Ruajtja e trashëgimisë kinematografike të Shqipërisë nga raftet e arkivave deri te sallat e kinemasë

Një pajisje e re Moviola, e instaluar në një nga mjediset e Arkivit Kombëtar të Filmit në Shqipëri, tani mund të zbulojë çdo dëmtim apo gabim, si dhe të vëzhgojë kimikatet, tensionin e filmit, rezistencën dhe gjendjen fizike në një kontroll rutinë për secilin prej 40.000 akteve të filmit 35 mm - mbi 11 milionë metra pamje të ruajtura në bobina metalike. Pasi vendoset në pajisjen e kontrollit, ajo nxjerr në pah dhe regjistron gabimet, duke rritur vëmendjen e specialistit përmes zbulimit të defekteve dhe anomalive, dhe duke i orientuar drejt kuadrit të dëmtuar, duke ngadalësuar fillimisht procesin e rrotullimit.

EU Delegation to Albania
Me një palë doreza të bardha të bëra prej pambuku dhe materiali sintetik, Hermelina Troqe, një inxhiniere kimiste dhe specialiste e mirëmbajtjes dhe restaurimit të filmit 35 mm, mbikëqyr procesin e inspektimit pasi i lag dorezat me alkool. “Alkooli zbut trysninë mbi filmin dhe dorezat duhet të jenë prej materiali që nuk krijon forca elektrostatike”, shpjegon ajo, duke demonstruar procedurën e punës. Ky është një nga hapat kryesorë përpara restaurimit, skanimit dhe digjitalizimit të filmave.
“Përmes këtij procesi, ne pastrojmë, kontrollojmë dhe masim aciditetin, sepse nëse aciditeti është i lartë, ai ndryshon tonalitetin e ngjyrës. Në një farë mënyre, Moviola mund të na tregojë nëse një film është “i sëmurë”; nëse rezistenca është e ulët dhe kimikatet e kanë dëmtuar celulozën, filmi bëhet përparësi për skanim dhe restaurim. Kjo pajisje ndihmon në zbulimin e problemeve që nuk mund të identifikoheshin më parë, duke zvogëluar gabimet e bëra nga syri i njeriut”, thotë Troqe.

EU Delegation to Albania
Moviola u sigurua falë programit “BE për kulturën”. Ndërhyrja në Arkivin Kombëtar të Filmit u përqendrua te përmirësimi i pajisjeve të restaurimit dhe digjitalizimit, të cilat janë thelbësore për ruajtjen e trashëgimisë kinematografike të Shqipërisë. Zbatimi i teknologjisë së re të përparuar ka rritur ndjeshëm efikasitetin dhe saktësinë e procesit të konservimit të filmit, duke zvogëluar rrezikun e dëmtimit fizik të materialeve dhe duke siguruar qasje afatgjatë për publikun.
Më parë, ky proces kontrolli kryhej duke përdorur pajisje telekine, të cilat ofronin cilësi më të ulët të imazhit. Pas procedurës së inspektimit dhe sigurimit të mirëmbajtjes së tyre, filmat transferohen në një mjedis tjetër, ku përdoren pajisje të tjera për skanim dhe ruajtje. Në monitor mund të shihet një imazh nga filmi “Tokë e përgjakur”, ndërsa skaneri i ri rrotullues Blackmagic Cintel skanon filmin bardh-e-zi të vitit 1976 në kohë reale, me 24 kuadro për sekondë. Përveç tij, pajisjet e ruajtjes e regjistrojnë filmin në format 4K me rezolucion të lartë.

EU Delegation to Albania
“Pasi skanohet një film, zbatohet korrigjimi bazë i ngjyrave dhe ai konvertohet në formatin MXF. Pastaj prodhojmë tri kopje: një me cilësi të lartë, një version MP4 për përdorim në kompjuter dhe një kopje MP4 me filigran dhe kode kohore për studiuesit. Krahas skanerit dhe kompjuterit, pajisje të tjera të vlefshme të ofruara nga programi “BE për kulturën” përfshijnë disqet e ngurta 180 terabajt. Gjithashtu, kemi marrë kaseta LTO, një teknologji e ruajtjes së të dhënave në shirit magnetik. Çdo film i skanuar transferohet në dy kopje në kasata LTO , duke ndjekur standardet ndërkombëtare të arkivimit: njëra mbahet këtu dhe tjetra dërgohet në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, duke garantuar që, në rast fatkeqësie, të mos i humbasim”, shpjegon Erand Muça, specialist audiovizual.

EU Delegation to Albania
Me më shumë se 100 kaseta LTO të dhuruara, arkivi aktualisht përdor 16 kaseta në vit, duke siguruar ruajtjen e të dhënave për afërsisht shtatë deri në tetë vitet e ardhshme. Një kompjuter tjetër përdoret për restaurimin e filmave. Në ekranin e tij shfaqet një imazh i Ndriçim Xhepës në një kuadër të dëmtuar nga filmi “Telefonata e një mëngjesi”.

EU Delegation to Albania
Kjo teknologji e re dhe e përparuar ka rritur ndjeshëm efikasitetin dhe saktësinë e procesit të konservimit të filmit, duke zvogëluar rrezikun e dëmtimit fizik të materialeve dhe duke siguruar qasje afatgjatë për publikun.
“Përmes programit “BE për kulturën”, morëm pajisjen Moviola, skanerin, disqet e ngurta dhe kasetat LTO — të gjitha pjesë e një zinxhiri. Hapi i parë është kontrollimi i filmit analog, i dyti është përdorimi i disqeve të ngurta ose serverëve të përkohshëm për përpunim dhe i treti është ruajtja e tyre në kaseta LTO pas skanimit. Këto janë hallkat e një zinxhiri që siguron trashëgiminë tonë të arkivit të filmit”, shton Troqe.
Kinemaja brenda Arkivit të Filmit ilustron se si të gjitha këto procese ruajnë dhe rrisin cilësinë e filmave, duke dokumentuar historinë e vendit në shekullin e 20-të përmes imazheve në lëvizje. Filma si “Kapedani” , “Gjeneral Gramafoni” dhe “Kthimi i ushtrisë së vdekur” kanë kaluar të gjithë nëpër këtë pajisje, ndërsa arkivi aktualisht mban rreth 320 filma artistikë, 220 filma të animuar, 1.200 dokumentarë dhe 2.000 filma të huaj. Koleksioni shtrihet pas në kohë, me pamje të rralla që datojnë nga vitet 1920, duke e bërë atë kujdestarin e vetëm të trashëgimisë filmike të Shqipërisë.

EU Delegation to Albania
Përveç pajisjeve të teknologjisë së fundit, kjo ndërhyrje restauroi edhe ish-ndërtesën e Kinostudios, duke ruajtur elementët e saj arkitektonikë klasikë — pikërisht vendin ku u formësua dhe u ushqye identiteti kinematografik i Shqipërisë.
Informacion
Programi “BE për kulturën” financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime Projektesh ( UNOPS ) në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ai përqendrohet te rinovimi dhe rivitalizimi i vendeve kryesore të trashëgimisë kulturore të dëmtuara nga tërmeti dhe përfaqëson një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të financuara nga BE-ja, me një buxhet të përgjithshëm prej 40 milionë eurosh. Programi mbështet gjithashtu sipërmarrjen vendore, artizanatin dhe nismat kulturore të lidhura me vendet e përzgjedhura përmes ndarjes së granteve - duke siguruar një nxitje të drejtpërdrejtë për ekonominë vendore.