Shqipëria i bashkohet SEPA-s: dërgimi i parave në Shqipëri dhe nga Shqipëria sapo u bë më i lirë dhe më i shpejtë

Transferimi i një shume prej 1000 eurosh në Shqipëri ose nga Shqipëria më parë kishte një komision që ndryshonte nga 10-15 euro deri në 40 euro. Tani që Shqipëria është ndër vendet më të fundit që iu bashkua pagesave SEPA, një nismë e Bashkimit Evropian që standardizon pagesat ndërkufitare, duke siguruar të njëjtat rregulla, standarde dhe kosto për 41 anëtarët e SEPA-s, tarifa për transferimin e kësaj shume nuk është më shumë se 2 euro. Përmes Zonës Unike të Pagesave në Euro, qytetarët shqiptarë tani mund të dërgojnë dhe të marrin pagesa në euro me të njëjtat kushte si qytetarët e vendeve të BE-së, për sa u përket tarifave, kohëzgjatjes së përpunimit dhe standardeve të sigurisë.
“Përdorimi i kanaleve tradicionale përmes bankave korrespondente për pagesat ndërkufitare me vendet e BE-së ishte i kushtueshëm dhe kërkonte shumë kohë. Ai përfshinte disa aktorë në procesin e dërgimit të pagesave dhe si pasojë komisione ndërmjetëse të shumëfishta dhe shpesh të larta. Për shkak të pjesëmarrjes së disa hallkave, koha e përpunimit të një pagese mund të zgjaste deri në tri apo katër ditë, dhe nëse përfshiheshin fundjavat, edhe më gjatë. Gjurmimi i pagesave gjithashtu bëhej më i vështirë, varësisht nga territoret ku ndodheshin bankat dhe legjislacioni që rregullonte aktivitetet e tyre të pagesave”, shpjegon Ledia Bregu, Drejtoreshë e Departamentit të Sistemeve të Pagesave, Kontabilitetit dhe Financës në Bankën e Shqipërisë.
Bashkimi Evropian ka luajtur një rol vendimtar për mbështetjen e integrimit të Shqipërisë në SEPA. Komisioni Evropian u mundësoi vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor për në BE të aplikonin për anëtarësim në SEPA dhe e përfshiu anëtarësimin e Shqipërisë si një shtyllë kyçe të Planit të tij të Rritjes për rajonin. Kjo e ngriti SEPA-n në një përparësi kombëtare, duke nxitur koordinim të shpejtë mes institucioneve shqiptare. Banka e Shqipërisë, e cila ndërkaq po e përafronte legjislacionin e pagesave me standardet e BE-së, paraqiti aplikimin e saj në qershor 2024 dhe mori miratimin në nëntor të atij viti. Gjatë gjithë procesit, Komisioni Evropian dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, e shoqëruan Shqipërinë në këtë proces dhe ofruan mbështetje të vazhdueshme teknike dhe financim, përfshirë edhe përmes projektit të Modernizimit të Pagesave në Ballkanin Perëndimor të udhëhequr nga Banka Botërore.

EU Delegation to Albania
Me pagesat SEPA, të njëjtat rregulla zbatohen si për bankat dërguese ashtu edhe për ato marrëse në 41 vende evropiane. Përveç tarifave dukshëm më të ulëta për të dyja palët, transfertat ekzekutohen jo më vonë se dita tjetër e punës. Në shumë raste, pagesat përfundojnë në të njëjtën ditë, veçanërisht nëse fillohen herët. Ky standard përpunimi është një rregull thelbësor i skemës SEPA dhe zbatohet në mënyrë uniforme nga të gjitha bankat anëtare, pavarësisht nga vendndodhja e tyre. Përpara integrimit në SEPA, transfertat hyrëse në euro i nënshtroheshin tarifave të konsiderueshme, që zakonisht fillonin nga 10 euro dhe arrinin deri në 50-100 euro.
"Ne kemi vendosur një tavan për tarifat e pagesave hyrëse. Tarifat për këto pagesa nuk mund të kalojnë 3 euro, pavarësisht nga shuma e pagesës", thotë Bregu. “Banka e Shqipërisë ka rishikuar tavanet e komisioneve për pagesat SEPA, duke i përafruar ato me tarifat e aplikuara për transfertat vendase në euro. Ato u ulën më tej pas fillimit operativ të transfertave SEPA. Konkretisht: për pagesat deri në 20.000 euro, tarifa nuk është më e lartë se 2 euro; për pagesat midis 20.000 euro dhe 100.000 euro, tarifa nuk e tejkalon 0.01% të vlerës së transaksionit; për pagesat mbi 100.000 euro, tarifa kufizohet në 25 euro. Rregullohen gjithashtu edhe tarifat për pagesat hyrëse që nuk mund të kalojnë 3 euro, pavarësisht nga shuma. Në përgjithësi, kostot e pagesave tani janë gati dhjetë herë më të ulëta se më parë”.
Miratimi i skemave SEPA parashikohet të gjenerojë kursime prej rreth 20 milionë eurosh për bizneset dhe konsumatorët brenda vitit të parë, në dobi të çdo ndërmarrjeje tregtare dhe çdo qytetari me angazhime financiare jashtë vendit, siç janë studentët, punëtorët migrantë, familjet që marrin remitanca apo individët që kryejnë blerje dhe transaksione ndërkombëtare. Kjo rezulton në ulje të kostove, shërbime më të shpejta dhe përfshirje më të madhe financiare, veçanërisht duke pasur parasysh se shumica e remitancave për familjet shqiptare (rreth 80%) vijnë nga vendet e BE-së dhe Mbretëria e Bashkuar, e cila është gjithashtu pjesë e SEPA-s.

EU Delegation to Albania
Sipas Bregut, drejtoreshë në Bankën e Shqipërisë, shpejtësia e transfertave bankare dhe tarifat e reduktuara të komisioneve nuk janë të vetmet avantazhe të SEPA-s. Skema promovon gjithashtu krijimin e një sistemi pagesash efikas dhe të besueshëm për vendet e vogla si Shqipëria, si dhe përmirëson imazhin e vendit në nivel ndërkombëtar.
Integrimi në SEPA nxit zgjerimin e marrëdhënieve tregtare me Bashkimin Evropian dhe u ofron bizneseve shqiptare, veçanërisht eksportuesve, operatorëve të turizmit dhe ndërmarrjeve të vogla e të mesme, qasje të barabartë në tregun evropian të pagesave. Ky përafrim sjell përmirësime të konsiderueshme në likuiditet, rrit parashikueshmërinë e flukseve të parave të gatshme dhe forcon stabilitetin e përgjithshëm financiar. Për më tepër, ndihmon për uljen e informalitetit në transaksionet financiare dhe i ka përgatitur bankat shqiptare për fazën tjetër të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.