Ëndërr mbi dy rrota, historia frymëzuese e Orgest Nokës

Orgest Noka nuk është thjesht çiklist profesionist; ai personifikon shpirtin  e çiklizmit malor në Shqipëri. Me një pasion të pakufi për ato dy rrota, Orgesti ka gjetur lirinë dhe një qëllim në biçikletën e tij të dashur, një mjet që i ka dhënë formë thelbit të vetë jetës së tij.

Ëndrrat e Orgestit në kërkim të një jete më të mirë jashtë shtetit u prenë për momentin për shkak të rrethanave familjare. Por fati kishte të tjera plane për të. Për shkak të situatës së vështirë emocionale që po kalonte, thjesht donte të shkonte në vende të qeta, diku në natyrë, për të harruar dhimbjen. Shpesh gjente ngushëllim në pistat e Parkut të Liqenit të Tiranës, duke eksploruar dalëngadalë vende të reja përtej atyre që kishte përshkuar.

Më në fund, e gjeta ëndrrën time. Çiklizmi u bë jeta ime e re”, thotë Orgesti.

Kur një shok i foli për një garë të çiklizmit malor, Orgesti nuk hezitoi që të bëhej pjesë e asaj sfide, edhe pse ishte amator, pa ndonjë trajnim formal. Vendosmëria dhe dashuria për sportin e çuan në podium, ku tërhoqi vëmendjen e një operatori turistik të çiklizmit malor zviceran që pa potencialin e talenteve të Orgestit.  

Orgest Noka

Së bashku, kemi krijuar disa ture dhe rrugë dhe kemi shoqëruar qindra turistë nëpër rrugët malore në Shqipëri dhe në zonat ndërkufitare”, thotë Orgesti.

Pika e kthimit në rrugëtimin e Orgestit erdhi me projektin e financuar nga BE-ja “Një tjetër nivel i turizmit të aventurës në Mavrovë-Rostushe & Dibër”. Duke luajtur dy role njëherësh, ai qe në krye të krijimit të disa shtigjeve mbresëlënëse çiklizmi në Dibër, një dëshmi krenare e ekspertizës së tij. Përveç kësaj, trajnimi intensiv i ofruar nga Organizata Evropiane e Instruktorëve dhe Guidave të Çiklizmit Malor e çoi atë në të tjera nivele, duke u vendosur një standard të artë aspiratave të tij për të ardhmen.

I nxitur nga ambicia dhe dashuria për vendin e tij, Orgesti ka një vizion novator me emrin “Ride the Balkans”, një parajsë e çiklizmit malor në zemër të qarkut të Dibrës. Me një pasion që nuk njeh kufij, ai ka në plan të ndërtojë një parajsë çiklizmi – një bazë për çiklizmin malor, ku të ketë dhoma, restorante, vende kampingu, shërbime për biçikletat, biçikleta me qira, guida për shërbime transporti dhe pista të jashtëzakonshme të çiklizmit malor.

Transformimi i Dibrës është kthyer në forcën e tij shtytëse. “Vite më parë, shihja shtëpiza të vogla, ku njerëzit jetonin në varfëri. Tani shoh banesa të bukura që janë shndërruar në bujtina,” thotë ai.

Përveç kësaj, natyra dhe malet në këtë zonë janë të mahnitshme. “Më kujtohet një prej tureve tona, kur po ngjiteshim me ca turistë në një kodër. Ndaluan një moment që të shihnin fluturat. Një prej turistëve tha: “Në vendin tonë janë zhdukur”. Në malet shqiptare, natyra është ende e virgjër dhe duhet ta ruajmë”, thotë Orgesti.

Edhe pse nuk ka ndjekur studimet universitare tradicionale, profesioni i Orgestit është një profesion që ai e çmon shumë. Mirënjohës për rrugën që ka zgjedhur, ndihet krenar, pasi ka krijuar një të ardhme të sigurt që mbështetet në asetet natyrore të Dibrës dhe në pasionin e tij për çiklizmin.