Shtigjet e ekoturizmit zbulojnë zona të paeksploruara të Kukësit

Kur ishte fëmijë, Besart Halilaj jetonte në male dhe me malet. Lindur e rritur pranë malit të Gjallicës në Kukës, ku gjenden mbi 3,500 specie bimësh, ai ka krijuar një lidhje të thellë me natyrën. Atje kultivoheshin frutat e perimet; atje luante futboll me bashkëmoshatarët e tij; atje kullosnin bagëtitë; dhe atje sigurohej ushqimi i tyre për dimër. Ndërsa krijonte kujtime, ai po zbulonte edhe rrugën e tij drejt të ardhmes.
Më vonë vendosi të studionte akuakulturë në Tiranë, duke mëkuar një lidhje të re me natyrën përmes ujit. Pasi u kthye në vendlindje, Halilaj filloi të studionte lumenjtë dhe përrenjtë malorë, duke u bërë dalëngadalë ambasador i natyrës, duke ricikluar mbetje dhe goma makinash për të ndërtuar prita, si dhe duke pastruar lumenjtë dhe malet vullnetarisht.

EU Delegation to Albania
Te thirrja e projektit të mbështetur nga BE-ja, ReLOaD, për trajnimin dhe certifikimin e udhërrëfyesve kulturorë, ai pa një mundësi për hapin e radhës. “Isha tashmë i përfshirë në nisma mjedisore dhe kulturore. Përpara certifikimit, vizituam site kulturore në mbarë Shqipërinë, dhe kjo më ndihmoi ta njihja më mirë vendin tim, që nga rrënjët dhe fillimet e tij, deri në majat më të larta. Ishte e qartë për mua se si gjithçka ishte e lidhur me natyrën.”, shprehet ai.
Si udhërrëfyes vendas, në jetën dhe punën e tij ndërthuren kultura, traditat, shtigjet, kalatë, bimët, përrenjtë, liqenet, ujëvarat, livadhet alpine, shpellat, dhe të gjitha gojëdhënat shoqëruese. “Kjo është Gryka e Vanave, midis Malit Koritnik dhe Malit Gjallicë në Kukës; e ka marrë emrin nga “orët e vona””. Dikur besohej se askush nuk mund të kalonte gjatë natës këtu, sepse terri sundohej nga hijet dhe zanat. Aty afër ndodhet shpella e Jezinës, pesë kilometra e thellë, e mbushur me stalaktite dhe stalagmite. Zona është e njohur për stallat e bagëtive, por ka edhe një histori të pasur që daton shekuj më parë, të lidhur me Via Egnatian përmes rrugës Lisus–Naisus (rruga e vjetër Lezhë–Nish) dhe Kalasë së Pecës.” - shpjegon ai, teksa na tregon shtigjet që ka shënjuar, në kuadër të projektit “Shtigje Ekoturizmi në Zonën Ndërkufitare për Promovimin e Turizmit Alternativ”.

EU Delegation to Albania
Kjo nismë e mbështetur nga BE-ja synon të rijetësojë dhe të zgjerojë ofertën turistike në rajon, duke vendosur theksin mbi shtigjet natyrore dhe kulturore, si dhe duke promovuar fshatrat e largëta, me trashëgimi të pasur natyrore, turistike, dhe kulturore.
“Shtigjet fillojnë në Grykën e Vanës, një monument natyror pranë ujëvarës së Belës, në zemër të Parkut Kombëtar “Korab-Koritnik”. Kalojnë përmes një pylli pishash, pranë Qafës së Zbinecit, dhe degëzohen në tri drejtime: njëri për nga fshati Përbreg dhe Kukësi i Vjetër, tjetri për nga Morina, dhe i treti për nga Dragashi. Vite më parë, këtu është filmuar rrëqebulli i Ballkanit. Këto shtigje janë përdorur edhe nga vargjet e njerëzve që po largoheshin nga Kosova.”, shpjegon ai.
Përpara se të shënjoheshin shtigjet, kjo zonë nuk aksesohej nga turistët. “Projekti na mundësoi të identifikonim, të shënjonim, dhe t’i përfshinim këto tri shtigje në harta digjitale, duke e kthyer këtë zonë të paeksploruar në një zonë turistike prioritare për projekte të ardhshme. Gjithashtu, ka rritur edhe numrin e vizitorëve, të cilët, falë programeve në natyrë, tani e dinë që zona është gati për t’u eksploruar.”, shprehet Halilaj. Ai vëren se, me përfundimin e shënjimit të shtigjeve, janë shtuar vizitat nga turistët edhe pa udhërrëfyes, çka sjell përfitime për ekonominë vendase, veçanërisht nëpërmjet shitjes së produkteve të bulmetit.

EU Delegation to Albania
“Duke qenë se zona njihet për stallat e bagëtive, ne po punojmë për të përfshirë në vizitat turistike edhe zhvendosjen tradicionale stinore të bagëtive nga fshatrat në stanet malore në pranverë dhe vjeshtë.”, shprehet Halilaj, i cili ruan pasionin e një rituali të lashtë që ende jeton me malet.
Përtej Topojanit dhe Belës, fshatra, si: Novoseja dhe Shishtaveci, gjenden në zona më të largëta të Kukësit. Përmes projektit të mbështetur nga BE-ja, “Ndërtojmë së bashku një rajon tërheqës dhe të begatë”, që kontribuon për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në zonat ndërkufitare të Shishtavecit dhe Dragashit, është ndërtuar infrastrukturë, si: rrugë dhe gardhe me dru, për të përmirësuar kushtet e jetesës së banorëve vendas. Në kuadër të nismës të Eko-Shtigjeve, është krijuar një Park Aventurash me një peizazh marramendës të kullotave alpine, luginave, grykave të thella, liqeneve akullnajore, pllajave, si dhe malit të Kallabakut. Në këtë zonë shtrihet edhe Shtegu i Ngjyrave, i njohur për lulet shumëngjyrëshe dhe tufat me kuaj të egër.

EU Delegation to Albania
Duke pasuruar trashëgiminë natyrore dhe kulturore të rajonit dhe duke theksuar autenticitetin, bukurinë, dhe veçantinë e territorit, Eko-Shtigjet kontribuojnë në rijetësimin e fshatrave dhe peizazheve. Ky është një park ku derrat e egër gërmojnë për të gjetur tartuf, barinjtë vazhdojnë traditën e zhvendosjes stinore të bagëtive, si dhe ujqërit, rrëqebulli i Ballkanit, drerët, arinjtë, dhe bota e egër ruajnë ekuilibrin e zinxhirit ushqimor.
“Ka pasur një periudhë kur gjuheshin ujqërit, duke ulur numrin e tyre. Kjo rriti numrin e arinjve, duke krijuar një çekuilibër ekologjik dhe probleme për fshatrat përreth.”, shprehet Halilaj, duke nënvizuar rolin jetik që luan çdo specie në ekosistemin e këtij parku, të njohur si “çatia” e Shqipërisë.
INFORMACION MBI KONTEKSTIN
Projekti “Shtigje Ekoturizmi në Zonën Ndërkufitare për Promovimin e Turizmit Alternativ” synon të kontribuojë në promovimin e rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm të zonave të Kukësit dhe Rahovecit (Kosovë), në mënyrë që ta shfrytëzojnë potencialin e tyre turistik më së miri, duke nxitur zhvillimin rajonal dhe duke lehtësuar bashkëpunimin ndërkufitar, ndërsa promovohen shtigjet e ekoturizmit në të dyja zonat si korridore natyrore dhe kulturore. Krahas menaxhimit të projektit, monitorimit dhe vlerësimit, si aktivitet i përbashkët, projekti është përqendruar te rrugët/shtigjet kulturore dhe natyrore, si dhe integrimi i TIK-ut për të promovuar potencialin turistik të këtyre dy zonave.