Aktivistët po nxisin ripyllëzimin e Parkut Kombëtar të Lurës
Parku Kombëtar i Lurës është një nga perlat natyrore më të bukura të Shqipërisë. Ky park kombëtar masiv dhe i egër është strehë e llojeve të ndryshme vendase të florës dhe faunës.
I njohur si “mushkëritë e gjelbra” të Shqipërisë së Veriut, Parku Kombëtar i Lurës është përballur me sfida të rënda që prej vitit 1992, duke u përballur me shpyllëzimin masiv, zjarret e pakontrolluara pyjore dhe dëmtimet katastrofike, të cialt kanë çuar në humbjen e rreth dy të tretave të sipëfaqes së tij pyjore.
Aktivistë të shumtë janë duke u përpjekur me këmbëngulje që të ndalin përmasat e këtij dëmi, duke mbjellë pemë në Parkun Kombëtar të Lurës. Mes tyre është edhe Edi Truka, një 36-vjeçar nga Dibra, tejet i shqetësuar për gjendjen aktuale të parkut. Vetë rrënjët e Edit në Peshkopi nxitën lidhjen e tij të fortë me këtë rajon.
“Më kujtohet kur Lura ishte vendi më i bukur. Pyjet e pafundme me bredha e pisha, drurët e vjetër të pishave dhe liqenet e bukur akullnajorë me zambakët e tyre të bardhë gjatë verës i dhanë këtij parku peizazhin madhështor dhe panoramën e mrekullueshme, duke e kthyer atë në një nga atraksionet turistike më kryesore që promovonin Shqipërinë jashtë vendit. Ndiheshim kaq shumë krenarë për të”, kujton Edi.
Shkatërrimi
Pas rënies së diktaturës në fillim të viteve 90’, shumë njerëz zgjodhën të emigronin. Të tjerë u përpoqën të gjenin mënyra për të fituar jetesën duke përdorur çfarëdolloj burimi të afërt që mund të gjenin. Së pari, banorët, e më vonë edhe subjektet tregtare, u angazhuan në prerjen e pyjeve dhe eksportimin e lëndës drusore. Zjarret në pyje janë bërë gjithashtu një kërcënim i shpeshtë.
Besimi se Parku ishte i madh dhe pemët e tij nuk do të mbaronin kurrë, i cili çoi në këtë shpyllëzim të pamend, vazhdoi për rreth dy dekada, derisa nuk mbeti asnjë pemë, vetëm toka djerrë dhe një peizazh i gjerë, tërësisht i spastruar nga bimësia.
Dhjetë vjet më parë, imazhet dhe filmimet e katastrofës natyrore të Lurës bënë bujë kombëtare dhe u bënë të dukshme për të gjithë. Fatkeqësisht, ishte tepër vonë për të ndalur ndikimin e veprimeve njerëzore mbi natyrën. Në vitin 2016, qeveria shqiptare miratoi një moratorium 10-vjeçar, duke ndaluar çdo aktivitet të pakontrolluar shpyllëzimi deri në vitin 2026. Megjithatë, pak ka ndryshuar në Parkun Kombëtar të Lurës.
North Green Association
Pika e kthesës
Edi shquhet si një nga ambientalistët që përpiqet të rijetësojnë Parkun Kombëtar të Lurës. Ai është diplomuar në Itali, ku ka studiuar për planifikim urban dhe territori, dhe është kthyer në Shqipëri në vitin 2013. Në bashkëpunim me disa miq me të cilët ndan të njëjtat ide, krijuan "North Green Association", e cila punon në fushën e projekteve mjedisore. “Emri i organizatës frymëzohet nga Evropa Veriore, ku natyra dhe njerëzit bashkëjetojnë në harmoni. Kjo është ëndrra jonë edhe për Shqipërinë”, shton Edi.
Një nga projektet e Shoqatës “North Green” ishte ndërgjegjësimi për mbjelljen e pemëve në Parkun Kombëtar të Lurës. Ata siguruan mbështetjen e Projektit ENV.net , i cili zbatohet nga Co-Plan - Instituti për Zhvillimin e Habitatit dhe financohet nga Bashkimi Evropian.
Falë këtij projekti dhe në bashkëpunim me Agjencinë Vendore të Zonave të Mbrojtura (ADZM Dibër) ata mundën të mbjellin pemë në një nga zonat më të shkretuara, pranë liqenit kryesor të Lurës, te Liqeni i Luleve. “Angazhuam nxënës nga shkolla profesionale “Nazmi Rushiti” këtu pranë dhe së bashku mbollëm mbi 1000 pemë, prej të cilave mbi 60% kanë lulëzuar”, thotë Edi.
Sfidat dhe aspiratat
Ndërsa komuniteti mbështet çdo përpjekje për të rikthyer shkëlqimin natyror të Lurës, Edi thekson kohëzgjatjen e madhe që kërkohet për rigjenerimin e pyjeve. “Një pyll nuk mund të krijohet brenda ditës. Për të prerë një pemë duhen vetëm disa minuta, por duhet një jetë e tërë për të parë një fidan të bëhet pemë”, reflekton Edi, i cili është i bindur se Lura kërkon më shumë se një mijë apo edhe një milion pemë.
Kjo përpjekje kërkon një plan të gjerë kombëtar restaurimi, rregullim dhe monitorim të rreptë. Për të çuar përpara kauzën e tyre, Shoqata “North Green” aplikoi për një projekt tjetër, pjesë e programit IdeAl të financuar nga Bashkimi Evropian, i quajtur "National Forest Sos." Ky projekt synonte të vlerësonte efektivitetin e Ligjit për Moratoriumin e Pyjeve (2016-2026) përmes instrumenteve të ndryshme.
“Zbuluam se sipërfaqe të gjera pyjore janë zëvendësuar ose reduktuar në shkurre në hartën e pyjeve”, thotë Edi, duke shtuar se ka mungesë qartësie dhe mbivendosje institucionale në monitorimin e mosprerjes së pyjeve.
Projekti konstatoi se pyjet përdoren me 450% më shumë se ritmi i rritjes së tyre dhe pemët ende përdoren si dru zjarri për të plotësuar nevojat për ngrohje të banorëve në bashkitë përkatëse. Projekti nxori disa rekomandime për politikëbërësit për periudhën 2023-2035, si ndërprerja e kontratave dhjetëvjeçare (2014-2024) për nxjerrjen e materialeve nga fondi pyjor, zgjatja e afatit 10-vjeçar të ligjit të moratoriumit për pyjet, dhe ngritjen e një strukture për mbrojtjen e pyjeve.
Rreth projekteve
“Fushata për përmirësimin e mbrojtjes dhe menaxhimin e pyjeve në Parkun Kombëtar të mbrojtur të Lurës” ishte një nismë granti nga Organizata “North Green” në kuadër të projektit rajonal ENV-net, i zbatuar në Shqipëri nga Co-Plan - Instituti për Zhvillimin e Habitatit dhe i financuar nga BE-ja.
Projekti “SOS Pyll Kombëtar” ishte një tjetër nismë granti nga “North Green”, në kuadër të programit IdeAl (Dialog për zhvillim politikash gjithëpërfshirëse, të bazuara në fakte, në Shqipëri), i zbatuar nga Co Plan - Instituti për Zhvillimin e Habitatit dhe i financuar nga BE-ja.
Objektivi i dy projekteve ishte të kontribuonte në përmirësimin e dialogut publik dhe legjislativ, të bazuar te faktet, ndërmjet institucioneve shtetërore qendrore e vendore dhe shoqërisë civile, për çështje që lidhen, ndër të tjera, me ndryshimet klimatike dhe mjedisin.