Prodhimi i energjisë nga ajo çka lënë pas fabrikat e ullinjve

Në vjeshtë, kur gjethet nisin të bien, kamionët fillojnë të mbërrijnë në një kompani në Lushnjë, e cila i shndërron mbetjet e ullirit në burim të qëndrueshëm energjie, në formën e nënprodukteve të quajtura brumë ulliri dhe bërthama ulliri. Vitin e kaluar, kamionët erdhën nga 115 fabrika ulliri në Vlorë, Mallakastër, Berat, Lushnjë, Fier, Kavajë, Durrës dhe Krujë, duke sjellë atë çka kishte mbetur nga ullinjtë pasi ishte shtrydhur vaji: një pastë e errët dhe vajore me lëkurë, tul dhe bërthama të shtypura.

“Ne e ndërtuam biznesin tonë duke u bazuar te përpunimi i bërsisë së ullirit, një material organik që dikur konsiderohej mbetje dhe shpesh hidhej në mënyrë të papërshtatshme, pa asnjë vlerë ekonomike”, thotë Endi Ylli, administrator i LBM-së. “Investimet në përpunim kanë bërë të mundur që këto mbetje të bëhen një produkt i tregtueshëm, përfshirë edhe për fabrikat e vajit të ullirit që i prodhojnë ato. Me kalimin e viteve, kjo përvojë na ka dhënë strukturën dhe njohuritë për të trajtuar vëllime të mëdha të materialit organik, duke zvogëluar njëkohësisht ndikimin e tij në mjedis”

Kompania prodhon tre nënprodukte nga bërsia. “Së pari, nxjerrim vajin që ka mbetur ende në të, i cili është një produkt ushqimor, por duhet të shkojë në një rafineri”, thotë Ylli. “Pastaj prodhojmë peleta dhe bërthama ulliri. Të shitura në Shqipëri dhe në gjithë rajonin, ato përdoren për ngrohje. Peletat përmbajnë më shumë hi, kështu që nuk janë shumë të përshtatshme për shtëpitë, ndërsa bërthamat janë po aq të mira sa peletat e drurit dhe përdoren në familje. Ne prodhojmë peleta nga mbetjet, pa i prerë pemët”.

Olive waste

Në Shqipëri, kjo metodë është e re, por në Mesdhe njerëzit e kanë bërë që dy mijë vjet më parë. Arkeologët shpesh gjejnë bërthama ulliri të thyera dhe të djegura në vendndodhjet e lashta, të mbetura nga bërsia që digjej si lëndë djegëse. Ata zbuluan se bërsia digjet në një temperaturë të lartë dhe të qëndrueshme. Kjo është arsyeja pse njerëzit në kohët e lashta, përfshirë romakët, e përdornin në shtëpi për ngrohje dhe gatim, si dhe në punishte për të ndezur furrat e qeramikës dhe gëlqeres. Që nga shekulli i parë pas Krishtit, bërsia shitej në tregjet e qyteteve dhe përdorej gjithnjë e më shumë në industri. Dy mijë vjet më vonë, ndjekja e të njëjtave hapa dhe ripërdorimi i burimeve natyrore po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm, pasi është edhe miqësor ndaj mjedisit.

Përveç peletave, kompania merret edhe me mbetje të tjera natyrore. Përmes BioLoop, një nismë pilot e mbështetur nga projekti EU4CELC për Ekonominë Qarkulluese dhe Qytetet e Jetueshme (EU4CELC), ata marrin mbetje të tjera organike nga zona, duke i përpunuar dhe ripërdorur ato. "Një makinë tornimi që përzien ajrin me plehun organik dhe sensorë që matin lagështinë dhe temperaturën brenda grumbujve, përdoren për të siguruar cilësi më të mirë. Në ciklin e parë të projektit pilot, ne morëm rreth 500 ton material, kryesisht pleh delesh dhe lopësh, lëvore pishe dhe bërsi ulliri. Përmes kompostimit të kontrolluar, ai po shndërrohet në një produkt organik që duam ta kthejmë në bujqësi", shpjegon Ylli.

Olive waste

Materiali përzihet dhe ajroset rregullisht, temperatura matet ditë e natë me sonda dhe produkti përfundimtar testohet para përdorimit. Kompania tani po punon për të sjellë mbetje të gjelbra nga bashkia e Lushnjës, duke përfshirë materialin e krasitjes, si dhe mbetjet nga fermat dhe industria ushqimore. "Ka mbetje që mund t’i mblidhni; thjesht duhet t'i përpunoni. Mjafton të shkoni në serra, në fermat e agroturizmit dhe të shihni se çfarë prodhon secila", thotë Ylli.

Olive waste

Ndërsa ndërgjegjësimi mjedisor po rritet, ai beson se të gjithë kanë një rol në këtë proces. “Njerëzit janë bërë të vetëdijshëm se mbetjet që prodhojnë kanë nevojë për një vend ku mund të kanalizohen dhe t’u jepet vlerë”.

EU4CELC ka punuar edhe me një hotel në bregdetin e Durrësit. Sipas llogaritjeve të tij, vetëm në gjashtë muaj, hoteli përdori 3.500 pjata plastike, 20.000 gota plastike me një përdorim, 40.000 pipa dhe 10.000 shishe. Përmes nismës Eco-Adriatik “Drejt një të ardhmeje pa plastikë”, pjesë e SUP2LOOP, ai futi sisteme rimbushjeje, zëvendësoi plastikën me një përdorim me produkte alternative, krijoi ndarje të mbeturinave dhe trajnoi stafin e vet. Këto masa pritet të ulin ndjeshëm sasinë e plastikës së përdorur, me afërsisht 1.48 ton në vit.

Në Lushnjë, Ylli flet për mbetjet si pikënisje. “Mbetjet organike të kësaj zone nuk do të jenë fundi i një cikli, por fillimi i një të riu. Ato mund të përpunohen, të fitojnë vlerë dhe të kthehen në bujqësi si diçka e dobishme për tokën. Për ne, kjo është ajo çka do të thotë ekonomi qarkulluese në praktikë: nga mbetjet te lënda e parë dhe përsëri në tokë”.

Informacion i përgjithshëm

EU4CELC është një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ). Ai zbatohet nga GIZ Albania në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit të Shqipërisë. Projekti synon të promovojë ekonominë qarkulluese në Shqipëri duke mbështetur bashkitë për krijimin e qyteteve të qëndrueshme, përmirësimin e shëndetit të qytetarëve dhe rritjen e efiçiencës të energjisë. Fokusi i tij është te zgjidhjet inovative për reduktimin e mbetjeve të qelqit dhe sigurimin e opsioneve më të përballueshme dhe të qëndrueshme të paketimit.