Fjalimi i Ambasadores së BE-së Christiane Hohmann gjatë prezantimit të projektit “Bashkimi Evropian për zbatimin e ligjit në Shqipëri - EU4LEA”
I nderuar Ministër, i nderuar Prokuror i Përgjithshëm, i nderuar Kryeprokuror Special, i nderuar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, i nderuar Prefekt, zonja dhe zotërinj.
Është një kënaqësi e vërtetë të jem sot këtu për prezantimin e projektit “Bashkimi Evropian për Zbatimin e Ligjit në Shqipëri - EU4LEA”.
Ky projekt mbështetet në dy dekada bashkëpunimi të ngushtë dhe gradualisht në rritje mes BE-së dhe organeve ligjzbatuese të Shqipërisë.
Prezantimi i sotëm, megjithatë, zhvillohet në një kontekst krejtësisht të ri, vetëm pak javë pas fillimit të procesit të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Kjo e bën bashkëpunimin tonë edhe më strategjik dhe të rëndësishëm.
Ndërsa flasim, po zhvillohet në Bruksel takimi i vlerësimit paraprak për kapitullin 24 (Drejtësia, Liria dhe Siguria). Disa nga kolegët tuaj janë, sigurisht, të pranishëm atje.
Fillimi i bisedimeve të anëtarësimit është një arritje e madhe për Shqipërinë dhe BE-në. Është rezultat i viteve punë dhe vendosmërie të vazhdueshme, duke përfshirë edhe nga shumë prej jush që janë të pranishëm sot. Shqipëria po nis një maratonë, e cila do të kërkojë qëndrueshmëri, aftësi dhe koordinim të fortë.
Siç e dini, Shtetet Anëtare të BE-së janë ato që përcaktojnë “rregullat e lojës” për zgjerimin e BE-së. Dhe ato e kanë bërë shumë të qartë se përparimi me shtetin e së drejtës do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Prandaj, Shqipërisë do t'i duhet të demonstrojë udhëheqje të fortë politike për të çuar përpara shtetin e së drejtës. Dhe institucionet e drejtësisë dhe organet e zbatimit të ligjit sigurisht që do të luajnë një rol vendimtar.
Përveç vlerësimit paraprak, një nga detyrat e para për autoritetet shqiptare si pjesë e negociatave të anëtarësimit do të jetë prezantimi i një udhërrëfyesi për shtetin ligjor, në të cilin do të përcaktojnë ambiciet dhe objektivat e tyre për reformën.
Më lejoni të përmend disa nga çështjet kritike të cilave do t'u kushtohet vëmendje e veçantë nga institucionet e BE-së dhe Shtetet Anëtare:
Ato do të shikojnë se si po konsolidohet reforma në drejtësi – si përfundimi i procesit të vetingut, funksionimi i duhur i institucioneve të pavarura të drejtësisë, përpjekjet për përmirësimin e efikasitetit të institucioneve të drejtësisë.
Ato do të monitorojnë nga afër historikun e hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ato do të presin më shumë rezultate në fushën e luftës kundër pastrimit të parave. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku për të siguruar heqjen e Shqipërisë nga lista gri e FATF-së.
Ato do të duhet të shohin një angazhim të vazhdueshëm për të luftuar prodhimin dhe trafikimin e kanabisit, trafikimin e armëve të zjarrit dhe të qenieve njerëzore.
Një tregues tjetër kyç do të jetë zhvillimi i mëtejshëm i bashkëpunimit me agjencitë e zbatimit të ligjit të Shteteve Anëtare të BE-së, Europol dhe Eurojust, duke u mbështetur tek arritjet ekzistuese.
Në këtë drejtim, vazhdimësia e bashkëpunimit është thelbësore për të ndërtuar besimin e nevojshëm. Kjo gjithashtu kërkon përdorimin e kanaleve të sigurta të transmetimit si SIENA – duke përdorur pajisjet dhe trajnimin e ofruar nga BE-ja.
Ne duam që Shqipëria të ketë sukses në këtë përpjekje dhe kjo është arsyeja pse BE-ja do të jetë këtu për ta mbështetur. Projekti EU4LEA është një nga mjetet tona kyçe për të mbështetur institucionet tuaja.
Në kuadrin e projektit EU4LEA, Shtetet Anëtare të BE-së janë edhe një herë gati të bashkojnë forcat dhe të ndajnë ekspertizën, njohuritë dhe praktikat e tyre më të mira me Shqipërinë. Ne duhet të punojmë së bashku për një Shqipëri më të sigurt dhe një BE më të sigurt.
Dëshiroj të falënderoj kolegët nga Italia, Austria dhe Spanja që besuan në këtë projekt të BE-së që në fillim dhe që tani po ofrojnë ekspertizën e nevojshme.
Ekipi i projektit do të ketë detyrën emocionuese dhe shpërblyese për të ndërtuar kapacitete më të forta dhe të integruara mirë brenda agjencive të zbatimit të ligjit, prokurorisë dhe organeve të tjera përkatëse. Vetëm një sistem i integruar mund të japë rezultate me efikasitet në fusha kritike si kontrolli i kufijve, migrimi, azili, doganat, bashkëpunimi policor dhe gjyqësor, lufta kundër krimit të organizuar dhe kundër terrorizmit, apo trafikimi i paligjshëm.
Secili prej jush, si institucion dhe si individë që përfitojnë, luan një rol kyç për arritjen e suksesit të këtij projekti të ri të BE-së. Ne mbështetemi tek angazhimi juaj i fortë për të marrë pronësinë e plotë të zbatimit të projektit dhe për të mbajtur përgjegjësi për të.
Në një botë gjithnjë e më të trazuar, bashkëpunimi ynë i ngushtë në fushën e drejtësisë dhe punëve të brendshme është i nevojshëm më shumë se kurrë, për të na bërë kolektivisht më të fortë për t'u përballur me kërcënimet që prekin institucionet dhe shoqëritë tona. Kjo kërkon asistencë teknike solide, por edhe një dialog të fortë në nivelin më të lartë politik.
Në këtë aspekt, jam e lumtur të njoftoj se në datat 3-4 nëntor, Tirana do të presë Takimin Ministror të radhës BE-Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme, me pjesëmarrjen e Presidencës së Këshillit çek dhe të Komisionerëve evropianë përgjegjës për drejtësinë (Didier Reynders) dhe punët e brendshme (Ylva Johansson).
Duke folur për kërcënimet aktuale të sigurisë, do të doja të ritheksoja solidaritetin e plotë të BE-së me institucionet shqiptare, përfshirë policinë, të cilat kanë qenë viktima të sulmeve masive kibernetike. BE-ja po e mbështet Shqipërinë që të bëhet më e qëndrueshme ndaj sulmeve të tilla. Së bashku me agjencitë e specializuara të Shteteve Anëtare, ne e ndihmojmë Shqipërinë në mënyrë sistematike për të parandaluar, zbuluar, hetuar dhe për t’iu përgjigjur më mirë sulmeve të tilla.
Nuk mund ta përfundoj fjalën time pa theksuar rëndësinë e qëndrueshmërisë afatgjatë të ndihmës së BE-së, duke përfshirë sigurimin e një transferimi të aftësive dhe njohurive në periudhën afatgjatë. Prandaj Akademia e Sigurisë dhe Shkolla e Magjistraturës, të cilat mbështeten gjithashtu nga ndihma jonë, kanë një rol vendimtar.
Dëshiroj t’u përcjell falënderime të veçanta gjithë drejtuesve të institucioneve dhe stafit të tyre që përfitojnë nga ky projekt për besimin e ripërtërirë. Ju uroj të gjithëve ta përdorni sa më mirë projektin EU4LEA, i cili mund t'ju ndihmojë të jepni rezultate të prekshme, si dhe ta ndihmojë vendin tuaj të përparojë drejt anëtarësimit në BE.
Faleminderit!