Komisioni miraton Paketën e Zgjerimit 2023, rekomandon hapjen e negociatave me Ukrainën dhe Moldavinë, dhënien e statusit kandidat Gjeorgjisë, si dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit me BH-në, pas arritjes së shkallës së duhur të përputhshmërisë

Sot, Komisioni Evropian miratoi Paketën e Zgjerimit 2023, duke ofruar një vlerësim të hollësishëm të gjendjes dhe progresit të bërë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Turqia, si dhe për herë të parë edhe Ukraina, Republika e Moldavisë dhe Gjeorgjia, në rrugët e tyre përkatëse drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në veçanti, raporti fokusohet te progresi në zbatimin e reformave themelore, si dhe te dhënia e udhëzimeve të qarta për prioritetet e reformave të ardhshme. Anëtarësimi është dhe do të mbetet një proces i bazuar në merita, plotësisht i varur nga progresi objektiv i arritur nga secili vend.

Në dritën e rezultateve të arritura nga Ukraina dhe Moldavia, si dhe të përpjekjeve të vazhdueshme për reforma, Komisioni ka rekomanduar që Këshilli të hapë negociatat e anëtarësimit me të dy vendet. Për më tepër, Komisioni rekomandon që Këshilli të miratojë kornizat e negociatave pasi Ukraina dhe Moldavia të kenë miratuar disa masa kyçe. Komisioni është i gatshëm t'i raportojë Këshillit deri në mars 2024 mbi progresin në lidhje me këto masa.

Në rastin e Gjeorgjisë, në dritën e rezultateve të arritura, Komisioni rekomandon që Këshilli t'i japë Gjeorgjisë statusin e vendit kandidat me kusht që të jenë ndërmarrë një sërë hapash.

Kur bëhet fjalë për Bosnje-Hercegovinën, Komisioni rekomandon hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje-Hercegovinën pasi të arrihet shkalla e nevojshme e pajtueshmërisë me kriteret e anëtarësimit. Vendi tani duhet të bëjë përpjekje të mëtejshme për të përmbushur prioritetet kyçe të përcaktuara në Opinionin e Komisionit për aplikimin e tij për anëtarësim të vitit 2019. Komisioni do ta monitorojë vazhdimisht progresin dhe përputhshmërinë në të gjitha fushat lidhur me hapjen e negociatave dhe do t'i raportojë Këshillit jo më vonë se marsi 2024.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha: "Zgjerimi është një politikë jetike për Bashkimin Evropian. Plotësimi i Bashkimit tonë është thirrja e historisë, horizonti natyror i Bashkimit tonë. Plotësimi i Bashkimit tonë ka gjithashtu një logjikë të fortë ekonomike dhe gjeopolitike. Zgjerimet e kaluara kanë treguar përfitime të mëdha si për vendet e anëtarësimit ashtu edhe për BE-në. Ne të gjithë fitojmë".

Në Ukrainë, vendimi për dhënien e statusit të kandidatit në BE krijoi një dinamikë të fuqishme reformash, pavarësisht luftës në vazhdim, me mbështetje të fortë nga populli i Ukrainës. Qeveria dhe parlamenti ukrainas treguan vendosmëri duke bërë progres thelbësor në përmbushjen e 7 hapave të Opinionit të Komisionit Evropian për aplikimin e Ukrainës për anëtarësim në BE. Ukraina ka krijuar një sistem transparent parazgjedhjeje për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe ka reformuar organet e qeverisjes gjyqësore. Ajo ka zhvilluar më tej historikun e saj të hetimeve dhe dënimeve për korrupsion të nivelit të lartë dhe ka forcuar kuadrin e saj institucional. Ukraina ka ndërmarrë hapa pozitivë në një përpjekje më të gjerë dhe sistematike për të trajtuar ndikimin e oligarkëve. Vendi ka demonstruar gjithashtu kapacitetin e vet për të bërë përparim në përafrimin me acquis të BE-së, edhe gjatë kohës së luftës.

Moldavia ka bërë progres të rëndësishëm në përmbushjen e 9 hapave të përcaktuar në Opinionin e Komisionit për aplikimin e Moldavisë për anëtarësim në BE. Ajo ka nisur një reformë gjithëpërfshirëse në drejtësi pas rekomandimeve të Komisionit të Venecias, duke përfshirë vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të shquar. Vendi reformoi organet e tij të luftës kundër korrupsionit dhe rriti numrin e hetimeve dhe dënimeve në rastet e korrupsionit. Moldavia miratoi një plan veprimi për deoligarkizimin, të cilin e zbaton sipas afateve kohore të përcaktuara. Legjislacioni i ri për të ngritur një mekanizëm konfiskimi ndihmon në luftën kundër krimit të organizuar. Vendi ka miratuar një strategji të administratës publike dhe ndjek reformën në të gjitha nivelet. Ai ka punuar për të reformuar menaxhimin e financave publike dhe ka miratuar legjislacionin për të reformuar prokurimin publik. Moldavia ka rritur pjesëmarrjen e shoqërisë civile në procesin e vendimmarrjes dhe ka forcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Gjeorgjia ka ndërmarrë hapa për të forcuar angazhimin me BE-në dhe për të rritur ritmin e reformave në muajt e fundit. Për të trajtuar dymbëdhjetë prioritetet e identifikuara në Opinionin e Komisionit për aplikimin për anëtarësim, Gjeorgjia ka miratuar akte legjislative dhe masa politike për barazinë gjinore, për luftën kundër dhunës ndaj grave dhe krimit të organizuar, si dhe duke marrë parasysh vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Është bërë një reformë në drejtësi, megjithëse nevojitet ende një reformë gjithëpërfshirëse e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Gjeorgjia ka ndarë ligjet, si dhe planin e vet të veprimit për deoligarkizimin me Komisionin e Venecias për një opinion. Është miratuar një strategji për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe është duke u përpunuar një plan veprimi. Është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me përfaqësues të shoqërisë civile. Ndërtimi i një konsensusi të fortë politik ndërpartiak do të kontribuonte për trajtimin e polarizimit dhe do të përshpejtojë rrugën e saj evropiane.

Ballkani Perëndimor

Progresi në reformat e anëtarësimit në BE ka ngecur gjerësisht, pasi Mali i Zi ka vuajtur nga polarizimi i thellë dhe paqëndrueshmëria politike në periudhën raportuese. BE-ja mirëpret konstituimin e parlamentit të ri dhe formimin e qeverisë, nga e cila presim të demonstrojë me shpejtësi kapacitetin dhe përkushtimin e saj në rrugën e Malit të Zi drejt BE-së, si dhe të zbatojë reformat në lidhje me anëtarësimin në BE. Në përgjithësi, progresi në negociatat e anëtarësimit do të varet nga reformat në fushën e shtetit të së drejtës (d.m.th., përmbushja e standardeve të përkohshme të përcaktuara në Kapitujt 23 dhe 24). Mali i Zi vazhdon të përafrohet plotësisht me Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe të Jashtme.

Serbia ka vazhduar zbatimin e reformave në lidhje me anëtarësimin në BE, duke përfshirë edhe në fushën e shtetit të së drejtës. Serbia nisi zbatimin e amendamenteve kushtetuese të vitit 2022 për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe miratoi legjislacionin e ri për median. Zbatimi i këtij të fundit mund të përmirësojë ndjeshëm mjedisin rregullator. Megjithatë, do të nevojiten ndryshime të mëtejshme për të qenë plotësisht në përputhje me acquis të BE-së dhe standardet evropiane. Serbia duhet të përmirësojë, si çështje me përparësi, përafrimin e saj me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë masat kufizuese dhe deklaratat ndaj Rusisë. Nevojitet gjithashtu punë e mëtejshme dhe angazhim politik për zbatimin e reformave në fushën e shtetit të së drejtës. Vlerësimi i Komisionit mbetet se Serbia ka përmbushur teknikisht standardet për hapjen e grupimit 3 (konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse). Serbia duhet të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të siguruar përgjegjshmërinë për sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe sulmin ndaj KFOR-it më 29 maj. Për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, ndërsa është arritur një marrëveshje në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, Serbia dhe Kosova ende nuk kanë nisur zbatimin e detyrimeve të tyre përkatëse, të cilat janë të detyrueshme për palët dhe një pjesë kyçe e rrugëve të tyre evropiane.

Në Maqedoninë e Veriut, autoritetet kanë deklaruar vazhdimisht se anëtarësimi në BE mbetet qëllimi i tyre strategjik. Maqedonia e Veriut ka vazhduar të përafrohet plotësisht me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së. Vendi ka bërë gjithashtu njëfarë progresi në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, duke përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe menaxhimin e migracionit. Si vend negociues, Maqedonia e Veriut duhet të përmbushë zbatimin e reformave të lidhura me BE-në, duke përfshirë gjyqësorin, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformën e administratës publike, përfshirë menaxhimin e financave publike, si dhe prokurimin publik. Maqedonia e Veriut është zotuar të fillojë dhe të arrijë ndryshimet kushtetuese përkatëse si çështje prioritare, me synimin që të përfshijë qytetarët që janë pjesë e popujve të tjerë. Procesi i shqyrtimit të acquis të BE-së ka përparuar pa probleme dhe autoritetet kanë treguar një nivel të lartë përkushtimi. Komisioni i paraqiti Këshillit raportet e shqyrtimit për “grupimin e bazave” për Maqedoninë e Veriut në korrik dhe pret me padurim një vijim të shpejtë, me synimin hapjen e negociatave për këtë grupim deri në fund të vitit.

Shqipëria ka vazhduar të demonstrojë vendosmërinë e saj për të zbatuar reformat e BE-së dhe për të bërë

përparim me reformat e “grupkapitujve të Bazave”. Përafrimi i vazhdueshëm i plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së ishte gjithashtu një sinjal i fortë i zgjedhjes strategjike të vendit për anëtarësim në BE. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për lirinë e shprehjes, çështjet e pakicave dhe të drejtat pronësore, si dhe në fusha kyçe të shtetit të së drejtës, si lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Procesi i shqyrtimit të acquis të BE-së ka përparuar pa probleme dhe autoritetet kanë treguar një nivel të lartë përkushtimi. Komisioni i paraqiti Këshillit raportet e shqyrtimit mbi “grupkapitujt e Bazave” për Shqipërinë në korrik dhe pret me padurim një vijim të shpejtë. Ai synon që në fund të vitit të hapë negociatat e anëtarësimit për grupimin 1 (bazat).

Në Bosnje dhe Hercegovinë, statusi i kandidatit të vitit të kaluar solli një dinamikë pozitive shumë të nevojshme. Një qeveri e re është krijuar me shpejtësi pas zgjedhjeve dhe ka nisur të japë rezultate me reformat, veçanërisht përmes amendamenteve që kanë futur verifikimin e integritetit në gjyqësor. Megjithatë, nevojiten përpjekje të mëtejshme. Kjo përfshin miratimin e reformave të rëndësishme të shtetit të së drejtës dhe gjyqësorit, si dhe përparimin me reformat kushtetuese e zgjedhore, të cilat janë prioriteti më i madh për të garantuar të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët. Është gjithashtu e rëndësishme ruajtja e rendit kushtetues të vendit. Masat secesioniste dhe autoritare të marra në entitetin Republika Srpska nuk janë në përputhje me rrugën e BE-së. Kërkohen përpjekje të mëtejshme që Bosnja dhe Hercegovina të përmbushë prioritetet kyçe të përcaktuara në Opinionin e Komisionit për aplikimin e saj për anëtarësim. Prandaj, Komisioni rekomandon hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Bosnjën dhe Hercegovinën, pasi të arrihet shkalla e nevojshme e përputhshmërisë me kriteret e anëtarësimit.

Kosova ka mbetur e përkushtuar në rrugën e saj evropiane. Ajo ka vazhduar të përafrohet plotësisht dhe vullnetarisht me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, duke përfshirë dënimin e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe miratimin e masave kufizuese kundër saj. Periudha raportuese dëshmoi arritje legjislative, duke përfshirë një reformë të rëndësishme zgjedhore. Megjithatë, duhet bërë më shumë punë, duke përfshirë planin e veprimit për reformat në drejtësi. Më 1 janar 2024, do të hyjë në fuqi liberalizimi i vizave për Kosovën. Situata në veri të Kosovës është prekur nga disa kriza, më e fundit është sulmi i dhunshëm kundër policisë së Kosovës më 24 shtator 2023. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ndërsa është arritur një marrëveshje në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si Kosova ashtu dhe Serbia ende nuk kanë nisur zbatimin e detyrimeve të tyre përkatëse, të cilat janë të detyrueshme për palët dhe një pjesë kyçe e rrugëve të tyre evropiane.

Turqia mbetet një partner kyç për Bashkimin Evropian dhe një vend kandidat, por negociatat e anëtarësimit mbeten të bllokuara që nga viti 2018, në përputhje me vendimin e Këshillit Evropian. Vendi nuk e ka kthyer tendencën negative të largimit nga Bashkimi Evropian dhe i ka ndjekur reformat që lidhen me anëtarësimin në një shkallë të kufizuar. Bashkëpunimi me Turqinë në fusha me interes të përbashkët ka vazhduar në fusha thelbësore si kundër-terrorizmi, ekonomia, energjia, siguria ushqimore, migrimi dhe transporti. Turqia duhet të ndërmarrë hapa vendimtarë për të përmirësuar ndjeshëm përafrimin me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së dhe për të rritur bashkëpunimin për parandalimin dhe zbulimin e anashkalimit të masave kufizuese. Pas detyrës së caktuar nga Këshilli Evropian, Përfaqësuesi i Lartë dhe Komisioni do t'i paraqesin Këshillit një raport në nëntor mbi gjendjen e marrëdhënieve BE-Turqi, duke u mbështetur tek instrumentet dhe opsionet e identifikuara nga Këshilli Evropian, me synimin për të vazhduar në mënyrë strategjike dhe largpamëse.

Hapat e ardhshëm

Tani i takon Këshillit të shqyrtojë rekomandimet e sotme të Komisionit dhe të marrë vendime për hapat e ardhshëm në procesin e zgjerimit.

Për më shumë informacion:

Komunikatë e Komisionit

Për gjetjet dhe rekomandimet e hollësishme për secilin vend, shihni:

Shqipëria: MEMORANDUM; Raport; Skeda informative e vendit

Bosnja dhe Hercegovina: MEMORANDUM; Raport; Skeda informative e vendit

Kosova: MEMORANDUM; Raport; Skeda informative e vendit

Mali i Zi: MEMORANDUM; Raport; Skeda informative e vendit

Maqedonia e Veriut: MEMORANDUM; Raport; Skeda informative e vendit

Serbia: MEMORANDUM; Raport; Skeda informative e vendit

Turqia: MEMORANDUM; Raport; Skeda informative e vendit

Ukraina: MEMORANDUM; Raport; Skeda informative e vendit

Moldavia: MEMORANDUM; Raport; Skeda informative e vendit

Gjeorgjia: MEMORANDUM; Raport; Skeda informative e vendit

 Për informacion më të përgjithshëm

 Skedë informative – Procesi i anëtarësimit në BE hap pas hapi

 Skedë informative – Plani i ri i Rritjes për Ballkanin Perëndimor