Thirrje për shprehje interesi - Prodhim dhe performancë artistike në kuadër të programit të Javës së Evropës 2026: "Hapësirë e Lirë"
Konteksti
Çdo vit, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri feston Javën e Evropës për të shënuar Ditën e Evropës dhe Deklaratën e Schuman-it të vitit 1950, hapin e parë drejt unitetit evropian. Përmes një programi të larmishëm aktivitetesh kulturore, arsimore dhe qytetare, Java e Evropës promovon vlerat thelbësore të BE-së, angazhon qytetarët dhe nxjerr në pah arritjet e përbashkëta. Këto aktivitete forcojnë dialogun, diversitetin dhe përfshirjen, ndërkohë që nxisin pjesëmarrjen, veçanërisht mes të rinjve, si dhe thellojnë lidhjen mes qytetarëve shqiptarë dhe projektit evropian.
Në vitin 2025, programi i Javës së Evropës prezantoi një komponent të ri artistik, duke ftuar artistë dhe aktorë kulturorë shqiptarë të kontribuonin me produkte origjinale në teatër, muzikë, arte pamore, vallëzim dhe shfaqje ndërdisiplinore. U përzgjodhën gjithsej 11 artistë dhe grupe artistësh për të krijuar vepra që u prezantuan në 33 aktivitete kulturore në gjithë Shqipërinë. Thirrja e hapur tërhoqi 214 aplikime, duke pasqyruar një nivel të jashtëzakonshëm interesi dhe duke demonstruar nevojën për mundësi të vazhdueshme për shprehje artistike brenda kornizës së Javës së Evropës.
Nën temën “Një hapësirë për të krijuar”, artistët u ftuan të rikthejnë vendin e artit në jetën publike dhe t’u përgjigjen sfidave sociale e kulturore që shpesh kufizojnë shprehjen krijuese. Thirrja theksoi fuqinë e artit për të vënë në pikëpyetje, për të bashkuar, për të frymëzuar dhe për të krijuar hapësira për dialog të rrënjosura në vlerat evropiane të demokracisë, përfshirjes dhe lirisë.
Arsyetimi
Pas suksesit të edicionit të vitit 2025, që angazhoi artistë në gjithë vendin dhe frymëzoi audienca të reja, Java e Evropës 2026 vazhdon ta njohë artin si një forcë jetësore brenda peizazhit qytetar të Evropës. Arti ka qenë gjithmonë qendror për identitetin dhe evolucionin politik të Evropës. Ai frymëzon ide, formëson vlerat demokratike, si dhe nxit empatinë dhe dialogun përtej dallimeve.
Në kohë ndryshimi të prioriteteve, kur ekonomia dhe politikat shpesh kufizojnë hapësirën për praktikë krijuese, arti mbetet një fushë thelbësore reflektimi, kritike dhe imagjinate. Mbështetja e artistëve do të thotë mbështetje e lirisë për të menduar, për t'u lidhur dhe për të përfytyruar një të ardhme të përbashkët.
Në vitin 2025, Java e Evropës çeli "një hapësirë për të krijuar", një gjest kolektiv për të mbrojtur shprehjen artistike dhe për të riafirmuar rolin publik të kulturës. Në vitin 2026, kjo hapësirë mbetet e hapur. Ajo vazhdon të mirëpresë artistë, perspektiva dhe histori të reja që pasurojnë narrativën e përbashkët evropiane. Duke e mbajtur këtë hapësirë të hapur, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri përforcon angazhimin e tij ndaj aksesueshmërisë, përfshirjes dhe vazhdimësisë, duke garantuar që arti të mbetet një shprehje e gjallë e shpirtit demokratik të Evropës.
Fushëveprimi
Thirrja fton artistë nga gjithë Shqipëria të marrin pjesë në një akt kolektiv hapjeje: të hapur ndaj ndryshimit, të hapur ndaj imagjinatës, të hapur ndaj diversitetit, të hapur ndaj ideve të reja, të hapur ndaj barazisë, të hapur ndaj së ardhmes, të hapur ndaj Evropës.
Një hapësirë e hapur nuk është kurrë statike. Ajo evoluon bashkë me ata që hyjnë në të, si dhe me historitë, tingujt dhe lëvizjet që ata sjellin. Përmes kësaj hapjeje, Java e Evropës 2026 synon të mbështesë një dialog të gjallë dhe të vrullshëm mes artit dhe shoqërisë, duke inkurajuar pjesëmarrjen, eksperimentimin dhe shkëmbimin mes disiplinave dhe komuniteteve.
Përmes një sërë aktivitetesh artistike që përfshijnë teatrin, muzikën, artet pamore, vallëzimin dhe praktikat ndërdisiplinore, programi synon të nxisë prodhimet artistike, performancën dhe angazhimin e komunitetit në gjithë Shqipërinë. Këto performanca duhet të pasqyrojnë hapjen që përcakton identitetin evropian: një hapje ndaj ndryshimit, dialogut dhe lirisë krijuese.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri fton artistët dhe aktorët kulturorë të kontribuojnë me vepra të reja që mishërojnë këtë frymë hapjeje, duke theksuar se si kreativiteti i Shqipërisë vazhdon të zgjerohet dhe të pasurojë hapësirën e përbashkët evropiane.
Shfaqjet e mbështetura
Kjo thirrje synon të mbështesë deri në tetë shfaqje artistike, duke kulmuar me organizimin e aktiviteteve të mëposhtme:
- Shfaqje teatrale
Shfaqjet teatrale duhen planifikuar të zhvillohen deri në tri data, mundësisht edhe jashtë Tiranës.
- Shfaqje muzikore live
Klasike, bashkëkohore, alternative ose një përzierje e tyre.
Shfaqjet muzikore duhen planifikuar të zhvillohen deri në tri data, mundësisht edhe jashtë Tiranës.
- Ekspozita arti vizual ose konceptual
Ekspozitat duhen planifikuar të qëndrojnë të hapura të paktën për gjithë kohëzgjatjen e Javës së Evropës.
- Shfaqje vallëzimi bashkëkohor
Shfaqjet e vallëzimit bashkëkohor duhen planifikuar të zhvillohen deri në tri data, mundësisht edhe jashtë Tiranës.
- Ekspozita ose shfaqje arti ndërdisiplinore
Shfaqjet ndërdisiplinore duhen planifikuar të zhvillohen deri në tri data, mundësisht edhe jashtë Tiranës, ose të planifikohen për t’u ekspozuar të paktën për gjithë kohëzgjatjen e Javës së Evropës.
Inkurajohen shfaqjet bashkëpunuese që përfshijnë artistë nga disiplina të ndryshme ose mes artistëve të rinj/të afirmuar.
Vënia në zbatim
Shfaqjet e përzgjedhura duhet të nisin zbatimin nga data 09.02.2026 dhe duhen kryer gjatë Javës së Evropës, e planifikuar midis datave 09-22 maj 2026.
Datat e aktiviteteve
Me marrjen pjesë në programin e Javës së Evropës, aplikantët pranojnë dhe bien dakord që datat përfundimtare të performancave do të përcaktohen nga organizatorët e Javës së Evropës bazuar në kërkesat e programimit.
Vendndodhjet e aktiviteteve
Inkurajohet fuqimisht shpërndarja gjeografike e performancave. Shfaqjet, duke përfshirë performancat teatrale, shfaqjet e vallëzimit bashkëkohor dhe koncertet muzikore, rekomandohet të zhvillohen në teatro apo salla shtetërore. Ekspozitat e artit mund të organizohen në hapësira jofitimprurëse kulturore dhe artistike. Inkurajohet fuqimisht vizibiliteti, promovimi dhe komunikimi i përbashkët mes vendndodhjeve, artistëve dhe Javës së Evropës.
Kur e kërkon përmbajtja e shfaqjes, mund të merren në konsideratë edhe vende të hapura, siç janë vendet e trashëgimisë kulturore, me kusht që faktorët mjedisorë, siç moti, zhurmat dhe ndriçimi të mos kompromentojnë cilësinë e shfaqjes.
Aplikantët duhet të propozojnë vende të përshtatshme për shfaqjet si pjesë të aplikimit të tyre. Megjithatë, konfirmimi përfundimtar i vendndodhjes varet nga miratimi i organizatorëve të Javës së Evropës gjatë fazës së zbatimit.
Organizatorët e Javës së Evropës angazhohen t'u ofrojnë mbështetje artistëve për garantimin e vendndodhjeve të propozuara, kur është e nevojshme.
Markimi i aktiviteteve dhe komunikimi
Çdo shfaqje do të markohet në përputhje me identitetin vizual të Javës së Evropës, siç është përgatitur nga ekipi krijues i Javës së Evropës. Artistëve mund t'u kërkohet të japin kontribute të tilla si fotografi, skica, vizatime ose vepra të tjera arti për të mbështetur këtë proces.
Komunikimi në mediet sociale në lidhje me shfaqjet duhet të koordinohet ekskluzivisht me ekipin e medieve sociale të Javës së Evropës për të garantuar qëndrueshmëri dhe respektim të udhëzimeve të markimit.
Buxheti, rregullat dhe kriteret e pranueshmërisë
- Buxheti maksimal për shfaqje nuk duhet të kalojë: 12.000 euro
- Buxheti duhet të përfshijë tarifat e artistëve, kostot logjistike dhe të materialeve, qiranë e pajisjeve dhe shpenzimet e ambienteve. Sipas kontratës, nuk mund të blihet asnjë pajisje.
- Mbështetja financiare e ofruar nuk është grant; në vend të kësaj, organizatorët e Javës së Evropës do të mbulojnë drejtpërdrejt shpenzimet e shfaqjeve dhe tarifat e anëtarëve, siç përshkruhet në zërat e propozuar të buxhetit.
- Çdo anëtar i grupit të shfaqjes do të angazhohet si kontraktor i pavarur nëpërmjet një kontrate të veçantë të bërë nga organizatorët e Javës së Evropës. Kontrata do të mbulojë në mënyrë specifike tarifat dhe detyrat e tyre sipas propozimit.
- Anëtarët e grupit të shfaqjes do të jenë përgjegjës për menaxhimin e sigurimeve të tyre kombëtare, kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe detyrimeve tatimore, duke përfshirë edhe taksën në fuqi prej 15% mbi të ardhurat.
- Çdo shpenzim që përfshin palë të treta duhet t'u faturohet drejtpërdrejt organizatorëve të Javës së Evropës.
- Ju lutemi të vini re se, parapagimet nuk do të pranohen.
- Propozimet që bashkëfinancohen nuk janë të pranueshme për përzgjedhje.
- Zërat e buxhetit për komunikim, media sociale, reklamim dhe dizajn grafik nuk do të pranohen.
Pyetje
Pyetjet mund të dërgohen me email deri më 09.01.2026. Të gjitha pyetjet do të marrin një përgjigje kolektive deri më 16.01.2026.
Dokumentet e aplikimit
Ju lutemi, dorëzoni dokumentet e mëposhtme në formatin pdf:
- Formulari i aplikimit
- Portofoli i artistit /CV
Të gjitha dokumentet duhet të jenë në anglisht.
Madhësia e përgjithshme e skedarëve të paraqitur nuk duhet të kalojë limitin e specifikuar prej 20 MB.
Dorëzimi
Aplikimet duhen dorëzuar ekskluzivisht me email jo më vonë se data 23.01.2026 (23:59 GMT+1).
Vlerësimi dhe përzgjedhja
Propozimet do të vlerësohen bazuar në kriteret e mëposhtme:
Koncepti i propozimit: 40%
Propozimet do të vlerësohen për qartësi, origjinalitet dhe përputhshmëri me qëllimet e programit. Një koncept i fortë duhet të demonstrojë inovacion, lidhje me temën dhe fizibilitet brenda afatit kohor dhe burimeve të propozuara. Do të inkurajohet gjithashtu shpërndarja gjeografike e shfaqjeve si nisma që angazhojnë audienca të ndryshme.
Burimet njerëzore dhe portofoli artistik: 40%
Do të vlerësohet formimi artistik, stili dhe krijimtaria e grupit. Përzgjedhja do të përqendrohet në atë se sa mirë i mbështesin qëllimet dhe fizibilitetin e propozimit vizioni artistik i grupit dhe veprat e mëparshme.
Buxheti: 20%
Buxheti duhet të jetë realist, i strukturuar mirë dhe të tregojë përdorim efikas të burimeve. Propozimet do të vlerësohen për aftësinë e tyre për të arritur objektivat brenda kufijve të caktuar financiarë.
Propozimet e suksesshme do të përzgjidhen nga një panel i përbërë nga ekspertë të pavarur. Procesi i vlerësimit mund të përfshijë negociata me kandidatët. Të gjithë aplikantët do të informohen për rezultatet me anë të email-it dhe propozimet e përzgjedhura do të shpallen në kanalet e medieve sociale të Delegacionit të BE-së deri më 09.02.2026.
Aplikantët mund të dërgojnë ankesa për përzgjedhjen me email jo më vonë se 5 ditë pas komunikimit të rezultateve të përzgjedhjes.
Kontakti
Adresa e mëposhtme e email-it do të përdoret për të gjitha komunikimet, duke përfshirë parashtrimet dhe pyetjet.