Thesaret e Bibliotekës Kombëtare, roli i BE-së në ruajtjen dhe restaurimin e librave dhe dorëshkrimeve të rralla

 

Një libër i Papa Piut të Dytë, botuar në vitin 1531, është një ndër librat më të vjetër në koleksionet e Bibliotekës Kombëtare në Shqipëri. I titulluar “Një përshkrim i mrekullueshëm, plot elegancë dhe hijeshi i Azisë dhe Evropës, nga Papa Piu II, që përfshin ngjarje të vjetra dhe të reja, të denja për t’u përmendur”, ai është shkruar në latinisht dhe i paraprin papatit të Enea Silvio Piccolomini-t. Botimi, i përbërë nga 499 faqe, u bë i njohur pas vdekjes së Papës. Rruga e tij nga Italia mesjetare në Bibliotekën Kombëtare mbetet e panjohur, por duke pasur parasysh konfiskimet gjatë regjimit komunist, besohet se libri i përkiste klerit katolik ose familjeve fisnike shqiptare. I njohur si një humanist i shquar, gjatë pontifikatit të tij (1458–1464), Papa u përpoq të bashkonte Evropën kur Perandoria Osmane kërcënonte të pushtonte kontinentin.

National Library

Megjithatë, ai nuk është humanisti i vetëm evropian, librat e të cilit i përkasin Bibliotekës Kombëtare. Një tjetër botim i rrallë i vitit 1645, me parathënie nga Erasmusi i Roterdamit (1466/9–1536), është pjesë e koleksioneve të bibliotekës. “Një Bibël me parathënie nga Erasmusi i Roterdamit, një nga studiuesit më të mëdhenj të Rilindjes dhe një nga figurat kryesore të kulturës evropiane, është shumë e rrallë. Kjo është një nga bibliotekat më të pasura në Ballkan, ndoshta për arsyen absurde, se në kohën e komunizmit gjithçka u konfiskua dhe u grumbullua këtu. Kemi koleksione shumë të pasura nga periudhat e Rilindjes Evropiane, Bizantine dhe Osmane, përfshirë koleksionin venecian, me 1200 libra, dorëshkrime dhe harta, si dhe autorë grekë e latinë të botuar në Evropë në shekullin e 16-të”, thotë Piro Misha, Drejtor i Bibliotekës Kombëtare.

National Library

Botime të ndryshme të Biblës, Kuranit apo librave të Aristotelit, filozofëve francezë Diderot dhe Jean-Jacques Rousseau, libra në greqisht, latinisht, në turqishten osmane, persisht apo arabisht pasurojnë koleksionet e bibliotekës me inkunabula historike mahnitëse që datojnë që nga ditët më të hershme të botimeve evropiane. “Detyra jonë është t'i bëjmë ata të njohur. Biblioteka ka përparësi trashëgiminë kombëtare, por këto janë vlera universale që duhet t'i ruajmë”, thekson Misha.

Duke qenë se shekujt i bëjnë këta libra të rrallë dhe jashtëzakonisht të vlefshëm, institucioni përballet me sfidën për të siguruar konservim dhe restaurim, pavarësisht kushteve në të cilat ruhen fondet, duke ruajtur nivele të caktuara të temperaturës, dritës dhe lagështisë.

“Laboratori i restaurimit është një nga sektorët më të rëndësishëm në çdo bibliotekë kombëtare. Ai siguron jetëgjatësinë e koleksioneve. Pas vlerësimit të dëmit nga specialistët tanë, ata kontrollojnë çdo fond dhe u japin përparësi librave që kanë nevojë urgjente për ndërhyrje. Vitin e kaluar, programi “BE për kulturën” e pajisi Bibliotekën Kombëtare me teknologjinë më të fundit, duke mundësuar ruajtjen, restaurimin dhe qasjen në internet të librave. Jo vetëm librat e dëmtuar duhet të restaurohen në laborator. Para dhe pas çdo ekspozite, librat, dorëshkrimet apo botime të tjera të rralla duhet të përgatiten dhe të kontrollohen. Tani do të restaurojmë koleksionin venecian, i cili së shpejti do të shfaqet në një ekspozitë të madhe”, shpjegon Misha.

National Library

Pajisjet e restaurimit përfshijnë serverë, skanerë librash dhe barkodesh, laptopë, tableta, aparatura për pastrimin nga pluhurat të librave, dezinfektues, dhoma dehumidifikimi, makineri pastrimi dhe deacidifikimi të librave që rrisin ndjeshëm kapacitetet e bibliotekës.

“Procesi i restaurimit zgjaste shumë. Punonjësit duhej t'i pastronin manualisht librat me furça me qime kali (të buta sa të mos dëmtohej letra). Tani kemi një makineri që mund të pastrojë disa libra nga pluhuri, kërpudhat, formimi i mykut dhe mikroorganizmat për 15-20 minuta. E njëjta gjë vlen edhe për dezinfektimin; nëse do të duhej t’i kalonim librat faqe për faqe pas çdo ekspozimi, tani ka një pajisje që dezinfekton 50-80 libra në një proces dy-tri orësh. Në një vit, kemi restauruar dhe mirëmbajtur pothuajse 600 libra, dokumente apo botime nga vitet 1700 deri në 1940. Pajisjet ndihmojnë në përshpejtimin e proceseve të restaurimit”, vëren Antonio Çikollari, përgjegjës i Sektorit të Mirëmbajtjes së Librit në Qendrën “Sotir Kolea”, pjesë e Bibliotekës Kombëtare, ku janë vendosur pajisjet e reja të laboratorit të restaurimit.

Në varësi të ballinës, libërlidhjes dhe materialit, disa libra kanë nevojë për gati 3 javë për t'u restauruar, ndërsa librat e lidhur me lëkurë janë ndër më të vështirët për t'u trajtuar për shkak të ndryshimeve në prodhimin e lëkurës gjatë shekujve.

Praktika e restaurimit, që përdor letrën japoneze për të ribashkuar nyjat e dobësuara të lidhjeve prej lëkure, kërkon  delikatesë që përshkruhet shpesh edhe si “kirurgji libri”, si me letrën ashtu edhe me dizajnet e gdhendura në lëkurë. Por kështu brezat mund të shohin ende në një ekspozitë të ardhshme, disa libra të mbijetuar që nga koha e pas Gutenbergut, si dhe të dëshmojnë evolucionin e libërlidhjes gjatë shekujve, duke zbuluar diversitetin mes Lindjes dhe Perëndimit në formën e shkruar dhe në zbukurime.

 

Informacion plotësues

Projekti “BE për kulturën” financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në Shqipëri. Ai fokusohet te rinovimi dhe rijetëzimi i siteve kryesore të trashëgimisë kulturore të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019 dhe përfaqëson një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të financuar nga Bashkimi Evropian me një buxhet total prej 40 milionë Eurosh. Udhëhequr nga parimi “Rindërtojmë më mirë”, “BE për kulturën” fokusohet në rinovimin e siteve kryesore të trashëgimisë kulturore në përputhje me Kornizën e OKB-së për Reduktimin e Rrezikut nga Katastrofat. Paralelisht, projekti synon të rrisë potencialin turistik të Shqipërisë, duke kontribuar kështu drejtpërdrejt në rimëkëmbjen socio-ekonomike vendore dhe rajonale.