Mbështetja e BE-së fuqizon infrastrukturën bujqësore për sherbelën, livandon dhe trumzën
Në të gdhirë në Koplik, gratë shkojnë në fusha rreth orës 4 apo 5 të mëngjesit dhe duart u lëvizin shpejt e shpejt ndër radhët e livandos teksa rrezet e para ndriçojnë tokën e gurtë. Ky është rituali i përditshëm në fund të qershorit dhe fillim të korrikut në 'Happy farmers' kur mbledhin lulet e purpurta të livandos, që vlerësohet për aromën e veçantë dhe rolin e konsiderueshëm në industrinë mjekësore. Duke dhënë kontribut për mirëqenien, por edhe për zhvillimin e qëndrueshëm, këto bimë janë kthyer në traditë dhe mundësi gjithashtu.
Në pamje të parë, procesi mund të duket i thjeshtë, sepse fermerët i kanë përsosur praktikat e tyre nga përvoja. Megjithatë, në realitet procesi kërkon punë sistematike dhe njohuri të kujdesshme. Pastrimi duhet të bëhet në momentin e duhur dhe është thelbësore të dallohet mirë kur lulet janë gati për mbledhje. Mbledhja e tyre përpara kohe mund ta vërë lulen në vështirësi duke prishur ciklin natyror dhe duke shkaktuar tharje të parakohshme. Të drejtuar nga njohuria dhe përvoja, fermerët respektojnë ritmin e bimës, ruajnë shëndetin e tyre dhe sigurohen që cilësia e produktit të përputhet me standardin e kërkuar në treg.
EU Delegation to Albania
Sherbela mbizotëron fushat në zonën e Koplikut duke zënë thuajse 80 përqind të hapësirës së kultivuar, ndërsa livando dhe trumza po fitojnë terren, ndërsa rigoni po provohet si kulturë e re. Këto bimë janë ideale për kultivim për shkak të ajrit të pastër të zonës dhe lartësisë së madhe dhe ato përshtaten fare mirë me tokën gëlqerore dhe kurore të Malësisë së Madhe. "Shqipëria ka eksportuar sherbelë këtu e 50 vjet të shkuara. Megjithatë, sot Malësia e Madhe siguron thuajse 80 përqind të eksporteve të sherbelës së vendit, sukses ky i nxitur nga kushtet natyrore unike, ditët e bollshme me diell, terreni guror i qëndrueshëm dhe toka gëlqerore që mëkon rritjen e mirë të bimëve medicinale," shpjegon Çeraj.
Duke qenë se gjatë verës tharja kërkon vetëm 2 ose 3 ditë, në dimër ka nevojë për investime paralele në kapacitete përpunimi dhe magazinimi dhe procesi i tharjes është një prej hapave më kritikë për ruajtjen e cilësisë së produktit gjatë periudhës së lagësht dhe me reshje. Ferma ka filluar me veprimtari modeste në vitin 2018 me vetëm 0,5 hektarë.
EU Delegation to Albania
Sot, ajo shtrihet në 150 hektarë, prodhon 300 deri 400 kuintalë bimë medicinale të thata në vit dhe megjithëse prodhimi varet shumë nga moti, reshjet pranverore në veçanti janë vendimtare për prodhimin. Me këtë zgjerim janë shtuar paralelisht nevojat për ambiente për tharje dhe magazinim, sepse ruajtja e njëtrajtshmërisë dhe përmbushja e standardeve të tregut kërkon infrastrukturën e duhur. "Për këtë arsye, kapaciteti për tharje është kthyer në nevojë thelbësore. Ambientet tona ishin të kufizuara, por po vijojmë t'i zgjerojmë hap pas hapi për të arritur ritmin e prodhimit dhe për të siguruar cilësi.
Përmes Challenge Fund, BE për Inovacionin mbështeti 'Happy Farmers' të Çerajt me kapanonin e tharjes duke sjellë pikë të rëndësishme kthese.
"Sherbela është kultura mbizotëruese në zonën tonë dhe për shkak se mblidhet dy herë në vit me mbledhjen e dytë në tetor dhe nëntor, tharja e përshtatshme është absolutisht thelbësore për ruajtjen e cilësisë dhe përmbushjen e standardeve të eksportit. Pa tharje të qëndrueshme, produkti rrezikon të humbë aromën, ngjyrën dhe pastërtinë, që janë elemente kritike për konkurrencën jashtë vendit. Kapacitetin e kishim të kufizuar përpara se të kishim kapanonin dhe ishim të pasigurt sa herë afronte stina e shirave. Mbështetja e përfituar përmes fondeve të BE-së na mundësoi ta bënim planin realitet. Kapanoni i tharjes sot është më shumë se thjesht infrastrukturë. Është garancia se produktet tona mund të shkojnë në tregjet ndërkombëtare me cilësinë që kërkohet atje," shprehet ai.
EU Delegation to Albania
Ndërkohë që eksporti i drejtpërdrejtë është ende sfidë, fermerët po krijojnë partneritete me grumbulluesit e mëdhenj për të arritur në tregjet e BE-së. Bimët kanë dy cilësi të veçanta: nga njëra anë ajo është produkt i nivelit industrial që përdoren për kozmetikë dhe farmaceutikë, ndërsa nga ana tjetër bima mund të përgatitet për konsumatorin në formën e çajit bimor. Në të dy rastet, ajo duhet të jetë e pastër, e pandotur dhe të kalojë një sërë filtrash me analiza.
Këto bimë janë kultivuar nga breza të tërë fermerësh në Malësinë e Madhe duke i përshtatur ato nga bimë të egra malore në kulturë fushe. Çeraj ka mësuar nga familja e tij që ka punuar me këto bimë më parë. Ai tani studion për siguri ushqimore dhe shkenca bujqësore, çka e ndihmon të kombinojë njohuritë tradicionale me ndërgjegjësimin shkencor.
Informacion mbi kontekstin
BE për Inovacionin ka luajtur rol kyç për nxitjen e bashkëpunimit dhe angazhimit me ekosistemin e start-up-eve dhe inovacionit në Shqipëri dhe ka rritur vizibilitetin e sektorit duke mbështetur më shumë se 100 aktivitete të ekosistemit gjatë periudhës së zbatimit të projektit. Bashkimi Evropian, Gjermania dhe Suedia po punojnë për krijimin e vendeve të punës me paga të larta në Shqipëri, duke zhvilluar ekonominë e inovacionit. Përmes Challenge Fund, BE për Inovacionin ka krijuar një instrument konkurrues financimi që përdoret për trajtimin e çështjes së qasjes në financim për shoqëritë inovatore në të gjitha fazat e zhvillimit (ideja, verifikimi, rritja dhe zgjerimi). Vizioni i Challenge Fund është përmirësimi i ekosistemit dinamik të inovacionit përmes sigurimit të financimit për shoqëritë më premtuese, duke i mundësuar këtyre të kalojnë 'luginën e vështirësive' dhe të zgjerojnë bizneset e tyre inovative, ndërkohë që kërkojnë zgjidhje inovatore që shfrytëzojnë dijet e Shqipërisë dhe krijojnë përmirësim dhe vlerë përmes ideve, metodave dhe produkteve të reja.