Takimi i 16-të i Nënkomitetit për Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet mes BE-së dhe Shqipërisë.

Më 25 dhe 26 nëntor 2025 u zhvillua në Tiranë takimi i 16-të i Nënkomitetit për Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet mes BE-së dhe Shqipërisë. Për BE-në, përfaqësuesit e Komisionit Evropian (Komisioni) diskutuan mbi zhvillimet më të fundit në këto fusha me autoritetet përkatëse shqiptare.

Lidhur me taksimin, Komisioni mirëpriti miratimin e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave dhe ndau pikëpamjet fillestare mbi zbatimin e disa prej masave të saj. Komisioni mirëpriti përpjekjet e bëra për përgatitjen e projektligjit mbi tatimin e drejtpërdrejtë, përkatësisht Direktivën për Bashkëpunimin Administrativ 2 (DAC2), Direktivën kundër Shmangies së Taksave (ATAD), si dhe direktivën për bashkimet dhe blerjet.

Komisioni theksoi shqetësime serioze në lidhje me masa të caktuara të përfshira në propozimin për Paqe Fiskale, si pjesë e paketës fiskale të vitit 2026, pasi ato mund të dekurajojnë pajtueshmërinë me ligjet tatimore. Për më tepër, BE-ja përsëriti nevojën për masa mbrojtëse të forta kundër pastrimit të parave në propozim, si dhe për të vazhduar angazhimin për uljen e numrit të madh të përjashtimeve tatimore.

Në fushën e doganave, Komisioni përshëndeti progresin në përafrimin legjislativ me acquis doganorepërpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë për t'iu bashkuar Konventës së Tranzitit të Përbashkët, si dhe pjesëmarrjen e saj në Programin Doganor të BE-së, në veçanti për të mundësuar vendosjen e portës së nevojshme CCN për t'u lidhur me sistemet e BE-së. Komisioni vuri në dukje bashkëpunimin ndërkombëtar të Shqipërisë për zbatimin e ligjit dhe përpjekjet e vazhdueshme për masat kundër mashtrimit dhe kontrabandës.

Në fushën e lëvizjes së lirë të mallrave, Komisioni e inkurajoi Shqipërinë që të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur përpjekjet për t'u bërë anëtare e plotë e Komitetit Evropian për Standardizimin dhe Komitetit Evropian për Standardizimin Elektroteknik (CEN/CENELEC). Komisioni, gjithashtu, i kërkoi Shqipërisë që të përfundojë planin e veprimit për t'u përafruar me kërkesat e neneve 34-36 të Traktatit për Funksionimin e BE-së dhe jurisprudencën përkatëse të Gjykatës së Drejtësisë që mbulon veçanërisht fushat jo të harmonizuara, si dhe të përshpejtojë përpjekjet për të përafruar legjislacionin e saj për produktet, duke përfshirë garantimin e përafrimit të plotë me acquis për automjetet deri në fund të vitit 2026.

Lidhur me politikën industriale të BE-së dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme, Komisioni mirëpriti përditësimin e Shqipërisë mbi përgatitjen e Strategjisë Kombëtare Industriale 2026–2030 dhe Politikës Kombëtare për Ndërmarrjet e Vogla e të Mesme 2026–2030. Ai theksoi rëndësinë e garantimit që këto strategji të jenë të koordinuara dhe koherente me dokumentet ekzistuese, duke përfshirë Strategjinë e Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve (BIDS) dhe Planin e ardhshëm të Veprimit për të përmirësuar renditjen e Shqipërisë në Indeksin e Politikave të Ndërmarrjeve të Vogla  e të Mesme të OECD-së. Komisioni mori në konsideratë punën e vazhdueshme të Shqipërisë mbi një projektligj për investimet dhe mirëpriti përpjekjet e saj për të promovuar Programin e Tregut të Përbashkët. Ai gjithashtu vuri në dukje se Shqipëria së shpejti do të ndajë për shqyrtim me Komisionin dispozitat e përafruara me Direktivën e BE-së për Pagesat e Vonuara.

Lidhur me politikën tregtare, Komisioni vuri në dukje progresin e përgjithshëm të bërë nga Shqipëria gjatë vitit të kaluar në lidhje me përmbushjen e standardeve përmbyllëse. Komisioni mori pozitivisht në konsideratë progresin e bërë për përafrimin me Rregulloren e BE-së 2021/821 mbi kontrollin e eksportit të artikujve me përdorim të dyfishtë. Përveç kësaj, Komisioni e përgëzoi Shqipërinë për progresin e bërë në lidhje me përafrimin me Rregulloren e BE-së 2019/452 mbi shqyrtimin e investimeve të huaja direkte. Shqipëria vuri në dukje se aktualisht nuk ka ndonjë negociatë të planifikuar për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë (MTL) me vendet e treta.