“Ekipi Kristal” i Beratit – BE fuqizon gratë shqiptare përmes sipërmarrjes

Një grup grash në Berat ka ngritur një ndërmarrje sociale që ofron shërbime përkujdesjeje dhe pastrimi. Pas trajnimit për aftësitë e buta, menaxhimin financiar dhe zhvillimin e biznesit, sipërmarrja e tyre e re është regjistruar zyrtarisht dhe ka siguruar tashmë kontrata vendore me hotele dhe bujtina në Berat.
Drejtuar nga gra rome dhe egjiptiane, “Ekipi Kristal” ka punësuar 10 persona të kthyer, të cilët po kontribuojnë për një të ardhme më të mirë në qytetin e tyre. Kjo përputhet me qëllimet e një programi të fokusuar tek ri-integrimi i qëndrueshëm i të kthyerve që përballen me përjashtimin ekonomik dhe social.
Krijimi i ndërmarrjes sociale ka marrë mbështetje nga programi rajonal i financuar nga BE-ja “Forcimi i sistemeve kombëtare dhe vendore për të mbështetur ri-integrimin efektiv të të kthyerve në Ballkanin Perëndimor”, i zbatuar nga UNDP-ja.
Në fillim të kësaj jave, në bashkëpunim me UNDP-në dhe përfaqësuesit e Bashkisë së Beratit, vizituam mjediset e tyre të punës për të parë përpjekjet dhe për të shprehur mbështetjen tonë të plotë për nismën e tyre.
“Dëshiroj të përgëzoj grupin e grave për nismën për të nisur një biznes social. Zhvillimi i “startup-eve” dhe sipërmarrjeve sociale në Shqipëri është vendimtar, veçanërisht duke pasur parasysh sfidat e punësimit dhe mbrojtjes sociale për ata që nuk janë në gjendje të konkurrojnë në tregun e punës. BE-ja do të vazhdojë t'ju mbështesë”, tha Valerie Covic, Menaxhere Programi në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Rreth projektit
“Forcimi i sistemeve kombëtare dhe vendore për të mbështetur integrimin efektiv socio-ekonomik të të kthyerve në Ballkanin Perëndimor” është pjesë e një programi më të madh të financuar nga BE-ja dhe të menaxhuar nga UNDP-ja, Banka Botërore dhe Këshilli i Evropës. Ky program synon të ndihmojë komunitetin rom dhe individë të tjerë të cenueshëm, të cilët janë kthyer në vendet e tyre të lindjes në Ballkanin Perëndimor – veçanërisht në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.
Projekti po realizohet pasi shumë njerëz u kthyen nga Bashkimi Evropian në Ballkanin Perëndimor kur këto vende u konsideruan si “vende të sigurta të origjinës”. Ai fokusohet te ndihma ndaj këtyre të kthyerve për t'u integruar në shoqëri dhe ekonomi. Projekti bashkëpunon ngushtë me institucionet vendore, me grupet e shoqërisë civile dhe bizneset në nivel komuniteti për të ofruar shërbime që mbështesin ri-integrimin e këtyre individëve.