Garanci prej 25 milionë eurosh nga BE-BERZH për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri dhe projektet e gjelbra
-
BERZH dhe BE prezantojnë garancinë e parë të ndarjes së riskut të portofolit në Shqipëri me Union Bank
-
Garanci e pafinancuar prej 25 milionë eurosh për të zhbllokuar deri në 50 milionë euro kredi të reja për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme
-
Një e treta e financimit të garantuar do të shkojë për projekte të gjelbra
Bashkimi Evropian (BE), në partneritet me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), po mbështet Union Bank në Shqipëri me një garanci portofoli të pafinancuar deri në 25 milionë euro. Kjo zgjidhje inovative për ndarjen e riskut është projektuar për të stimuluar kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM), përfshirë projektet e gjelbra, si dhe për të çuar përpara përfshirjen financiare në gjithë vendin.
Garancia, e ofruar në kuadër të ndarjes së riskut të portofolit të BERZH-it, do të mbulojë deri në 50 për qind të riskut të kredisë në një portofol kredie të gjeneruar rishtazi për NVM-të deri në 50 milionë euro që do të burojnë nga Union Bank. Operacioni përfshin mbulimin e riskut të humbjes së parë deri në 2.5 milionë euro të ofruara nga BE-ja përmes Fondit Evropian për Zhvillim të Qëndrueshëm Plus, duke rritur më tej zbutjen e riskut të marrëveshjes.
Ky është projekti i parë i tillë në Shqipëri, i mbështetur te suksesi i Instrumentit të Mbështetjes së Agrobiznesit dhe Turizmit në Shqipëri, dhe shënon një zgjerim të konsiderueshëm të ofertës së produkteve të BERZH-it në vend. Ai është projektuar për të ulur riskun e institucioneve financiare partnere dhe për të trajtuar boshllëqet e vazhdueshme të financimit të NVM-ve, duke i mundësuar gjithashtu atyre të kanalizojnë likuiditetin e tyre në kredi të reja. Struktura ofron lehtësim kapitali dhe forcon qëndrueshmërinë e sektorit bankar, duke hapur mundësi të reja për segmentet e nënpërfaqësuara.
Të paktën 30 për qind e financimit të garantuar do t'i dedikohet projekteve të gjelbra që përputhen me qasjen e BERZH-it për Tranzicionin e Ekonomisë së Gjelbër, duke mbështetur tranzicionin e Shqipërisë drejt një ekonomie më të qëndrueshme. Projekti do të përfitojë gjithashtu nga një paketë bashkëpunimi teknik, e financuar nga BE-ja, për të mbështetur ndërtimin e kapaciteteve për zbatimin e projektit dhe tranzicionin e ekonomisë së gjelbër.
Ekaterina Solovova, Drejtoreshë e BERZH-it për Shqipërinë, tha: "Jemi të kënaqur të bashkëpunojmë me Union Bank për të prezantuar ndarjen e riskut të portofolit në Shqipëri. Duke ndarë riskun dhe duke mbështetur investimet e gjelbra, ne ndihmojmë për zhbllokimin e financimeve të reja për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe promovojmë përfshirjen financiare. Ky projekt tregon angazhimin tonë për të mbështetur rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë".
Ritva Heikkinen, Shefe e Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, tha: “Bashkimi Evropian vazhdon ta mbështesë sektorin privat të Shqipërisë si një nxitës kryesor i rritjes ekonomike, krijimit të vendeve të punës dhe përfshirjes sociale. Përmes kësaj garancie, ne ndihmojmë bankat tregtare të zgjerojnë qasjen në financim për NVM-të – veçanërisht ato të bizneseve të nënpërfaqësuara në zonat rurale të Shqipërisë – duke promovuar gjithashtu investime të gjelbra dhe inovative që janë plotësisht në përputhje me Agjendën e Gjelbër të BE-së. Kjo mbështetje kontribuon në tranzicionin e gjelbër të Shqipërisë dhe progresin e saj drejt anëtarësimit në BE”.
Flutura Veipi, Drejtore Ekzekutive e Union Bank, tha: “Jemi krenarë që thellojmë partneritetin tonë me BERZH-in dhe BE-në përmes kësaj garancie pioniere për ndarjen e riskut të portofolit. Kjo nismë forcon kapacitetin tonë për të ofruar financim më të gjerë dhe më të përballueshëm për NVM-të shqiptare, të cilat mbeten shtylla kurrizore e ekonomisë sonë. Gjithashtu, duke i dedikuar një pjesë të konsiderueshme të fondeve investimeve të gjelbra, ne mbështesim bizneset për kalimin drejt praktikave më efikase dhe më të përgjegjshme ndaj mjedisit. Ky projekt shënon një hap të rëndësishëm në strategjinë e Union Bank për të nxitur rritjen gjithëpërfshirëse dhe për të kontribuar në zhvillimin ekonomik afatgjatë të Shqipërisë”.
BE-ja do të vazhdojë të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme si shtylla kurrizore e ekonomisë së Shqipërisë, ndërkohë që mbështet procesin e anëtarësimit të vendit në BE dhe përshpejton tranzicionin e tij të gjelbër përmes zhvillimit të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të sektorit privat.