëndrueshmëri. Edhe Shqipëria ka një interes thelbësor për ruajtjen e rendit ndërkombëtar të bazuar te rregullat ndërkombëtare dhe promovimi i qasjes shumëpalëshe.
Në historinë e saj, që kur u bë vend i pavarur, Shqipëria ka mësuar sa e vështirë është ta mbrojë këtë pavarësi në rrethana të pafavorshme ndërkombëtare dhe kostot tragjike që sjell izolimi dhe shtypja.
Pra, në vend që të krijojmë struktura alternative të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, angazhimi ynë duhet të jetë reformimi i saj, për ta përshtatur më mirë me parimet mbi të cilat është themeluar.
Por mjaft folëm për veten!
Sot jemi këtu edhe për të festuar progresin e bërë nga Shqipëria në negociatat e anëtarësimit. Besoj se është me vend këtu të nderojmë gjithë ekipin negociatorshqiptar, i cili ka punuar kaq shumë muajt e fundit, ashtu si dhe gjithë kolegët e mi, të cilët kanë kaluar orë të panumërta duke analizuar, duke u konsultuar, duke raportuar dhe duke këshilluar.
Të dashur miq, Shqipëria dëshiron të bëhet pjesë e BE-së, të bashkohet me komunitetin tonë të vlerave. Dhe është më afër se kurrë arritjes së kësaj ambicieje. Fazat e ardhshme të negociatave do ta vënë në provë të vështirë vendosmërinë e institucioneve shqiptare për të ndjekur dhe zbatuar reformat. Kemi parë përparim në disa fusha, ndërsa në të tjera nevojiten më shumë përpjekje dhe nisma të forta politike. Reforma në drejtësi e vitit 2016 i hapi rrugën Shqipërisë për të qenë aty ku është sot, me ambicien për t’i përfunduar negociatat deri në vitin 2027. Që kjo të ndodhë, nuk mund të ketë pengesa në reformën gjyqësore. Përkundrazi, duhet të forcojmë më tej parimet thelbësore që udhëhoqën reformën: një gjyqësor i pavarur dhe i paanshëm, i lirë nga ndërhyrjet politike, që është i përgjegjshëm ndaj qytetarëve të tij dhe që ofron me efikasitet drejtësinë që ata presin me të drejtë.
Besoj se të gjithë këtu bien dakord që objektivi i anëtarësimit në BE që Shqipëria i ka vënë vetes është i duhuri. Është një investim i qartë për sigurinë e vendit. Anëtarësimi në BE është garanci se Shqipëria ka një vend dinjitoz në skenën ndërkombëtare dhe se sundimi i ligjit, demokracia dhe të drejtat e njeriut janë ankoruar fort dhe nuk varen nga erërat gjeopolitike.
Sot ne festojmë këtë udhëtim, bëjmë një bilanc dhe ripërtërijmë angazhimin tonë për arritjen e kësaj aspirate legjitime të popullit shqiptar.
Për mua ka qenë një nder i madh të përfaqësoj BE-në në Shqipëri dhe jam krenar, së bashku me kolegët e mi, për progresin që kemi bërë deri tani së bashku. Jini të sigurt për vendosmërinë tonë që të vazhdojmët'ju mbështesim, t'ju këshillojmë dhe, po, edhe t'ju nxisim që të vazhdoni të bëni çdo përpjekje të nevojshme në mënyrë që së shpejti ta mirëpresim Shqipërinë në Bashkimin Evropian.
Faleminderit për vëmendjen!