Restaurohen kishat që kujtojnë epokën e artë të Voskopojës
I fshehur në lartësitë veriore të Voskopojës, Manastiri i Shën Prodhomit qëndron në një pyll të qetë pishash dhe dhuron pamje mbresëlënëse të peizazhit përreth. Në manastir hyhet përmes një porte të madhe që i lë vendin kopshtit të qetë.
Nga njëra anë qëndrojnë fjetinat e murgjve, një grupim i thjeshtë, por jetëgjatë dhomash ku murgjit kalonin dikur jetën e përditshme, ndërsa në anën tjetër lartohet kisha me praninë e saj solemne dhe rëndësi shpirtërore. Të dy godinat kujtojnë madhështinë e epokës së artë të Voskopojës dhe ta bëjnë të lehtë ta imagjinosh këtë qytet në kulmin e lulëzimit të vet kulturor dhe shpirtëror.
At Thoma Semaraj hap portën e kishës me krenari dhe gaz. Pas tridhjetë vjetësh kujdesi baritor, ai më në fund mund të mirëpresë besimtarët për gëzime në vendin e shenjtë të restauruar, me afresket që ndrijnë përsëri me jetë dhe çatinë që nuk vuan më nga uji pik-pik. "Kisha e manastirit është ndërtuar rreth vitit 1630 dhe pikturat janë përfunduar në vitin 1659. Koha ka lënë shenjat e veta ndër shekuj dhe gjatë periudhës komuniste afresket u dëmtuan edhe më. Kam që në vitet 1990 që shërbej këtu, që kur kisha pikonte dhe afresket dëmtoheshin nga lagështia dhe ngrica," kujton At Thoma Samaraj.
Manastiri i Shën Prodhomit është restauruar së fundmi në kuadër të projektit "Përmirësimi i potencialit të turizmit kulturor përmes ndërhyrjeve në vendet e trashëgimisë kulturore në Voskopojë", të financuar nga BE-ja, nismë kjo për rijetëzimin e trashëgimisë kulturore shqiptare të zonës.
EU Delegation to Albania
I ndërtuar në shekullin e 17-të dhe i shpallur Monument Kulture i Kategorisë I, manastiri është një prej pikave më të rëndësishme kulturore të Shqipërisë, ku ruhen afreske të rralla dhe tipare të stilit bizantin që mishërojnë traditën e qëndrueshme artistike dhe shpirtërore të Voskopojës. Punimet përfshinë përfundimin e restaurimit të godinës, veçanërisht çatisë dhe strukturave mbështetëse të kishës, së bashku me konservimin e pikturave murale me qëllim parandalimin e degradimit të mëtejshëm. Puna në konakë përfshiu restaurimin e rrasave të gurit të çatisë, mureve dhe instalimin e shtresave hidro-izoluese, ndërsa në kishë u pastrua qemeri dhe kupola, u kryen punime suvatimi me llaç tradicional horasan, konsolidim strukturor dhe mbrojtje fasade. Rrethinat e manastirit janë rijetëzuar me kujdes me shtigje kalldrëmi që gjarpërojnë përgjatë mureve të restauruara prej guri dhe me elemente mikpritëse si stolat dhe sinjalistika për vizitorët.
Zonat e lëna dikur pas dore janë pastruar, janë mbjellë me bar dhe strukturat e vjetra ushtarake janë larguar për t'i mundësuar hapësirës të marrë përsëri frymë lirisht. Brenda, afresket dhe elementet e drurit janë konservuar me kujdes përmes rijetëzimit të ngjyrave, riparimit të sipërfaqeve dhe mbrojtjes së elementeve delikate për të ardhmen. Puna është kryer me kujdes dhe siguri me anë të skelave, ndërsa sistemet moderne të ndriçimit dhe zjarrit sigurojnë ruajtjen dhe rehatinë. Të gjitha së bashku, këto përpjekje kanë transformuar manastirin në një vend ku historia, bukuria dhe besimi mund të lulëzojnë për breza me radhë.
Monumentet e Voskopojës kanë vlerë të pamatë. Në këndvështrimin arkitektonik ato pasqyrojnë sofistikimin e projektimit fetar të shekullit të 18-të, ndërsa artistikisht muret e tyre janë të zbukuruara me murale mjeshtërore të pikturuara nga artistët e kohës. Në anë tjetër të fshatit ngrihet Katedralja e Shën Mërisë. Poshtë kambanores, vizitorët mirëpriten brenda nga portë modeste, ku portikët e hijshëm luajnë rolin e kornizës së një pamje magjepsëse që ndërthuret me të shenjtën, mistiken dhe shpresën. Edhe përgjatë mureve të jashtme muralet sjellin në jetë tregimet biblike duke i kujtuar të gjithë kalimtarëve lidhjen e pazgjidhshme të njerëzimit me hyjnoren. Gjurmët e ruajtura tregojnë se ky vend ka pasur dikur një kompleks të tërë godinash, çka flet për rëndësinë dhe madhështinë e tij të dikurshme.
EU Delegation to Albania
Kisha është bazilikë me tre nefe dhe narteks, që është shkatërruar gjatë luftës së dytë botërore, ndërsa veranda jugore është prishura gjatë tërmetit të vitit 1960. Sipas mbishkrimit të dhuruesit, afresket janë pikturuar në vitin 1712 nga Theodor Anagnosti dhe Steriani, mjeshtra nga fshati i Agrafës. Atë Thomai thekson rëndësinë e kishës duke vënë në dukje jo vetëm emrin Shën Mëri që ajo mban, por edhe përmasat e saj si katedrale.
Restaurimi i Kishës së Shën Mërisë në Voskopojë përfshiu një gamë të gjerë punimesh konservimi dhe strukturore për ruajtjen e vlerave historike dhe kulturore, duke i dhënë jetë të re kësaj katedraleje të vjetër. Muret dhe çatia u riparuan, afresket dhe elementet e drunjta janë rijetëzuar me kujdes dhe ambientet janë rijetëzuar me shtigje kalldrëmi, gjelbërim dhe hapësira mikpritëse për vizitorët. Kambanorja, varrezat dhe peizazhi përreth janë restauruar të gjitha me kujdes, ndërsa sistemet moderne të ndriçimit dhe sigurisë mbrojnë tashmë të gjithë vendin, duke siguruar qëndrueshmërinë dhe autenticitetin e ruajtjes së ish katedrales.
EU Delegation to Albania
INFORMACION MBI KONTEKSTIN
Projekti "Përmirësimi i potencialit të turizmit kulturor përmes ndërhyrjeve në vendet e trashëgimisë kulturore në Voskopojë" i financuar nga BE-ja përfshin projektet e restaurimit për 2 kisha dhe 2 manastire në Qarkun Korçë në fshatrat Voskopojë dhe Vithkuq: Manastiri i Shën Prodhomit, Voskopojë, Kisha e Shën Mihalit, Voskopojë, Manastiri i Shën Pjetrit dhe Shën Palit, përfshirë Kishën e Shën Kozmait dhe Damianit në Vithkuq dhe Kishën e Shën Mërisë në Voskopojë. Projekti synon të zhvillojë sektorin e turizmit, të përmirësojë përvojën e vizitorëve dhe të rrisë ofertën turistike në qarkun e Korçës përmes promovimit të monumenteve të kulturës si 2 kishat dhe 2 manastiret që kanë statusin e mbrojtjes së Monumentit të Kulturës së Kategorisë së Parë. Projekti për mundësimin e infrastrukturës dhe turizmit shqiptar mbështetet nga BE-ja përmes asistencës teknike dhe granteve të investimit në vlerën e 40 milion Euro gjithsej. BERZH-i jep kontribut prej 60 milion Euro në formë huaje për qeverinë shqiptare. Programi i zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit mbështet investimet në vendet e trashëgimisë kulturore dhe natyrore në katër qarqe: Berat, Fier, Korçë dhe Shkodër. Ai trajton edhe infrastrukturë bashkiake dhe mjedisore, lidhje transporti dhe biznese të lidhura me turizmin në mbarë Shqipërinë.