Përgatitja për një Bashkim Evropian më të gjerë

Komisioni Evropian ka miratuar një paketë mbi rishikimet e politikave para zgjerimit, duke përcaktuar orientimet e politikave dhe masat e nevojshme për ta përgatitur Bashkimin Evropian për zgjerimet e ardhshme.

Siç u njoftua nga Presidentja Von der Leyen në fjalimin e saj mbi gjendjen e Bashkimit Evropian për vitin 2023 dhe siç është mandatuar nga Këshilli Evropian, masat e propozuara sot përgatisin qeverisjen, politikat dhe buxhetin e Bashkimit Evropian për zgjerimin, duke forcuar njëkohësisht mbrojtjen e vlerave të Bashkimit Evropian dhe sundimin e ligjit.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha: “E ardhmja e Evropës varet nga zgjedhjet që bëjmë sot. Zgjerimi i Bashkimit tonë është një imperativ gjeopolitik. Sot, ne po hedhim themelet për të garantuar që një Bashkim Evropian më i madh të jetë gjithashtu edhe më i fortë: më i qëndrueshëm, më efektiv dhe i ankoruar fort në vlerat dhe rregullat që na përcaktojnë. Ndërsa vendet në zgjerim përparojnë në rrugën e tyre të reformave, BE-ja duhet të jetë gati t'i mirëpresë ato. Kjo do të thotë përgatitje e institucioneve tona, përshtatje e politikave tona me realitetet e reja dhe garantimin që buxheti ynë të pasqyrojë ambiciet tona të përbashkëta”.

Në paketën e sotme, Komisioni ofron një vlerësim të thelluar të politikave tona në dritën e zgjerimeve të ardhshme. Ai përcakton se si mund të përdoret korniza ekzistuese e Traktatit dhe traktatet e ardhshme të anëtarësimit për ta përgatitur Bashkimin Evropian për një anëtarësim më të madh.

Ai gjithashtu propozon një sërë masash mbrojtëse për traktatet e ardhshme të anëtarësimit, duke përfshirë masa mbrojtëse më të forta sektoriale, si dhe një klauzolë të re mbrojtëse institucionale, për të garantuar që angazhimet e ndërmarra gjatë negociatave të anëtarësimit të vazhdojnë të përmbushen në mënyrë të qëndrueshme pas anëtarësimit.

Paketa gjithashtu përforcon procesin gradual të integrimit duke e bërë atë më koherent, më të strukturuar dhe më të parashikueshëm. Ky proces i përmirësuar do t’i mbështesë më tej vendet kandidate që të përgatiten për anëtarësim përmes pjesëmarrjes së hershme në politikat e zgjedhura të Bashkimit Evropian, me kusht që të përmbushen kushtet. Kjo mund të ndërtojë kapacitete administrative, të forcojë përgatitjen për anëtarësim dhe të ofrojë përfitime të prekshme për qytetarët dhe bizneset si në BE ashtu edhe në vendet në zgjerim para anëtarësimit. Pjesëmarrja do të mbetet e bazuar në meritë, e kushtëzuar dhe e kthyeshme, si dhe do të varet nga gatishmëria e politikave dhe përafrimi strategjik.

Paketa e sotme do të kontribuojë për diskutimin strategjik midis Shteteve Anëtare mbi zgjerimin dhe reformat, duke përfshirë edhe Këshillin Evropian në tetor. Ajo do të udhëheqë punën me Parlamentin Evropian dhe Këshillin për përshtatjet institucionale dhe operacionale të kërkuara për anëtarësimet e ardhshme.

Përshtatja e politikave për një Bashkim Evropian më të gjerë

Rishikimet e politikave të paraqitura sot tregojnë se Bashkimi Evropian mund të akomodojë një anëtarësim më të madh brenda kornizës ekzistuese të Traktatit dhe traktateve të anëtarësimit. Në të gjitha fushat e politikave, kapaciteti administrativ dhe zbatimi janë kërkesat më të përsëritura, si brenda BE-së ashtu edhe në vendet në zgjerim. Aftësitë, kapaciteti rregullator dhe mbikëqyrës, sistemet ndërvepruese dhe bashkëpunimi midis administratave duhet dhe do të forcohen para anëtarësimit.

Sa i përket rregullimeve buxhetore, rishikimet e politikave nënvizojnë se buxheti i Bashkimit Evropian mund të akomodojë Shtete të reja Anëtare, ndërsa vazhdon të financojë prioritetet ekzistuese të Bashkimit Evropian. Sipas propozimit të ardhshëm të Kornizës Financiare Shumëvjeçare për periudhën 2028-2034, kandidatët do të financohen në kuadër të Evropës Globale para anëtarësimit; në momentin e anëtarësimit, kjo do të kalojë në Planet e Partneritetit Kombëtar dhe Rajonal të Shtetit të ri Anëtar me fonde shtesë për kohezionin, bujqësinë, çështjet e brendshme dhe Interreg-un. Për Ukrainën, duke pasur parasysh shkallën, strukturën dhe produktivitetin shumë të lartë të sektorit të saj bujqësor, marrëveshjet e synuara duhet të kufizojnë ndjeshëm mbështetjen financiare dhe qasjen në treg për produkte bujqësore të ndjeshme, duke e ndihmuar njëkohësisht Ukrainën të rifitojë qasje në tregjet tradicionale të eksportit të saj në vendet e treta.

Forcimi i qeverisjes për një Bashkim Evropian më të madh

Në mjedisin aktual gjeopolitik, BE-ja duhet ta përshtatë qeverisjen e saj për ta bërë vendimmarrjen më të shpejtë dhe më efektive. Duke shfrytëzuar sa më shumë mundësitë në kuadër të traktateve, Bashkimi Evropian mund të forcojë aftësinë e tij për të vepruar, për t'u përgatitur për anëtarët e ardhshëm, si dhe për t'u pajisur më mirë për të ardhmen.

Për këtë qëllim, Komisioni do të vazhdojë të mbështesë përdorimin e klauzolave ​​kalimtare për të kaluar nga unanimiteti në votim me shumicë të cilësuar në fusha kyçe si sanksionet, mashtrimet tatimore dhe masat fiskale në politikën energjetike. Përveç kësaj, Komisioni do të shqyrtojë propozimet në pritje për të identifikuar se ku mund të ndihmojë bashkëpunimi i zgjeruar për kapërcimin e një bllokimi të vazhdueshëm. Në fushën e zgjerimit, Komisioni sugjeron përdorimin e votimit me shumicë të cilësuar për hapjen e grupkapitujve negociues dhe vendimeve të tjera të ndërmjetme për negociatat e anëtarësimit, duke e bërë procesin më dinamik.

Komisioni gjithashtu propozon të shqyrtojë me Parlamentin Evropian dhe Këshillin një trajtim më efektiv të procedurave të Nenit 7, duke përfshirë edhe afatet e mundshme kohore. Raportet vjetore të Zgjerimit dhe Sundimit të Ligjit do të vazhdojnë të shërbejnë si mjetet kryesore të monitorimit, ndërsa do të shtrihen në vende të tjera kandidate, kur këto vende të jenë gati.

Integrimi gradual i vendeve kandidate në BE

Integrimi më i ngushtë do të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët dhe bizneset si në BE ashtu edhe në vendet kandidate. Komisioni do të hartëzojë instrumentet ekzistuese të integrimit gradual dhe do të identifikojë mundësitë për ta thelluar integrimin në sektorë strategjikë si energjia, transporti, digjitalizimi dhe mbrojtja. Ai do ta plotësojë dhe përforcojë procesin e anëtarësimit, do të ndërtojë kapacitete administrative dhe besim të ndërsjellë, ndërsa mbetet i kushtëzuar dhe i kthyeshëm. Komisioni do të ndërmarrë dialogë vjetorë me partnerët e zgjerimit për të ndjekur progresin, për të identifikuar mundësitë, si dhe për të trajtuar boshllëqet në integrimin gradual.

Masat mbrojtëse sektoriale dhe institucionale

Siç u njoftua në Komunikatën e vitit 2025 mbi politikën e zgjerimit të BE-së, traktatet e ardhshme të anëtarësimit duhet të përfshijnë masa mbrojtëse më të forta kundër prapakthimit serioz në angazhimet e ndërmarra gjatë negociatave të anëtarësimit. Sot, Komisioni po propozon një kornizë të përbashkët për këto masa mbrojtëse. Traktatet e ardhshme të anëtarësimit do të forcojnë masat mbrojtëse ekzistuese sektoriale dhe do të prezantojnë një mbrojtje të re institucionale. Në veçanti, periudha gjatë së cilës masat mbrojtëse mund të aktivizohen në fusha të tilla si ekonomia, tregu i brendshëm dhe drejtësia dhe punët e brendshme, do të zgjatej ndjeshëm pas anëtarësimit. Një mbrojtje e dedikuar institucionale do të trajtonte shkeljet serioze të vlerave të Nenit 2 të TBE-së dhe parimin e bashkëpunimit të sinqertë. Në rastet më serioze, masat mund të përfshijnë pezullimin e të drejtave të votimit në Këshill. Marrëveshjet kalimtare mund të përdoren gjithashtu kur është e nevojshme, duke përfshirë lëvizjen e lirë të punëtorëve dhe shërbimeve, bujqësinë, produktet e ndjeshme, financimin dhe pjesëmarrjen në sistemet e përbashkëta. Për një periudhë të kufizuar, një Shtet Anëtar i ri mund të angazhohet gjithashtu që të mos bllokojë zgjerimet e ardhshme për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe.

Hapat e ardhshëm

Komisioni fton Këshillin Evropian dhe Parlamentin Evropian të përparojnë me diskutimet dhe përgatitjet institucionale, si dhe me masat politike.

Si pjesë e paketës së Zgjerimit të vitit 2026, Komisioni do të paraqesë udhërrëfyes orientues për Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën, me kusht që ato të ruajnë vrullin e reformave. Ai gjithashtu do të paraqesë një qasje koherente për integrimin gradual, duke përfshirë një hartëzim të fushave strategjike.

Komisioni do të punojë gjithashtu me Shtetet Anëtare dhe vendet kandidate për përafrimin e negociatave të anëtarësimit me përgatitjet e brendshme të Bashkimit Evropian.

Konteksti

Në fjalimin e saj mbi gjendjen e Bashkimit Evropian të vitit 2023, Presidentja Von der Leyen i bëri thirrje Bashkimit Evropian t’i përshtatej vendosmërisë së vendeve në zgjerim dhe njoftoi për rishikime të politikave para zgjerimit. Deklarata e Granadës, e po atij viti, përcaktoi përgjegjësitë paralele të vendeve në zgjerim për të çuar përpara reformat e tyre dhe të Bashkimit Evropian për të ndërmarrë përgatitjet e nevojshme të brendshme. Komunikata e Komisionit e marsit 2024 mbi rishikimet e politikave para zgjerimit përshkroi një program pune që mbulonte katër fusha: vlerat, politikat, buxhetin dhe qeverisjen. Në qershor 2024, Këshilli Evropian miratoi një plan veprimi për punën e ardhshme me reformat e brendshme dhe e ftoi Komisionin të paraqesë rishikime të thelluara të politikave me elementë operacionalë në këto katër fusha.

Në Udhëzimet Politike për periudhën 2024–2029, Komisioni u zotua të paraqesë propozime për të forcuar aftësinë e Bashkimit Evropian për të vepruar. Paralelisht, Parlamenti Evropian përcaktoi qëndrimin e tij përmes propozimeve të vitit 2023 për reformën e Traktatit si dhe raportit dhe rezolutës së tij të vitit 2025 mbi pasojat institucionale të negociatave të zgjerimit.

For more information

Pyetje dhe përgjigje

Komunikata "Përgatitja për një Bashkim Evropian më të gjerë"

Dokument pune i stafit mbi shqyrtimet e politikave para zgjerimit

Citime



E ardhmja e Evropës varet nga zgjedhjet që bëjmë sot. Zgjerimi i Bashkimit tonë është një imperativ gjeopolitik. Sot, ne po hedhim themelet për të garantuar që një Bashkim Evropian më i madh të jetë gjithashtu edhe më i fortë: më i qëndrueshëm, më efektiv dhe i ankoruar fort në vlerat dhe rregullat që na përcaktojnë. Ndërsa vendet në zgjerim përparojnë në rrugën e tyre të reformave, BE-ja duhet të jetë gati t'i mirëpresë ato. Kjo do të thotë përgatitje e institucioneve tona, përshtatje e politikave tona me realitetet e reja dhe garantimin që buxheti ynë të pasqyrojë ambiciet tona të përbashkëta.

Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian


Vlerësimi ynë tregon se BE-ja mund të akomodojë një anëtarësim më të madh. Por ka fusha ku shohim sfida që duhet t'i trajtojmë. Njëra prej tyre është sundimi i ligjit dhe bashkëpunimi i sinqertë, ku ne po propozojmë mundësi më të forta për të parandaluar kthimin pas, duke përfshirë uljen e fondeve apo kufizimin e të drejtave të votës. Së dyti, ne propozojmë shqyrtimin e marrëveshjeve të synuara për integrimin e sektorit bujqësor të Ukrainës. Ne propozojmë edhe mënyra për t'i bërë institucionet tona më efikase dhe më të afta për të marrë vendime më shpejt. Këto ndryshime duhet të garantojnë që një Bashkim Evropian më i madh të jetë gjithashtu një Bashkim Evropian më i fortë, i aftë të formësojë të ardhmen e vet.

Marta Kos, Komisionere për Zgjerimin