Klasa të ngrohta, të ardhme të ndritura: Një kopsht me energji të pastër

Pesëmbëdhjetë fëmijë kopshti luajnë në oborr ndërkohë që u këndojnë kafshëve që duan më shumë, duke filluar me lepurin. Ndërsa njëri prej tyre ulet në mes, të tjerët kërcejnë përreth dhe të qeshurat e tyre jehojnë në mjedisin pranveror. Kopshti i tyre që gjendet në një godinë dykatëshe në Milot është rikonstruktuar në kuadër të projektit "Rrugëtimi drejt përdorimit efikas të burimeve natyrore vendore". Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, projekti përqendrohet në rritjen e kapaciteteve dhe fuqizimin e rrjetëzimit të dy bashkive, asaj të Kurbinit në Shqipëri dhe asaj të Suharekës në Kosovë, si dhe të palëve të tjera të interesit për eficiencën e energjisë dhe çështjet e ndryshimeve klimatike.

Miloti është qytet i ftohtë me reshje të shpeshta, të cilat shpesh shkaktojnë probleme me mykun dhe lagështinë në shkolla dhe godina të tjera. Në kuadër të projektit, masat e eficiencës së energjisë të zbatuara në këtë kopsht përfshinë veshjen e fasadës, instalimin e dritareve termike dhe ngrohjen e ujit me energji diellore. Në kuadër të pajisjes me sistem modern ngrohjeje dhe ajri të kondicionuar, dritaret e vjetra u zëvendësuan me dritare me dopio xham që zvogëlojnë humbjen e nxehtësisë, ndërsa ngrohja e ujit tashmë bëhet me panele diellore. Të gjitha këto ndërhyrje i bëjnë klasat të ngrohta në dimër dhe të freskëta në verë, duke ulur varësinë nga ngrohja, duke përmirësuar kushtet, ulur kostot dhe duke krijuar mjedise më të shëndetshme për fëmijët. Më parë kopshti ngrohej me sobë me dru, që nxirrte tym dhe shkarkime karboni të dëmshme për shëndetin e fëmijëve.

"Kopshti në Milot i është nënshtruar përmirësimeve të konsiderueshme të infrastrukturës dhe ambienteve, që kanë përmirësuar cilësinë e shërbimit që u ofrohet fëmijëve. Si rezultat i përmirësimeve, numri i fëmijëve që janë regjistruar dhe që ndjekin kopshtin është rritur", thotë drejtoresha e shkollës, Miranda Bardhi.

Milot

Synimet e projektit ishin ofrimi i edukimit, trajnimit dhe ngritjes së kapaciteteve, ndërkohë që investonte në masa për eficiencën e energjisë që shërbejnë si shembuj praktikë të të nxënit. "Fëmijët edukohen për eficiencën e energjisë në kopsht, ndërsa prindërit dhe komuniteti vënë re se masat po zbatohen dhe nxiten që edhe vetë të bëjnë investime që marrin në konsideratë këndvështrimin mjedisor. Si përfundim, edhe bashkia përfiton objekte të rinovuara që mbështesin qëndrueshmërinë dhe shërbime të përmirësuara", thotë Erjon Tase, Drejtor Ekzekutiv i Akademisë së Studimeve Politike, që është partneri shqiptar i nismës.

Projekti kërkoi mobilizimin e të gjithë aktorëve që punojnë në nivel vendor me qëllim identifikimin e saktë të nevojave dhe përftimin e panoramës së situatës, ndërkohë që kryhej analizë e plotë në terren. "Identifikimi i profileve të konsumit të energjisë dhe ndërgjegjësimi i popullsisë në zonat e synuara, si dhe i bizneseve dhe punonjësve të autoriteteve vendore për eficiencën e energjisë dhe çështjet e klimës, siguruan një instrument të shkëlqyer për angazhimin me palët e interesit dhe identifikimin e qartë të masave që duheshin marrë", thekson ai.

Mbrojtja e mjedisit, nxitja e përshtatjes dhe zbutjes së ndryshimeve klimatike dhe mbështetja e parandalimit dhe menaxhimit të riskut ishin ndër synimet kyçe të projektit. Burimet mjedisore në fushën e programit u mbrojtën, ruajtën dhe valorizuan më tej.

Milot

"Në kuadër të projektit, punonjësit e Bashkisë Kurbin ndoqën trajnime dhe u hartua plani i parë vendor për eficiencën e energjisë. Ky plan përvijon masat që bashkia duhet të marrë gjatë tre ose katër viteve të ardhshme për arritjen e disa objektivave të caktuara. Ai merr në konsideratë godinat publike, kopshtet, shkollat, spitalet, institucionet kulturore, si edhe zjarrfikësit për të trajtuar konsumin e energjisë dhe identifikimin e mundësive për tranzicion drejt energjisë së pastër", shpjegon Tase. Ai shton se personeli i bashkisë u njoh edhe me politikat më të fundit kombëtare dhe të BE-së për eficiencën e energjisë dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të energjisë.

Për më tepër, projekti u përqendrua në ndërgjegjësimin e qytetarëve. Në Kurbin u organizua një panair ku u shfaqën elektroshtëpiake, pajisje dhe materiale me performancë të lartë energjie, si dhe produkte e shoqëri vendore që ofrojnë zgjidhje energjetike të pastra, si dritaret dopio xham, materialet e izolimit termik, panelet diellore dhe llambat LED. Përmes kësaj nisme, u arrit kryesisht objektivi i nxitjes së bizneseve që të kuptojnë dhe pranojnë rëndësinë e energjisë së rinovueshme.

Milot

Energjia e pastër është element qendror i luftës kundër ndryshimeve klimatike duke pakësuar shkarkimet e gazeve, përmirësuar shëndetin publik, ulur kostot afatgjata të energjisë dhe mbështetur rritjen e qëndrueshme ekonomike, ndërkohë që siguron energji të besueshme dhe të përballueshme për komunitetet.

 

INFORMACION MBI KONTEKSTIN

Projekti "Rrugëtimi drejt përdorimit efikas të burimeve natyrore vendore" u financua nga Programi Ndërkufitar Shqipëri-Kosovë në kuadër të Instrumentit të Paraanëtarësimit IPA II të Bashkimit Evropian. Objektivi i tij ishte fuqizimi i kapaciteteve të administratorëve dhe komuniteteve vendore për planifikimin dhe zbatimin e masave të eficiencës së energjisë dhe energjisë së rinovueshme, me qëllim shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve. Projekti hartoi plane vendore gjithëpërfshirëse veprimi për pakësimin e konsumit të lëndëve djegëse fosile dhe ndotjes përmes nismave për eficiencën e energjisë. Ai gjithashtu pilotoi investime në eficiencën e energjisë dhe energjinë e rinovueshme me qëllim nxitjen e veprimeve të ngjashme nga ana e bizneseve dhe qytetarëve vendorë. Për më tepër, veprimtaritë e ndërgjegjësimit dhe shkëmbimet e njohurive ndërmjet aktorëve vendorë u organizuan me qëllim nxitjen e bashkëpunimit dhe praktikave të qëndrueshme.